Lindja e Profetit dhe 40 vitet para Shpalljes.


 

Lindja

Më i dalluari Pejgamber, Resulull-llahu a.s. u lind në familjen Beni Hashim në Mekë, në mëngjesin e ditës së hënë, më nëntë rebiul-evvel, në vitin e parë të ngjarjes me “elefantin”, ose dyzet vjet pas sundimit të mbretit persian Kisras (Kserksit) – Enu Shervanit. Kjo datë i përgjigjet 20 ose 22 prillit të vitit 571 sipas kalendarit. Këtë datë e ka llogaritur dijetari i madh Muhammed Sulej­man El-Mensur Fevri dhe astronomi i shquar Mahmud Pasha.[1]

Ibni Seadi transmeton se nëna e Resulull-llahut a.s. ka thënë: “Kur e kam lindur, bashkë me të kam lindur edhe një dritë të madhe, nga e cila kanë shkëlqyer pallatet e Shamit.” Ngjashëm transmeton edhe Ahmedi nga El-Urbad ibën Sarijeh.[2]

Gjithashtu flitet se, gjatë lindjes së Muhammedit a.s. kanë ndodhur disa ngjarje të çuditshme në botë, të cilat kanë qenë parashenja të pej­gamberllëkut të tij:

Janë rrëzuar katërmbëdhjetë pyrgje nga kështjella e Kserksovit në Persi, është shuar zjarri të cilin shekuj me radhë e kanë adhuruar fari­sejët në Indi, janë rrënuar kishat rreth liqenit “Savit” pasi që është tharë liqeni. Këtë e transmeton Bejheki,[3] e Gazaliu nuk pajtohet me këtë.[4]

Kur Eminja e sjellë në botë fëmijën, e thërret gjyshin e tij Abdul- Muttalibin për t’ia kumtuar lajmin e gëzueshëm. Ai, plotë gëzim, e merr djalin në duar dhe e dërgon në Ka’be. Aty i lutet All-llahut dhe e falënderon për nipin. Aty edhe ia vënë emrin Muhammed – e që me siguri dihet se ky emër nuk ka qenë i njohur ndër arabët. Synetia është bërë shtatë ditë pas lindjes, siç ka qenë zakon tek arabët.[5]

Gruaja e parë që i ka dhënë gji, pas nënës së vet, ka qenë Thuvej­bja, e mbrojtura e Ebu Lehebit, e cila e ka pasur një foshnjë në gji me emrin Mesruh. Para Muhammedit a.s. i ka dhënë gji Hamzës, djalit të Abdul-Muttalibit, e pas tij i ka dhënë gji Ebu Seleme b. Abdul-Esed El-Mahzumit.[6]

Qëndrimi tek fisi Benu Sa’d

Arabët që jetonin në qytet e kishin zakon që foshnjeve t’u gjejnë mëndeshë dhe atë nga fshatrat dhe shkretëtira, duke dëshiruar kështu t’i largojnë fëmijët e vet nga sëmundjet e qytetit. Fëmijët duhej të përkun­deshin në ajr të pastër, të forcoheshin shpirtërisht dhe të flisnin gjuhën e pastër arabe.

Kështu edhe Abdul Muttalibi del të kërkojë mëndeshë (gruaja që u jep gji foshnjeve) për nipin e vet. Bien në ujdi me Halimen nga fisi Benu Sa’d ibën Bekër, vajzën e Ebi Dhuejbit. Burri i saj quhej El-Harith b. Abdul-Uzzaji, me ofiqin Ebi Kebsheh, po nga fisi i Halimes.

Muhammedi a.s. ka pasur vëllezër mëndorë (të qumështit). Këta janë: Abdullah b. (el)-Harithi, Enisa, vajza e Harithit, Hudhafeh ose Xhuzema, vajza e Harithit, të cilën e quajtën Shejma. Ajo e donte dhe e mbante në duar Muhammedin a.s. pastaj Ebu Sufjan b. Harith b. Abdul Muttabi, djali i mixhës Resulull-llahut a.s.

Mixha i Resulull-llahut a.s., Hamza, po ashtu ka pasur mëndeshë nga fisi Benu Sa’d ibën Bekër, e një herë i ka dhënë gji edhe nëna e Resulull-llahut a.s. kur ka qenë në vizitë tek Halimja. Hamza ka qenë vëllai mëndorë i Resulull-llahut a.s. nga dy anët, prej Thuvejbes dhe Halimes. Halimja, me Resulull-llahun a.s. ka përjetuar bereqet (mba­rësi) të papritur si dhe ngjarje interesante.

Ibni Is’haku shkruan: “Halimja tregon se një ditë ishte nisur me burrin dhe me djalin e vogël, të cilin ende e kishte në gji, me një grup grash nga fisi Sa’d ibën Bekër, për të kërkuar punë (gratë vinin në Mekë dhe merrnin foshnje për t’u dhënë gji). Kjo ka ndodhur në një vit kur nuk kemi pasur ushqim. Jemi nisur me një deve e cila, për Zotin, nuk jepte asnjë pikë qumësht. Askush prej nesh nuk ka fjetur nga të qarët e fëmijës tonë të uritur, i cili nuk ka mundur të ngopej nga gjoksi im. I luteshim Zotit që të na nxjerrte nga kjo situatë e vështirë. Kështu mbërrimë në Mekë. I shikonim foshnjat e posalindura dhe çdonjërës prej nesh na ofruan Resulull-llahun a.s., por asnjëra nuk donte ta merrte, sepse ishte jetim – pa babë. Natyrisht, ne shpresonim që të na paguante babai i foshnjës. Çdonjëra prej nesh thoshte: “Jetim, çka mund të bëj për të nëna dhe gjyshi!?” Andaj nuk dëshironim t’i marrim jetimët. Ndërkaq, çdo grua që kishte ardhur me mua gjeti për vete fëmijë për gji, përveç meje. Kur bëheshim gati për t’u kthyer, i thashë burrit: “Pasha Zotin, ndihem e poshtëruar sepse të gjitha shoqet e mia gjetën për vete foshnjë për gji. Nuk mund të kthehem në shtëpi kështu e mjerë. Pasha Zotin, vajta mbrapa ta marr atë jetim.” “Mos bën merak, gjithsesi vepro kështu, ndoshta All-llahu me të do të na jep bereqet.” Ajo pastaj vazhdoi tregimin: “Vajta ta marr fëmijën vetëm për shkak se nuk gjeta tjetër. Pastaj, kur e mora, e solla te karvani dhe e vura në gji. Ai i pranoi gjinjtë e mi dhe thithte e thithte gjersa u ngop. Pas tij u ngop edhe djali im. Pastaj Muhammedi fjeti, e fjeti edhe djali im, nga vaji i të cilit (nga uria) nuk kemi mundur ta bëjmë asnjë sy gjum natën e kaluar. U çua burri im dhe shkoi te deveja, kur, çka me pa, asaj iu kishin fryer gjinjtë. Pastaj e mjeli dhe pimë që të dy gjersa u ngopëm. Atë natë fjetëm mirë. Kur u zgjuam, burri më tha: “Oj Halime, dije se pasha Zotin, e ke marr një fëmijë me fat dhe me bereqet!” Unë u përgjigja: “Edhe unë kam dëshirë të jetë ashtu.” Pastaj u nisëm. Unë me fëmijët i hipa devesë. Deveja ishte e fuqishme dhe e shpejtë, andaj shkova mjaft përpara shoqeve, kështu që ato më britën: “Oj e bija e Vehbit, çka të ndodhi! Pritna pakëz neve, a është ajo e njëjta deve me të cilën ke vajtur së bashku me ne?” “Po, për Zotin”, u përgjigja: “Ajo vetë është.” “Nuk është e mundur”, thanë ato. “Ka ndodhur diç me të.”

Pastaj mbërritëm në fshatin tonë – tokë e Beni Sa’dëve. Nuk kam njohur tokë më të thatë se kjo. Delet tona gjithnjë ktheheshin të uritura në shtëpi, por kur erdhëm me Muhammedin ato u kthyen nga kullosat të ngopura dhe me plotë qumësht, pastaj i molëm dhe u ngopëm me qumësht. Fqinjët tanë, duke e ditur se delet tona, gjer atëherë nuk kishin pasur asnjë pikë qumësht, u thoshin barinjve të vetë: “Të mjerët ju, pse nuk i kullotni delet atje ku kullosin kopetë e bijës të Vehbit.” Por, gjithnjë ndodhte e njëjta gjë. Delet e tyre ktheheshin të uritura dhe pa qumësht, kurse të miat të ngopura dhe me qumësht. Përmes kësaj gjithnjë e ndienim mirësinë e Zotit, ndihmën dhe furnizimin e tij. Kjo zgjati derisa Muhammedi i mbushi dy vjet. E ndava nga gjiri sepse dukej më i fuqishëm dhe më i madh se moshatarët e tij. Atëherë ven­dosëm t’ia dërgojmë nënës së vet, ishim të pikëlluar dhe të mjerë për shkak të ndarjes.

Nënës së tij i treguam se çfarë mbarësie kishim në shtëpi me të dhe i thashë: “Sikur ta lishe tek ne edhe pak kohë që të forcohet edhe më, do ta kishte më mirë se në qytet. Kam frikë se do t’i bën keq ajri i qytetit.” Halimja vazhdoi: “As që kemi shpre­suar, e Emin­ja menjëherë vendosi ta marrim fëmijën mbrapa me vete.[7]

Kështu Resulull-llahu a.s. mbetet tek Benu Sa’dët. Ishte në moshën katër-pesë vjeç, kur ka ndodhur një ngjarje – njëra nga mu’xhizet e Re­sulull-llahut a.s. “Hapja dhe pastrimi i kraharorit të Muhammedit a.s.”

Muslimi transmeton nga Enesi se Resulull-llahut a.s. i erdhi Xhibrili derisa ai luante me fëmijë. Ai e merr këtë, e shtrin për toke, ia hapë kraharorin gjer tek zemra, ia nxjerrë zemrën jashtë dhe nga zemra nxjerr një koagulim (piksje) dhe thotë: “Me këtë shejtani ka mundur të të bëj dëm.” Pastaj ia pastruan zemrën në një legen të artë ku ka pasur ujë të Zem-zemit, pastaj e qepë dhe përsëri e vënë në vend të vet. Fëmijët tjerë vajtën tek ndrikulla e tij duke britur: “Muhammedi është i mbytur!” Kur e panë përsëri, fytyra e tij kishte ngjyrë tjetër.”[8]

Të vajturit tek nëna e vet

Pas kësaj ngjarjeje të çuditshme, Halimja u frikësua për Muham­medin dhe vendosi t’ia kthente nënës së vet. Tek nëna ishte gjer në moshën gjashtë vjeç.[9] Eminja e shihte të arsyeshme, për shkak të vetvetes dhe për shkak të djalit, ta vizitonte varrin e burrit në Jethrib (Medinë). Së bashku me djalin, shërbëtoren Ummu Ejmenen dhe me vjehrrin e vet, niset në rrugën e gjatë 500 km. Në udhëtim kalun një muaj. Eminja dobësohet shumë, sidomos gjatë kthimit. Edhe pse në fillim të udhëtimit ishte këmbëngulëse, megjithatë nuk mundi të qëndronte gjer në fund. Vdiq në vendin e quajtur El-Ebva, ndërmjet Mekës dhe Medinës.

Jeta tek gjyshi i dashur

Abdul-Muttalibi kthehet me Muhammedin a.s. në Mekë. Të tëra ndjenjat e tij, të mirësisë, të bujarisë dhe të dashurisë i ishin drejtuar nipit jetim, të cilin e gjeti një tragjedi e re që vetëm ia rihapi plagën e vjetër që s’ishte mbyllur ende – së pari i ati, e tani edhe e ëma!

Gjyshi ishte më i mëshirshëm ndaj Muhammedit a.s. se sa ndaj djemve të vetë. Asnjëherë nuk e linte vetëm, gjithnjë ishte dikush me të.

Ibni Hishami thotë: “Abdul-Muttalibi e kishte një shilte të vet nën hijen e Ka’bes. Djemtë e tij uleshin rreth shiltes dhe nga respekti asnjëri nuk tentonte të ulej në vendin e babait. Por kur paraqitej Resulull-llahu a.s. – nipi, ulej mes të shiltes. Xhaxhallarët e tij, djemtë e Abdul-Mutta­libit donin ta largonin, por Abdul-Muttalibi u thoshte: “Lëreni mos e çoni Muhammedin, djalin tim. Ai gëzon vend të posaçëm tek unë.”

Pastaj e ulte pranë, ia ledhatonte shpinën me dorë dhe gëzohej për çdo gjë që bënte Muhammedi a.s.[10]

Në moshën tetë vjeç, dy muaj e dhjetë ditë, Resulull-llahu a.s. e humb edhe gjyshin e vet. Ky vdes në Mekë, duke dëshiruar që kujdesin ndaj nipit të t’ia besonte xhaxhait të tij Ebu Talibit, i cili ishte vëllai i babait të Pejgamberit a.s., nga baba dhe nëna.[11]

Tek ungji sentimental

Ebu Talibi mori përsipër kujdesin e plotë ndaj djalit të vëllait – nipit. E radhiti në mesin e djemve të vet, atyre edhe ua la amanet dhe posaçërisht kërkoi mirësi dhe nderim të ndërsjellë. Ebu Talibi, ungji i tij e favorizoi Muhammedin a.s. mbi dyzet vjet, duke ia dedikuar mbrojtjen e vet dhe për shkak të tij lidhte miqësi dhe hidhërohej, për çka do të bëhet fjalë.

Me lutje solli shiun

Ibni Asakiri e ka marrë një hadith nga Xhelhemeh ibën Arfeteh, i cili thotë: “Një ditë hyra në Mekë, ishte thatësirë, ndaj kurejshitët thanë: “O Ebu Talib, na u tha lugina, fëmijët na vuajnë nga thatësia, etja dhe lutu për shi.” Ebu Talibi doli me djaloshin, dhe dukej sikur të ishte zënë Dielli, retë u shakullisën. Djaloshi shikonte në qiell. Ebu Talibi e mori atë, e mbështeti me shpinë për Ka’be, dhe tregoi me gisht kah ai, e në qiell ndodhi një mrekulli. Retë u grumbulluan nga të gjitha anët, filloi stuhia dhe në luginë u derdh një shi i begatshëm që ujiti gjithë çka duhej. Këtë ndodhi Ebu Talibi e ka përshkruar me një verset.” Në këtë verset Ebu Talibi e ka përshkruar fuqinë mbinatyrore të Muhammedit a.s.

Prifti Behira

Kur Resulull-llahu a.s. mbushi dymbëdhjetë vjet – sipas disave – e edhe dy muaj e dhjetë ditë,[12] Ebu Talibi e mori me vete në një udhëtim tregtie për në Sham. Gjatë udhëtimit u ndalën në Basër për të pushuar. Atëbotë Basra ishte vend i rëndësishëm tregtar dhe kryeqytet i trevave arabe që ishin nën sundimin e Romakëve.

Në këtë qytet jetonte një prift i quajtur Behira, ndërsa emrin e vërtetë e kishte Gërges (Xherxhiz). Kur karvani me tregtarë arriti në qytet, ai u doli përpara dhe i ftoi në gosti. Edhe pse i shihte për të parën herë, ky menjëherë e njohu Resulull-llahun a.s. sipas veçorive të shpallura më herët në librat e shenjtë. Ai e mori djaloshin për dore e tha: “Ky do të jetë Pejgamberi i tërë botës. Këtë All-llahu do ta dërgojë si mëshirë të gjitha botërave.” Ebu Talibi tha: “Si e din ti këtë?” Ai u përgjigj: “Kur vështronit nga Aka’beja, nuk mbeti asnjë gurë, as bimë, as lis pa bërë sexhde, kurse ata nuk i bëjnë sexhde askujt tjetër përveç Pejgamberit. Unë e njoh nga vula e pejgamberllëkut, sipas nishanit mbi kërcen e epërme të shpatullës në formë të mollës. Unë për të kam dëgjuar në shpalljet tona.” Pastaj e luti Ebu Talibin që të mos shkonte me të në Sham. Frikësohej mos ta gjejë ndonjë e keqe nga hebrenjtë. Ebu Talibi e ktheu Muhammedin a.s. në Mekë me dy shërbëtorë.[13]

Lufta e quajtur El-Fixhar

Kjo ka qenë lufta e fiseve Kurejsh dhe Kinan kundër Havazinëve. Në atë kohë Resulull-llahu a.s. ishte në moshën pesëmbëdhjetë vjeç. udhëheqësi i kurejshitëve dhe Kinanëve ka qenë Harb b. Umejje i cili gëzonte famë dhe nder të madh. Udhëheqës i fisit Havazin ka qenë Kajsi. Fillimi i luftës i ka takuar Kajsit kurse mesi i luftës i ka takuar fisit Kinan. Kjo luftë është quajtur “Fixhar” ngase pushoi ndalesa e luftimit në muajt e shenjtë. Në këtë luftë ka qenë prezent edhe Resu­lull-llahu a.s. por ai vetë nuk luftoi, vetëm që iu jepte shigjeta xhaxha­llarëve.[14]

Marrëveshja mbi dinjitetin

Në bazë të luftës paraprake u bë betimi për muajin e shenjtë dhul-ka’de, iniciatorët e të cilit kanë qenë kurejshitët, dhe atë këto familje: Benu Hashim, Benu Muttalib, Esed b. Abdul Uzzaj, Zehreh b. Kulab dhe Tejma b. Merreh. Përfaqësuesit e këtyre familjeve u mblodhën në shtëpinë e Abdullah Xhedanit et-Temijut, sepse ishte më i vjetri prej tyre dhe ishte shumë i ndershëm dhe bujar. Lidhën marrëveshjen se në Mekë nuk guxon të jetë askush i nënshtruar e as i terorizuar, qoftë ai mekas ose mysafir, e të mos jenë ata në anën e tij e kundër zullum­qarit, përderisa ky nuk ndalet. Në këtë marrëveshje ka qenë prezent edhe Resulull-llahu a.s. e kur All-llahu xh.sh. e ka prirur me shpallje, ka deklaruar: “Kam qenë prezent në shtëpinë e Abdullah b. Xhedanit kur u lidh marrëveshja e cila më pëlqeu, e po qe se në Islam do të ftohesha për diç të tillë, do të përgjigjesha me dëshirë.”[15]

Kjo marrëveshje është rezultat i fanatizmit paraislamik që ka rezul­tuar nga “asabijja”. Asabijja është fryma e gjinisë e cila nënkup­tonte besnikërinë e domosdoshme ndaj farefisit të vet.

Të shohim se cili ishte shkaku i lidhjes së aleancës dhe nënshkrimit të marrëveshjes mbi dinjitetin e njeriut. Një njeri nga fisi Zubejd erdhi në Mekë për të shitur mallin. Këtë mall e bleu El-As b. Vail Es-Sehmi, por nuk e bëri pagesën ashtu siç duhej. Tregtari e luti që ta bënte pagesën siç duhet dhe i ftoi përfaqësuesit e familjeve. Abdu-Dar, Mah­zum, Xhumh, Sehm dhe Ad që t’i ndihmojnë, por këta nuk e përfillën as njeriun e as ngjarjen. Atëherë tregtari thërret një poet dhe e lutë që në treg t’i recitonte disa vargje me të cilat do të përshkruante padrejtësinë dhe dhunën që i ishte bërë. Dhe, derisa poeti recitonte, aty pari kaloi Zubejr b. Abdul-Muttalibi dhe pyeti: “Çka është shkaku i këtyre var­gjeve?” Kur mori vesh shkakun, i mblodhi njerëzit e sipërpërmendur që të marrin vendimin për respektimin e dinjitetit njerëzor, si për banorët e Mekës ashtu edhe për të huajt që vinin në Mekë. Pastaj të gjithë të tubuarit vajtën tek El-As b. Vaili të cilin e detyruan t’i jap tregtarit të drejtën e tij.[16]

Jeta e mundimshme

Resulull-llahu a.s. në rini nuk kishte ndonjë punë të caktuar apo profesion. Tradita shënon se ka qenë bari i deleve të fisit Beni Sa’d dhe banorëve të Mekës. [17]

Në moshën njëzet e pesë vjeç shkon në Sham si tregtar me mallin e tregtares së njohur mekase, Hatixhes, r.a.

Ibni Is’haku shënon: “Hatixhja, vajza e Huvejlidit ka qenë tregtare e njohur dhe e ndershme. Ajo i punësonte tregtarët të cilët punonin me pasu­rinë e saj dhe rregullisht, në mënyrë të zellshme ua paguante fitimin. Përndryshe kurejshitët kanë qenë tregtarë të njohur.

Kur Hatixhja dëgjon për Resulull-llahun a.s. posaçërisht se është i sinqertë, i besueshëm dhe me sjellje fisnike, dërgon që ta thërrasin. Kur Resulull-llahu a.s. paraqitet para saj, ajo i ofron të kujdeset për tregtinë e saj në Sham, e për këtë do të jetë i shpërblyer më mirë se të gjithë të tjerët para tij. Gjithashtu me të do ta dërgonte shërbyesin e saj Mejserin. Resu­lull-llahu a.s. pranon këtë ofertë dhe menjëherë niset me Mejserin dhe karvanin për në Sham.[18]

Martesa me Hatixhen

Kur u kthye Resulull-llahu a.s. në Mekë, Hatixhja u befasohet shumë me suksesin e arritur në tregti. Mejseri i tregon për bujarinë dhe besnikërinë e Resulull-llahut a.s. dhe i thotë se kjo ka qenë një nga shkaqet e fitimit të madh. Hatixhja njëkohësisht qe e kënaqur dhe e befasuar. Ishte e vejë dhe gjer atëherë e kishin kërkuar shumë pasanikë të njohur, zotë­rinjtë e Mekës, por ajo i kishte refuzuar, sepse dëshi­ronte t’i përkushtohej vetëm tregtisë. Por, atë që ndjeu ndaj Resulull-llahut a.s. nuk mundi ta fshihte prej shoqes së vet Nefises, bijës së Menijjetit. Nefiseja nuk heshti për këtë por drejtpërdrejtë vajti tek Resulull-llahu a.s. dhe i tha haptazi që të martohet me Hatixhen. Ai u pajtua me këtë dhe bisedoi me xhaxhallarët e vet, të cilët pajtohen dhe me anë të ungjit të Hatixhes i fejojnë. Menjëherë pas fejesës u bë edhe martesa. Në aktin e kurorëzimit ishin të pranishëm Benu Hashimitët dhe paria e Medarve. Kjo ndodhi vetëm dy muaj pas kthimit të tij nga Shami, kurse versioni më i saktë është pas njëzet ditësh. Hatixhja atë­herë ishte dyzet vjeç. Në atë kohë ishte gruaja më e dalluar e Mekës, sipas origjinës, pasurisë dhe mendjemprehtësisë. Kjo është gruaja e parë me të cilën është martuar Resulull-llahu a.s. dhe gjatë jetës së saj nuk ka pasur tjetër grua.[19]

Hatixhja i ka lindur të gjithë fëmijët e Resulull-llahut a.s. përveç Ibrahimit. Më së pari u lind Kasimi, sipas të cilit e kanë quajtur Resu­lull-llahun a.s. Ebu Kasim. Pastaj është lindur Zejnebja dhe Rukija, mandej Ummu Kulthum dhe Fatimja, e pastaj djali Abdullahu të cilin e kanë quajtur i “Miri” dhe i “Pastërti”. Djemtë i kanë vdekur në djalëri kurse të gjitha vajzat kanë përjetuar Islamin dhe Shpalljen, dhe janë bërë mysli­mane, muhaxhire. “Muhaxhire” do të thotë se të gjitha janë shpërngulur nga Meka në Medinë, përkatësisht, kanë bërë hixhretin. Megjithatë, të gjitha vajzat i kanë vdekur gjatë jetës së Resulull-llahut a.s. përveç Fatimes, r.a., e cila vdes gjashtë muaj pas babait të vet.[20]

Ndërtimi i Ka’bes dhe ndodhia e gjykimit

Kur Resulull-llahu a.s. ishte tridhjetë e pesë vjeç, kurejshitët ven­do­sën të ndërtojnë Ka’ben e cila gjer atëherë ishte një grumbull gurësh në një truall pak sa të ngritur. Ishte e lartë nëntë arshin që nga koha e Ismailit a.s. Nuk kishte kulm, andaj disa vjedhës e kishin vjedhur një arkë me ari e cila gjendej asokohe brenda këtij grumbulli. Për shkak të traditës së vet dhe vlerës së madhe historike, si dhe theme­let të cilat i ka vënë Ibrahimi a.s. Ka’ben gjithnjë e kanë vizituar të gjithë kalimtarët e Mekës. Ngjante që shumë prej tyre të merrnin me vete nga një copë dhe apo gur si simbol shenjtërie dhe bereqeti. Pesë vjet para pejgamber­llëkut të Resulull-llahut a.s. Ka’ben e kaplon përmbytja pas shpërthimit së pendës Arem. Kurejshitët u frikësuan sepse Ka’bja ishte gati të rrënohej, andaj vendosën ta rindërtojnë duke i ruajtur themelet dhe ven­din e saj të mëparshëm. Vendosën që ta ndërtojnë vetëm me pasurinë e fituar në mënyrë të ndershme – pa përzierje të kamatës, ryshfetit, të hollave të vjedhura dhe të plaçkitura. Ata frikësoheshin t’i rrëzojnë mbeturinat ekzistuese të Ka’bes. Këtë e filloi El-Velid b. Mugire El-Mahzumi, e të tjerët pas tij pasi që, gjatë spastrimit këtij nuk i ndodhi asgjë e keqe. E rrëzuan gjer në themel tërë atë që kishte ndërtuar Ibra­himi a.s. E përpiluan edhe planin e ndërtimit të Ka’bes. Çdo fisi i caktuan se sa do të sjellte gurë dhe cilën pjesë të murit do ta ndërtonte, kështu që të gjithë të jenë pjesëmarrës në ndërtim. E sollën një ndërtues Romak, të quajtur Bakum, dhe ndërtimi shkonte sipas planit gjersa nuk erdhën në lartësi të vendit ku duhej vendosur Haxherul-esvedin (Gurin e Zi). Çdo fis e konsideronte vetën të privilegjuar që këtë punë të ndershme ta bënte ndonjëri prej tyre. Grindja mes tyre zgjati katër apo pesë ditë dhe kanosej rreziku që të shpërthente përleshje e përgjakshme rreth tempullit të Shenjtë në tokën e Shenjtë. Në tërë këtë tollovi më i maturi ishte Ebu Umejje b. El-Mugire El-Mahzumi, i cili jep këtë propozim: personi i parë, i cili paraqitet në dyert e Haremit të Ka’bes le ta zgjedh këtë problem dhe le të vendos.

All-llahun xh.sh. ka dashur që ky person të jetë Resulull-llahu a.s. Kur e panë brohoritën: “El-Emini, El-Emini (sepse ka qenë i njohur me këtë ofiq, që në përkthim do të thotë: i besueshëm, besnik), jemi të kënaqur që ky të vendos, ky është Muhammedi!”

Kur u afrua Resulull-llahu a.s. më afër, ata ia parashtruan çështjen dhe kërkuan zgjidhje nga ai. Resulull-llahu a.s. kishte zgjidhje: Ai kër­koi një copë pëlhurë, e shtriu në tokë dhe mes e vuri “gurin e Shenjtë”, pastaj u tha kryeparëve të fiseve të ngatërruara të afrohen, ta kapin nga një kind të pëlhurës dhe të gjithë së bashku ta ngrisin “gurin e Shenjtë” gjer tek vendi ku do të vendosej. Pastaj Resulull-llahu a.s. e mori atë me duar të veta dhe e vuri ku duhet. Ky ka qenë veprim i mirë me të cilin ishin të kënaqur të gjitha palët.

Kurejshitëve iu harxhohet pasuria e pastër – hallall për ndërtim, andaj nga ana veriore e ndërtuan murin në lartësi prej gjashtë arshinëve, sot i quajtur muri-Hatim apo muri i Gurit. Në këtë mur e bënë derën dhe e ngritën nga toka që të mos mund të hyjë në Ka’be kush të dojë, por vetëm ai, të cilit i lejohet. Kur ndërtimi i Ka’bes arrinë lartësinë pesëm­bëdhjetë arshin, e bëjnë plafonin të mbështetur në gjashtë shtylla. Me këtë ndërtim Ka’bja merr trajtën e vet katrore më përmasa përafërsisht të njëjta: Lartësia është përafërsisht pesëmbëdhjetë metra, gjatësia e murit në të cilin është Haxherul-esvedi është dhjetë metra, sikurse edhe muri tjetër kundruall këtij. Guri gjendet në lartësi prej 1,5 m. nga fundamenti ku bëhet tavafi. Muri ballor në të cilin gjendet dera, është i gjatë dymbëdhjetë metra sikurse edhe ai kundruall tij. Dera e Ka’bes është vendosur dy metra në lartësi nga toka. Nga ana e jashtme Ka’ben e rrethon rrethi prej gurëve në lartësi njëzet e pesë centimetra e në gjerësi tridhjetë centimetra. Këto janë, në realitet, blloqe gurësh nga godina e parë, e që janë ruajtur në këtë mënyrë.[21]

Jetëshkrimi i shkurtër para pejgamberllëkut

Resulull-llahu a.s. në rininë e vet ka qenë i prirur me virtyte më të mira që mund t’i posedojnë njerëzit. Ka pasur një koeficient të lartë inteligjence që është shprehur në çdo lëvizje të tij, ose në çdo iniciativë të tij. Nuk ka pasur dëshirë të fliste shumë. E kishte andje vetmimin (veçi­min), që e praktikonte në momentet e meditimit dhe hulumtimit për drejtësi dhe për të gjitha ato gjëra që janë të arritshme për mendjen e njeriut. Meditonte për natyrën, bukuritë e saja, ligjet e natyrës, pastaj për njeriun si individ dhe si pjesëtar të shoqërisë. Pastaj mendonte për besimin, ç’është ajo që besonte populli i tij, kujt ose çkafit i përkulej dhe i lutej, përse merreshin me herezi, me magjira (shorte, falle) etj. Nëse vërente se diku punohej mirë, atëherë edhe ai ngarendte në ndih­më, ndërsa nga veprat e këqija largohej. Nuk pinte alkool, nuk e hante mishin e kafshës të therur në altar, nuk i festonte festat e idhujve. Ka qenë i pari që ikte nga shirku apo politeizmi. Nuk duronte dot kur dikush bënte be me idhujt Latin dhe Uzatin. Nuk ka dyshim se Resu­lull-llahun a.s. e ka ruajtur përcaktimi i All-llahut xh.sh. Nëse ndodhte që te ai të zgjohet ndonjë ves i keq njerëzor, ose të niset pas ndonjë zakoni të padenjë për te, atëherë paraqitej kujdesi Hyjnor që ta ruante nga çdo gjë që nuk vyen.

Ibni Ethiri rrëfen: “Resulull-llahu a.s. ka thënë: “Kurrë nuk kam qenë i interesuar të bëj atë që bënin arabët paraislamik, përveçse në dy raste, e nga të dyjat All-llahu xh.sh. më ka nxjerr nga situata. Pastaj kjo nuk më ka ndodhur gjer në fillim të Shpalljes me të cilën All-llahu xh.sh. më ka nderuar. Një mbrëmje i thashë një djaloshi, i cili ruante delet me mua në kodrat e Mekës: “A dëshiron të kujdesesh për delet e mia, e unë të shkoj në aheng në qytet, sikur edhe djelmoshat tjerë?” U përgjigj po. Unë u nisa, dhe kur mbërrijta tek shtëpia e parë në Mekë, dëgjova muzikën, e pyeta: “Ç’është kjo?” Ata mu përgjigjën: “Martohen dy të rinj.” U ula të dëgjoj, e All-llahu xh.sh. mi mbylli veshët e unë fjeta. Në mëngjes më zgjoi nxehtësia e diellit dhe u ktheva tek djaloshi, i cili më pyeti se si kisha kaluar? Unë i tregova, e pastaj vendosa që edhe natën e dytë të veproj kështu. Kur në mbrëmje hyra në Mekë, më ndodhi sikurse natën e kaluar. Pas kësaj ndodhie më nuk lejova të më okupoj e keqja.”[22]

Transmeton Buhariu nga Xhabir b. Abdullahu i cili thotë: “Kur është ndërtuar Ka’bja, Resulull-llahu a.s. dhe Abbasi kanë shkuar të bartin gurë. Abbasi i thotë Resulull-llahut a.s.: “Vëre petkun (izarin – pjesën e posht­me) tënd në qafë që të mos rrjepet lëkura nga gurtë.” Resulull-llahu a.s. u gjunjëzua, i ngriti sytë kah qielli, pastaj u ngrit e tha: “Izari im, izari im” dhe e shtrëngoi petkun rreth veti.”[23] Në versio­nin tjetër të hadithit qëndron: “Pas kësaj kurrë më nuk është dukur ndonjë pjesë e turpshme e trupit të tij.”[24]

Resulull-llahu a.s. është shquar në fisin e vet me gjuhë të bukur, sjellje të mirë dhe me virtyte fisnike. Nga pamja ka qenë më i bukuri në fis, dhe me ahlak – moral më të bukur. Ka poseduar butësi, përzemërsi. Gjithnjë e ka folur vetëm të vërtetën. E plotësonte çdo premtim ndërsa amanetin e besuar e ruante. Populli i vet e quante El-Emin, ndërsa për të ka thanë nëna e të gjithë besimtarëve, Hatixhja r.a.: “Bartë përsos­mëri, e përfiton (ngushëllon) të humburin, e gostit mysafirin dhe ndih­mon në brenga.”[25]


[1] Libri shkollor: Historia e popujve islam nga El-Hudariu: I/62; Rahmetun li-l-Alemin: I/38, 39 (data kontestuese: më 9 apo 12.

[2] Muhtesar Siretu-r-Resul, profesor Abdullah En-Nexhdit, f. 13, dhe Ibni Sead: I/23 (ose 33).

[3] Historia e popujve islam: I/62.

[4] Fikhu-s-Sira nga Gazaliu, f. 460.

[5] Ibni Hisham: I/159, 160. Historia e popujve islam nga El-Hudariu: I/62. Ekzistojnë disa mendime se Muhammedi a.s. ka lindur i synetuar. Zadul-Miad: I/18. Telkih, f. 4.

[6] Telkih Fuhumi ehli-l-Ether, f. 4. Muhtesar Siretu-r-Resul nga Abdullah En-Nexhdi, f. 13.

[7] Ibni Hisham: I/162-164. Ky është mendim i shumicës autorëve të Sires. Ibni Is’haku konsideron se tek Halimja ka shkuar tre vjeç. Shiko Ibni Hisham: I/92.

[8] Sahih Muslim, kaptina El-Isra: I/92.

[9] Telkihu Fuhumi ehli-l-ether, f. 7, Ibni Hisham: I/168.

[10] Telkih Fuhumi l-ether, f. 7; Ibni Hisham: I/168.

[11] Telkih Fuhumi ehli-l-Ether, f. 7; Ibni Hisham: I/168

[12] Telkih Fuhumi ehli-l-ether nga Xhevzi, f. 5; Ibni Hisham: I/169

[13] Muhtesar Sireti-Resul, En-Nexhdi, f. 46. Ibni Hisham: /180-183 Tek Tir­midhiu dhe tek disa të tjerë qëndron se e ka kthyer me Bilallin, por kjo gjithsesi është gabim sepse Bilalli atëherë nuk ka qenë i pranishëm, e edhe nëse ka qenë gjallë, nuk ka mund të jetë së bashku me Ebi Talibin, e as me Ebu Bekrin; Zadul-Miad: I/17

[14] Ibni Hisham: I/184-187; Kalbu xhezireti-l-Arebi, f. 260. Historia e popujve mysliman I/63.

[15] Ibni Hisham: I/113, 135. Muhtesar Siretu Resulull-llah nga Nexhdi, f. 30, 31.

[16] Muhtesar Siretu-r-Resul nga En-Nexhdi, f. 30, 31.

[17] Ibni Hisham: I/166.

[18] Ibni Hisham: I/187, 188.

[19] Ibni Hisham: I/189-190; Fikhu-s-Sira nga M. Gazaliu, f. 59; Telkihu Fuhumi ehli-l-Ether, f. 7.

[20] Ibni Hisham: I/190-191; Fikhu-s-Sira, f. 60; Fet’hu-l-Bari: VII/507.

[21] Ibni Hisham: XII/192-197; Fikhu-s-Sira nga Gazaliu, f. 62, 63; Sahihu-l-Buhari: I/215; Historia e popujve islam: I/64, 65.

[22] Ekziston mospajtim rreth asaj se a është ky hadith sahih. Hakimi dhe Zehebi e njehin në sahih, ndërsa Kethiri në Daif. Shih: El-Bidajetu ve-n-nihajetu: II/287.

[23] Sahihu-l-Buhari – kaptina mbi ndërtimin e Ka’bes: I/540.

[24] Vepra e njëjtë krahas me shpjegimin e Kastalanit.

[25] Sahihu-l-Buhari: I/3.

Shkeputur nga libri “Nektari i vulosur i Xhenetit”