Dauti a.s ishte djali i Ejsha dhe rridhte nga familja e Jehodhas, djalit të Jakubit a.s. Kështu, shohim që pushteti politik u kthye sërish tek familja e Jehodhas. Historianët e përshkuajnë Dautin a.s:"Ai ishte i shkurtër, me sy blu, me flokë të rrallë, i dëlirë në zemër." Pushteti në kohën e Dautit a.s u forcua shumë dhe hebrenjtë i bindeshin.
 
Zoti i dha shumë mrekulli dhe i shpalli librin e shenjtë Zeburin. "dhe Dautin, i dhamë Zeburin." (Nisa, 163) Dauti a.s kishte një zë shumë të bukur, saqë thuhet se askush tjetër nuk ka gëzuar zë të bukur si Dauti a.s. Në një hadith të transmetuar nga imam Ahmedi, por sipas kritereve të imam Buhariut dhe Muslimit, profeti Muhamed a.s dëgjon një ditë Ebu Musa El-esh'ari duke lexuar Kuran.
 
 
Profeti a.s qëndroi duke e dëgjuar dhe në fund i tha:"Ebu Musait i është dhënë një zë melodioz si ato të Daudit a.s." Kjo ishte një karakteristikë dalluese e Dautit a.s, sidomos kur lexonte Zeburin. Sa herë që ulej dhe lexonte nga libri i shenjtë, dëgjohej jehona e maleve që e shoqëronte zërin e Dautit a.s. Kurse zogjtë i qëndronin sipër duke dëgjuar leximin e Zeburit. Me të vërtetë, Ne i dhamë Daudit mirësi prej Nesh (dhe thamë): "O male dhe zogj! Lavdërojeni emrin Tim bashkë me Daudin”. (Sebe, 10) Ne i nënshtruam malet dhe shpendët që, bashkë me Dautin, të thurnin lavde (për Allahun). Ishim Ne që i bënim këto." (Enbija, 79) "Ne ia nënshtruam malet që, bashkë me të, t’i luteshin Allahut, në mbrëmje dhe në mëngjes, edhe shpendët e tubuar.
 
 
Të gjithë i drejtoheshin Atij." (Sad, 18-19) Një mrekulli tjetër që i kishte falur Zoti ishte se hekurit i jepte formë siç i jepshin njerëzit e tjerë formë baltës dhe parafinës. Këtë zotësi ai e përdorte për prodhimin e parzmoreve dhe mburojave. Ai arriti të prodhojë parzmore që nuk ekzistonin më parë. Parzmoret e atëherëshme, ishin pllaka hekuri që viheshin mbi trupin e luftëtarit. Edhe pse e mbronin trupin e luftëtarit, ky lloj parzmoreje ishte shumë i rëndë dhe e pengonte lëvizjen. Dauti a.s shpiku një lloj parzmoreje tjetër, e cila përbëhej nga hallka zinxhiri të vogla, të cilat mbulonin trupin dhe që kryenin të njëjtin funksion.
 
 
Kjo përmendet dhe në Kuran, ku Zoti i lartësuar thotë: "Ne ia zbutëm atij hekurin, (dhe i thamë): "Puno parzmore të gjera! Thuri ato me maja të barazpeshuara dhe bëj vepra të mira! Pa dyshim, Unë shoh çfarë punoni ju.” (Sebe, 10-11) "Ne i mësuam atij (Dautit) punimin e parzmoreve prej hekuri për ju, për t’ju mbrojtur në luftë me armikun, andaj, a jeni mirënjohës?" (Enbija, 80) Kështu, shohim që profetët e Zotit kanë kontributin e tyre në ndërtimin e civilizimeve. Përpunimi i hekurit mori një zhvillim të madh në kohën e profetit Daut a.s.
 
 
Mbretëria dhe pushteti politik në kohën e Dautit a.s u konsolidua si asnjëherë tjetër. Gjatë gjithë kohës hebrenjtë kanë vuajtur, pasi pushteti politik ishte i përçarë dhe plot probleme. "Ne ia forcuam mbretërinë dhe i dhamë mençuri e dijeni për të gjykuar." (Sad, 20) Dauti a.s përveçse ishte profet i Zotit, ishte mbret dhe gjithashtu gjykatës i drejtë. Zoti e kishte pajisur me intuitë dhe urtësi, të cilat i mundësonin gjykime racionale dhe të drejta. Lidhur me gjykimet e tij racionale, ekzistojnë shumë raste të cilat e dëshmojnë këtë. Një ndër këto është dhe ajo që përmendet në Kuranin famëlartë. Dauti a.s kishte një pallat në të cilin lutej, i përgjërohej dhe adhuronte Zotin.
 
 
Në këtë pallat nuk hynte askush tjetër përveç tij. Një natë, teksa kishte mbyllur dyert e pallatit dhe adhuronte Zotin, dy persona kishin arritur t'i kalojnë muret e pallatit dhe i hynë brenda. Në një transmetim tjetër, thuhet se ata ishin dy melekë në formë njeriu, të cilët kishin ardhur të vënë në provë Dautin a.s. "A e ke dëgjuar historinë e dy kundërshtarëve, që hipën mbi murin e faltores së tij? Kur hynë te Daudi, ai u frikësua prej tyre. Ata thanë: "Mos u frikëso! Ne jemi dy kundërshtarë, një nga të cilët i ka bërë padrejtësi tjetrit, prandaj gjyko me drejtësi dhe mos u shmang (prej së vërtetës), por na udhëzo në rrugë të drejtë”. (Njëri prej tyre tha:) "Ky është vëllai im.
 
 
Ai ka nëntëdhjetë e nëntë dele, kurse unë kam vetëm një dele, andaj më tha: "Ma jep mua atë!” - dhe më mundi me fjalë.” (Sad, 21-23) Lidhur me këtë çështje, librat e tefsirit janë të mbushur me interpretime nga më të ndryshmet. Shumë dijetarë, të ndikuar nga rrëfenjat izraelite, delet e lartpërmendura i kanë interpretuar me gratë e Dautit a.s. Sipas tyre, Dauti a.s kishte nëntëdhjetë e nëntë gra dhe kur pa sa e bukur ishte gruaja e komandantit të tij, e lakomoi dhe e dëshiroi për vete. Për t'ia arritur qëllimit, ai e dërgonte komandantin në luftra të njëpasnjëshme me shpresë se mos mbetet i vrarë, por ai kthehej nga secila fitimtar. Në fund, Dauti a.s arrin ta heqë qafe komandantin dhe martohet me gruan e tij. E gjitha kjo është diçka shumë e ulët që nuk mund të thuhet për një nga besimtarët më të rëndomtë, e jo më për një nga profetët e zgjedhur të Zotit.
 
 
 Një çështje e tillë iu paraqit profetit Daut a.s thjesht si një test, për të vënë në provë gjykimin e tij. Në gjuhën arabe, gruaja kurrë nuk quhet dele as edhe lopë, siç e interpretojnë shiat ajetin"Allahu ju urdhëron të therni një lopë!” (Bekare, 67) që Allahu i urdhëronte të therrin Aishen, gruan e Profetit a.s. Po, poetët arabë, për të përshkruar bukurinë e gruas përdorin drenushën, por kurrë delen apo lopën. Gjykimi i Dautit a.s ishte: "Daudi tha: "Vërtet, ai të ka bërë padrejtësi që të ka kërkuar delen tënde të vetme, për ta bashkuar me delet e veta. Shumë bashkëpronarë i bëjnë padrejtësi njëri-tjetrit, përveç atyre që besojnë dhe bëjnë punë të mira, por ata janë pak”. (Sad, 24) Shohim që ky gjykim i Dautit a.s ishte i nxituar, pasi gjykoi pa e dëgjuar palën e akuzuar. Sipas transmetimit se dy burrat ishin melekë, ata të dy u zhdukën menjëheë pas këtij gjykimi.
 
 
Kurse sipas transmetimit se ishin dy njerëz normalë, thuhet se i akuzuara ia tërhoqi vëmendjen që t'i dëgjojë dhe faktet e tij para se të gjykojë. Dauti a.s e kuptoi se ky ishte një test dhe provë nga ana e Zotit dhe menjëherë kërkoi falje për gabimin. "Daudi e kuptoi, se në të vërtetë Ne e kishim vënë në provë atë, prandaj kërkoi falje nga Zoti i vet, ra në gjunjë dhe u përul, duke u penduar." (Sad, 24) Kjo është tradita e njerëzve të ndershëm dhe të mirë, me ta kuptuar gabimin, kërkojnë falje. "Pastaj, Ne ia falëm këtë e ai te Ne do të jetë i afërt dhe do të ketë strehim të mirë (në jetën tjetër)." (Sad, 25) Më pas, Zoti i lartësuar i thotë: "O Daud, Ne të kemi bërë mëkëmbës në Tokë, prandaj gjyko ndërmjet njerëzve me drejtësi dhe mos shko pas dëshirave dhe tekave, se ato të largojnë nga rruga e Allahut!
 
 
Me të vërtetë, për ata që largohen nga rruga e Allahut, ka dënim të ashpër, ngaqë e kanë harruar Ditën e Llogarisë.” (Sad, 26) Adhurimi i Dautit a.s. Dauti a.s njihet si adhuruesi më i madh i Zotit. Kjo ceket në një hadith të saktë të transmetuar nga imam Buhariu dhe Muslimi, ku Profeti a.s thotë:"Namazi (i natës) më i dashur tek Zoti është namazi i Dautit a.s. Po ashtu, agjërimi më i dashur tek Zoti është ai i Dautit. Ai flinte deri në mesnatë, pastaj zgjohej dhe falej gjatë 1/3 së natës dhe sërish kthehej dhe flinte 1/3 e mbetur. Ai agjëronte një ditë dhe hante ditën tjetër. Kur hynte në luftë, nuk dinte të kthejë shpinën." Një tipar tjetër dallues i Dautit a.s ishte mirënjohja.
 
 
Këtë e cek vetë Zoti në Kuran ku thotë: "O familje e Daudit! Bëni falënderim (për Allahun)!” Megjithatë, pak nga robërit e Mi, janë falënderues." (Sebe, 13) Vdekja e Dautit a.s Atij i erdhi vdekja pasi kishte mbushur njëqind vjeç. Lidhur me jetëgjatësinë e tij, ne kemi folur dhe në historinë e Ademit a.s kur Zoti i nxorri nga shpina të gjithë pasardhësit e tij. Ademi a.s sheh një burrë nga pasardhësit e tij, tek i cili i pëqeu drita mes syve. I habitur, ai e pyeti Zoti:"O Zoti im! Kush është ky?" Zoti iu përgjigj:"Ky është një burrë nga gjeneratat e fundit të pasardhësve të tu. Emri i tij është Daud." Ademi a.s e pyeti:"O Zoti im! Sa jetë i ke dhënë këtij personi?" Zoti u përgjigj:"Gjashtëdhjetë vite." Ademi a.s i tha:"O Zoti im! Merri gjashtëdhjetë vite nga jeta ime dhe jepja atij!" dhe Zoti ia plotësoi këtë dëshirë." Në një hadith të saktë, thuhet se Dauti a.s ishte shumë xheloz për gratë e tij. Pallati ku jetonin gratë e tij ishte rrethuar me mure të pakalueshëm.
 
 
 Një ditë, gratë e tij panë një burrë në mesin e oborrit. Të çuditura thanë:"Kush është ky person?! Për Zotin, sikur ta shohë Dauti do e vrasë menjëherë." Ky lajm i arriti Dautit a.s i cili doli dhe e pyeti:"Kush qenke ti që ke kaluar gjithë këto mure?!" Burri iu përgjigj:"Unë jam ai që nuk njoh pengesa për të arritur objektivin tim." Dauti a.s e njohu dhe i tha:"Atëherë qenke meleku i vdekjes. Prandaj afrohu dhe merrma shpirtin!" Kështu meleku i vdekjes ia mori shpirtin profetit Daut a.s. Atë e varrosi vetë djali i tij Sulejmani a.s në Jeruzalem. Transmeton imam Ahmedi në musnedin e tij, se Ebu Hurejre e ka dëgjuar Profetin a.s të thotë:"Dauti ishte shumë xheloz për gratë e tij.
 
 
Sa herë që dilte jashtë, i kyçte dyer dhe askush nuk hynte tek to derisa të kthehej ai vetë. Një ditë ai doli dhe i kyçi dyer. Gruaja e tij doli në oborr dhe dalloi një burrë dhe e çuditur tha:"Nga ka hyrë ky burrë në oborrin tonë?! Për Zotin nëse e sheh Dauti do e vrasë!" Dauti a.s erdhi me një frymë dhe iu drejtua burrit që qëndronte në mes të oborrit:"Kush je ti?!" Ai u përgjigj:"Unë jam ai që nuk i frikësohem mbretërve dhe nuk ka pengesë që më ndalon." Dauti a.s i tha:"Për Zotin, ti qenke meleku i vdekjes atëherë. Unë e mirëpres urdhërin e Zotit." Pasi e lanë xhenazen e tij dhe e qefinosën, lindi dielli.
 
 
Sulejmani a.s u tha zogjve:"I bëni hije Dautit!" dhe menjëherë zogjtë u rreshtuan mbi kokat e tyre duke u bërë hije atyre që kishin ardhur për të falur xhenazen e Dautit a.s. Njerëzit filluan të ankohen nga zagushia dhe ajri i pakët për shkak të shpendëve të shumtë. Atëherë Sulejmani a.s i urdhëroi zogjtë që të përplasin vetëm njërin krah." (Imam Ahmedi)


Pas vdekjes së Dautit a.s, menjëherë në fron erdhi djali i tij Sulejmani a.s. "Sulejmani e trashëgoi Daudin (në misionin e tij profetik)" (Neml, 16) Ajo që trashëgoi Sulejmani a.s nga babai i tij Dauti a.s nuk është pasuria, por dijet dhe profecia.
 
Profeti Muhamed a.s thotë në një hadith:"Ne bashkësia e profetëve nuk lëmë trashëgimi. Gjithçka e jona jepet sadaka." Me të marrë pushtetin politik dhe fetar në dorë, Sulejmanit a.s filluan t'i shfaqen mrekulli që nuk i kishte më parë. Një nga këto mrekulli, është se ai dinte gjuhën e shpezëve. Thotë Zoti në Kuran lidhur me këtë:"O populli im! Neve na është mësuar gjuha e shpendëve dhe na është dhënë gjithçka.
 
 
 Kjo është vërtet dhunti e madhe” (Neml, 16) Ai kishte aftësi të kuptojë gjuhën e shpendëve dhe bisedonte me to lirshëm. Zoti e shndërroi Sulejmanin a.s në mbretin më të madh që ka parë historia mbi tokë. Askush para dhe askush pas tij nuk ka gëzuar dhe nuk do të gëzojë pushtet aq të madh. Ai konsiderohet mbreti më i fuqishëm i të gjithë kohërave. Askujt tjetër më parë dhe askujt tjetër pas tij nuk i janë nënshtruar xhindët. Të gjithë xhindët punonin dhe i ishin nënshtruar Sulejmanit. "(Gjithashtu ia nënshtruam) edhe djajtë, ndërmjet të cilëve kishte ndërtues dhe zhytës në ujë, si dhe të tjerë të lidhur në pranga." (Sad, 37-38) Xhindët, ashtu siç janë fise dhe kombe të ndryshme, kanë dhe zanate dhe profesione të ndryshme. Nëse ndonjë nga xhindët rebelohej dhe nuk i bindej, Sulejmani a.s kishte aftësi që t'i burgosë dhe lidhë në pranga.
 
 
Me një palë pranga, ai lidhte dy xhinde. "(Ne i thamë): "Kjo është dhurata Jonë për ty, prandaj jep lirisht ose mos jep gjë prej saj, sepse nuk do të kesh kurrfarë llogarie për këtë!" (Sad, 39) "dhe xhinde që i bëmë të punonin para syve të tij, me urdhrin e Zotit të tij. Këdo prej tyre që largohet nga urdhri ynë, do ta bëjmë që të shijojë dënimin e Zjarrit. Ata punonin për atë çfarë të dëshironte: faltore dhe statuja, - në ligjin e Sulejmanit a.s prodhimi dhe përdorimi i statujave ishte i lejuar - enë të gjera si puse dhe kazanë të mëdhenj të palëvizshëm." (Sebe, 12-13) Lidhur me enët që prodhonin, thuhet se disa prej tyre ishin sa një pallat i madh.
 
 
Në to, punëtorët gatuanin për njerëzit e vobektë dhe papërkrahje. E gjitha kjo ishte dhunti dhe mirësi e Zotit. "Dhe (ia nënshtruam atij) disa nga djajtë që zhyteshin në det për të, (duke nxjerrë xhevahire) dhe bënin edhe punë të tjera dhe Ne i ruanim ata (që të mos i bënin dëm)." (Enbija, 82) Sulejmani a.s kishte xhinde dhe djaj të cilët nuk kishin asnjë funksion tjetër përveçse të zhyteshin në det dhe që andej të nxirrnin thesare dhe gurë të çmuar. Një mrekulli tjetër që Zoti ia kishte dhënë është dhe kontrolli që ushtronte mbi erën. Thotë Zoti në Kuran:"Pastaj, Ne ia nënshtruam atij erën që të frynte me urdhrin e tij, andej nga të donte ai." (Sad, 36) Nëse dëshironte Sulejmani të bjerë shi në një tokë të caktuar, urdhëronte erën e cila çonte retë në atë vend dhe binte shi.
 
 
Ai nuk kontrollonte vetëm erën që sillte shiun, por edhe erën që sjell stuhi. "Sulejmanit i dhamë erën e fortë, që të fryjë sipas urdhrit të tij, drejt tokës, të cilën Ne e kemi bekuar; Ne jemi të Dijshëm për çdo gjë." (Enbija, 81) Ai e përdorte erën për t'u transferuar me ushtritë e tij nga një vend në një tjetër. Kur dëshironte të nisej me ushtrinë në luftë, ai dhe ushtria vendoseshin në një platformë të konsiderueshme dërrase, pastaj urdhëronte erën ta ngrejë platformën dhe ta dërgojë në vendin e duhur. Distancën që ushtritë e thjeshta e përshkonin për një muaj, Sulejmani a.s dhe ushtria e tij, me anë të erës e përshkonin për një paradite. Po kështu dhe kthimi bëhej për një pasdite.
 
 
Thotë Zoti në Kuran: "Sulejmanit Ne ia nënshtruam erën, me të cilën udhëtimin e një muaji ai e bënte brenda një paraditeje ose një pasditeje." (Sebe, 11) Nëse Dautit a.s i ishte mundësuar përpunimi pa lodhje i hekurit, Sulejmanit a.s Zoti i kishte falur një burim nga i cili buronte bakër i shkrirë. Thotë Zoti në Kuran: "Ne i dhamë atij një burim të rrjedhshëm bakri të shkrirë." (Sebe, 12) Këtë burim bakri, Sulejmani a.s e përdorte në prodhimin e sendeve që i duheshin në jetën e përditshme. Sulejmani a.s ishte shumë i dhënë pas kuajve dhe kishte blerë shumë syresh. Raca më e pëlqyeshme e kuajve ishte ai që tre këmbët i mbante përtokë, kurse me këmbën e katërt qëndronte me majë të thundrës. Raca tjetër që pëlqente më shumë ishin kuajt e shpejtë.
 
 
 
Këto dy raca përbënin pjesën dërmuese të koleksionit të kuajve të Sulejmanit a.s. "Ne i falëm Daudit Sulejmanin, një rob të mrekullueshëm. Ai i drejtohej gjithnjë me pendesë Zotit! Kur një pasdite iu paraqitën kuajt këmbëshpejtë, ai tha: (Sad, 30-31) Siç ceket dhe në ajete, një ditë ai i nxori në paradë të gjithë kuajt e tij, numri i të cilave – sipas transmetimeve të ndryshme – arrinte në njëzet mijë syresh. Ngaqë ishte shumë i dhënë pas kuajve dhe numri i tyre ishte i madh, Sulejmani a.s harroi lutjet e tij të përditshme dhe leximin e Zeburit për atë ditë, derisa përfundoi dielli.
 
 
Kur u kujtua ai tha: "Unë shfaqa dashuri më të madhe për pasurinë (kuajt), sesa për lutjen ndaj Zotit tim, derisa dielli humbi mbas malit. M’i ktheni ata (kuajt)” - e pastaj nisi t’i presë me shpatë këmbët dhe qafat e tyre." (Sad, 32-33) Lidhur me interpretimin e ajetit të mësipërm kemi dy mendime: Mendimi i parë është se filloi t'i godasë me shpatë në qafë dhe në këmbë, të gjithë kuajt e tij të dashur. Kjo, me qëllim që të mos e angazhojnë herë tjetër ndaj obligimeve të Zotit. Mendimi i dytë është se ai filloi t'i lëmojë me dorë në qafë dhe këmbë, duke kontrolluar shëndetin e tyre, pasi do i përdorte shumë shpejt për në luftë. Duke pasur parasysh pushtetin dhe pasuritë e shumta, Zoti ia lejoi të martohej me shumë gra. Kështu, ai u martua me një mijë gra.
 
 
Një natë, ai u betua se do të flinte brenda një nate me shtatëdhjetë nga gratë e tij. Kjo përmendet në një hadith të saktë nga profeti Muhamed a.s, të transmetuar nga imam Buhariu. Thotë Profeti a.s:"Sulejmani tha:"Sonte do të fle me shtatëdhjetë gra, ku secila do më lindë një djalë që do luftojë në rrugën e Zotit." Por nuk tha:"Në dashtë Zoti." Ai fjeti me to, por vetëm njëra prej tyre mbeti shtatzënë dhe ajo lindi një gjysëm fëmijë (pa duar dhe këmbë). Betohem në Atë që ka shpirtin tim në duar, sikur të kishte thënë "Në dashtë Zoti" do i kishin lindur shtatëdhjetë djem që do të luftonin në rrugë të Zotit." "Ne e vumë në provë Sulejmanin dhe vendosëm në fronin e tij një trup, - një fëmijë pa duar dhe këmbë - por ai iu drejtua Zotit." (Sad, 34) Sulejmani a.s u pendua për haresën dhe më pas, për çdo gjë thonte "Në dashtë Zoti." Sulejmani a.s gjykatës.
 
 
Përveç privilegjeve që cekëm, Zoti e kishte nderuar Sulejmanin a.s me gjykim të mprehtë. Këtë privilegj dhe dhunti, Sulejmani a.s e gëzonte që gjatë jetës së babait të tij, Dautit a.s. Për të vërtetuar këtë, Zoti ka përmendur në Kuran një ndodhi, ku duket qartë gjykimi i mprehtë dhe i qëlluar i Sulejmanit a.s, edhe pse asokohe ishte vetëm dymbëdhjetë vjeç. Dy veta shkojnë tek Dauti a.s për t'u ndarë një çështje. Ata ishin komshinj dhe një natë, delet e njërit kishin shpëtuar nga stalla, kishin hyrë në ççifligun e komshiut dhe ia kishin ngrënë të gjithë të mbjellat. "(Kujtoje) edhe Dautin dhe Sulejmanin, kur gjykuan mbi të lashtat në të cilat kishin kullotur natën bagëtitë e disa njerëzve.
 
 
 
Ne ishim dëshmitarë të gjykimit të tyre." (Enbija, 78) Kur e dëgjoi këtë ndodhi, Dauti a.s gjykoi që delet që kishin dëmtuar të mbjellat, t'i jepeshin personit që i ishte shkaktuar dëmi. Kur dy burrat dolën jashtë, u takuan me Sulejmanin a.s i cili i pyeti mbi gjykimin e të atit dhe ata i treguan. Kur e dëgjoi këtë gjykim, ai u kërkoi ta ndiqnin dhe të tre vajtën tek Dauti a.s. Ai iu drejtua të atit me fjalët:"A nuk kishe gjykim më të drejtë o pejkamber i Zotit?!" Dauti a.s e pyeti:"E çfarë qenka më e drejtë?!" Sulejmani a.s iu përgjigj:"T'ia japësh delet pronarit të ççifligut që u dëmtua, kurse vetë ççifligun t'ia japësh padronit të deleve. Ai duhet ta mbjellë dhe në kohën kur të mbjellat të rriten aq sa ishin natën kur u dëmtuan, secili të marrë pronën e tij." Thotë Zoti i lartësuar mbi këtë gjykim:"Ne e bëmë Sulejmanin ta kuptonte drejtë çështjen dhe, që të dyve u dhamë mençuri e dituri. Ne i nënshtruam malet dhe shpendët që, bashkë me Dautin, të thurnin lavde (për Allahun).
 
 
 
Ishim Ne që i bënim këto." (Enbija, 79) Gjykimi i Dautit a.s nuk ishte i gabuar, por i Sulejmanit a.s ishte më i qëlluar. Në një hadith të transmetuar nga imam Buhariu, ceket një ndodhi tjetër e cila ka për objekt sërish mprehtësinë e Sulejmanit a.s në gjykim. Dy gra, secila kishin nga një foshnje. Teksa punonin, ujku e kishte shqyer foshnjen e gruas të madhe. Duke parë se fëmija i saj kishte vdekur, ajo kishte marrë foshnjen e gruas më të re dhe pretendonte se ishte fëmija i saj. Duke qenë se askush tjetër nuk e dinte kujt i përket fëmija, të dy gratë vajtën tek Dauti a.s. Duke qenë se fëmija ishte në krahët e gruas së madhe dhe e vogla nuk kishte asnjë fakt se ishte i saj, Dauti a.s gjykoi se fëmija i përket të madhes. Kur e dëgjoi këtë gjykim Sulejmani a.s, i kërkoi leje të atit që ta ndajë ai këtë çështje. Pasi Dauti a.s pranoi, ai iu drejtua dy grave:"Ma jepni foshnjen!" dhe ato ia dhanë.
 
 
Pastaj, mori një shpatë dhe u tha:"Tani do e ndaj përgjysmë dhe secila do të marrë gjysmën e saj." Menjëherë, gruaja e re që ishte dhe nëna e vërtetë e foshnjes thirri:"Jo mos e ndaj. Le ta marrë ajo." Atëherë Sulejmani a.s e kuptoi se ishte gruaja e re nëna e vërtetë dhe ia dha asaj foshnjen. Milingona Siç e cekëm dhe më lart, ushtria e Sulejmanit a.s ishte shumë e madhe dhe përbëhej nga krijesa të ndryshme dhe të fuqishme. "Kur arritën në Luginën e Milingonave, një milingonë tha: "O ju milingona, hyni në banesat tuaja, që të mos ju shkelë Sulejmani dhe ushtria e tij, duke mos ju parë”! Ushtria gjigande e Sulejmanit a.s ishte në udhëtim e sipër, ndërkohë që po kalonin pranë një vendbanimi milingonash. Një nga milingonat, dha sinjalin e alarmit se aty prannë tyre po kalonte ushtria e Sulejmanit a.s, e cila mund t'i shkelte milingonat. Dijetarët myslimanë thonë lidhur me këtë milingonë:"Ajo ishte shumë e mençur dhe gojëtare.
 
 
 
Në një fjali, ajo ka bashkuar mes pjesëzës thirore "O ju", urdhëresës "hyni", ndalesës "mos t'ju shkelë", emrit të përveçëm "Sulejmani", atij të përgjithshëm "ushtria e tij" dhe arsyetimit "duke mos ju parë". Diçka e tillë nuk i shpëtoi Sulejmanit a.s, i cili buzëqeshi dhe falenderoi Zotin për të mirat që i kishte dhënë. "Ai vuri buzën në gaz, duke qeshur me fjalët e saj dhe tha: "O Zoti im, më frymëzo që të jem mirënjohës për mirësitë që Ti më ke dhënë mua dhe prindërve të mi, dhe që të bëj vepra të mira, me të cilat Ti do të jesh i kënaqur. Më prano, me mëshirën Tënde, në gjirin e robërve të Tu të devotshëm!” Sulejmani a.s me Belkisën Kjo ndodhi, është një ndodhi e mbushur me vlera.
 
 
Ajo fillon me traditë të përditshme të Sulejmanit a.s, i cili para se të fillonte punët kontrollonte të gjithë ushtarët dhe punonjësit e tij. "Ai bëri kontrollin e shpendëve e tha: "Pse nuk e shoh pupëzën këtu, a nuk është e pranishme ajo? Nëse nuk do të më sjellë arsyetim bindës, do ta dënoj me dënim të rëndë ose do ta ther!” (Neml, 20-21) Me të ardhur pupëza, qëndroi pak si larg nga Sulejmani a.s dhe menjëherë foli dhe tha:"Nuk vonoi shumë e ajo erdhi dhe tha: "Kam marrë vesh diçka që ti nuk e ke ditur dhe të kam sjellë lajme të vërteta prej (qytetit të) Shebës. – Duket qartë se pupëza fliste pa ndroje dhe frikë, edhe pse fliste para mbretit më të fuqishëm që ka ekzistuar dhe do të ekzistojë ndonjëherë mbi faqen e tokës - Kam parë një grua (Belkisën)që sundonte popullin (e atij qyteti që ishte Jemeni).
 
 
Aja zotëronte çdo gjë dhe kishte një fron madhështor. Kam parë se ajo dhe populli i saj adhuronin Diellin e jo Allahun. Djalli ua paraqiste të bukura sjelljet e tyre, duke i larguar nga rruga e drejtë, prandaj nuk ishin të udhëzuar. Ata nuk i përuleshin në sexhde Allahut, i Cili nxjerr gjithçka që është e fshehur në qiej dhe në Tokë dhe di çfarë fshihni ju dhe çfarë tregoni haptazi. Allahu është Një, s’ka zot të vërtetë përveç Tij, Zotit të Arshit të madh!” (Neml, 22-26) Pupëza, nga të gjithë cilësitë e Zotit, përmendi dijen e Tij të gjerë, e cila i mundëson të ketë informacion mbi gjithçka të fshehtë në tokë dhe ne qiej.
 
 
Kjo cilësi i shkonte për shtat vetë pupëzës, pasi ajo zbulonte vendet ku uji gjendej më pranë sipërfaqes së tokës. Sa herë që sulejmanit i nevojitej ujë, ishte pupëza që e orientonte në vendet më të përshtatshme për të hapur puse. Fjalën e saj, pupëza e mbyll me Arshin (fronin) e Zotit dhe këtë e bën, pasi kishte përmendur në fillim fronin e Belkisës. Kjo, me qëllim që njeriu mos të mashtrohet nga madhështia dhe bukuria e fronit të Belkisës, pasi ai nuk vlen asnjë grosh në krahasim me Arshin e Allahut të lartësuar. "Sulejmani tha: "Do të shohim se a thua të vërtetën apo je gënjeshtar." (Neml, 27) Ai u habit nga gjithçka që i tregoi pupëza. Në atë kohë ishte e papranueshme që gruaja të udhëheqë një popull.
 
 
Veç kësaj, si ishte e mundur që adhuronin diellin dhe jo Zotin e diellit dhe të universit?! Si ishte e mundur që kjo grua të posedojë thesare dhe pasuri kaq të shumta, saqë froni i saj ia kishte marrë mendjen pupëzës së tij?! "Shko me këtë letër timen e çojua atyre. Pastaj largohu pak nga ata dhe shiko cila do të jetë përgjigjja e tyre!” (Neml, 28) Pupëza u nis menjëherë për udhëtim dhe me të arritur në Jemen, hyri në pallatin e Belkisës, ia hodhi letrën e Sulejmanit a.s pranë dhe qëndroi në ballkon për të dëgjuar se çfarë do të ndodhte. Pasi e gjeti letrën, Belkisa e lexoi dhe menjëherë mblodhi parinë e vendit. "Mbretëresha (e Shebës) tha: "O paria ime! Mua më ka ardhur një letër fisnike. Ajo është nga Sulejmani dhe është: "Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit! Mos u madhështoni para meje dhe ejani të përulur si besimtarë!" – përveçse u kërkonte t'i nënshtroheshin, Sulejmani a.s u kërkonte të përqafojnë dhe fenë e besimin e tij në një Zot të vetëm - Ajo tha: "O paria ime, më këshilloni se ç’duhet të bëj në këtë çështje!
 
 
 
Unë nuk do të vendos asgjë pa ju! Ata thanë: "Ne jemi shumë të fortë dhe luftëtarë të guximshëm, por urdhri të takon ty, andaj mendo mirë se ç’do të urdhërosh!” (Neml, 29-33) Populli dhe paria e Belkisës ishte njerëz të fuqishëm dhe të zgjuar. E tillë ishte dhe mbretëresha e tyre, gjë e cila duket nga fjalët e saj. Ishte pikërisht kjo zgjuarsi dhe mençuri që ia kishte mundësuar të mbajë pushtetin. "Ajo tha: "Njëmend, kur mbretërit pushtojnë ndonjë vendbanim, e rrënojnë atë dhe e poshtërojnë parinë e tij. Kështu veprojnë ata. ani do t’u dërgoj atyre një dhuratë dhe do të shoh me se do të kthehen të deleguarit.”(Neml, 34-35) Duke i dërguar Sulejmanit a.s një dhuratë të shtrenjtë, ajo e vinte atë në provë dhe njëkohësisht, të dërguarit e saj do të mblidhnin informacion të bollshëm lidhur me potencialin e tij ushtarak. Menjëherë, një delegacion i rëndësishëm dhe me plot dhurata të shtrenjta, nisen nga Jemeni për në Palestinë.
 
 
 
Kur arritën tek Sulejmani a.s, ata i thanë:"Ne nuk duam të dorëzohemi para teje, megjithatë të kemi sjellë këto dhurata nga mbretëresha jonë." Një sjellje e tillë e zemëroi Sulejmanin a.s i cili ua ktheu:"Kur erdhën (të deleguarit), Sulejmani tha: "A mos doni të më ndihmoni me pasuri?! Ajo që më ka dhënë Allahu, është më e mirë nga ajo që ju ka dhënë juve. Por ju gëzoheni me dhuratën tuaj. Kthehuni tek ata! Ne do të sjellim ushtri, të cilën nuk do të mund ta përballojnë ata dhe, me siguri, do t’i dëbojmë ata prej Shebës të poshtëruar dhe të përulur”. (Neml, 36-37) Delegacioni u kthye sërish në Shebë, ku u takuan me mbretëreshën e tyre të cilës i thanë:"Nuk ia vlen t'i rezistojmë një mbreti të tillë." Menjëherë, Belkisa i dërgoi një mesazh Sulejmanit a.s në të cilin i premtonte bindje.
 
 
 
Ndërkohë, Sulejmani a.s u thotë ushtarëve të tij "O parësi, kush prej jush do të më sjellë fronin e saj, para se ata të vijnë të dorëzuar?” Njëri nga xhindet – Ifriti -, tha: "Unë do të ta sjell ty para se të ngrihesh prej vendit; - nga kuvendi që zgjaste nga mëngjesi në drekë - unë për këtë jam i fuqishëm dhe i besueshëm”. Po ai që ishte i pajisur me dijen e Librit, tha: "Unë do të ta sjell ty sa çel e mbyll sytë”. - dijetarët kanë mendime të ndryshme mbi këtë person të pajisur me dije të Librit. Disa mendojnë se ai ishte një hebre, i cili gëzonte dije të thella nga Teurati dhe dinte cili është emri më i madh i Zotit, i cili nëse përmendet në një lutje, ajo pranohet. Disa dijetarë të tjerë mendojnë se ky person që ishte pajisur me dije nga Libri, ishte vetë Xhibrili a.s. Por mendimi i parë është më i pranueshëm -Kur (Sulejmani) e pa të vendosur para tij, tha: "Kjo është nga dhuntitë e Zotit tim, për të më provuar a jam mirënjohës apo mohues.
 
 
 
Kush falënderon, e bën për të mirën e vet e, kush mohon, (ta dijë se) Zoti im është i Vetëmjaftueshëm dhe Dhurues." (Neml, 38-40) Sa ngrit dhe uli shikimin Sulejmani, froni i Belkisës gjendej para syve të tij. Sulejmani a.s e kuptoi se ky ishte një test për të parë nëse do të ishte mirënjohës për të mirat që i kishte dhënë Zoti. Pas kësaj, Sulejmani a.s i urdhëroi shërbëtorët që t'i bëjnë disa ndryshime fronit të Belkisës. "Ndryshojeni edhe fronin e saj! Do të shohim se a do ta vërë re këtë apo jo.” Kur erdhi ajo, i thanë: "I tillë është froni yt?” – Përgjigja e saj ishte shumë e zgjuar, pasi nuk u përgjigj as pozitivisht dhe as negativisht. - Ajo u përgjigj:"Duket sikur të ishte ai”. Sulejmani tha:"Para saj na është dhënë dituria dhe para saj i jemi nënshtruar Allahut”. (Neml, 41-42) Edhe pse iu nënshtrua Sulejmanit a.s, Belkisa nuk e pranoi fenë e tij, por vazhdoi në besimin e saj.
 
 
 
Këtë e përmend Zoti i lartësuar në Kuran:"Atë (Belkisën) e kishte penguar (nga Islami) ajo që adhuronte në vend të Allahut, sepse ajo ishte nga populli mohues." (Neml, 43) Duke dashur që t'i tregojë mbi fuqinë dhe pushtetin e tij, Sulejmani a.s e dërgoi të vizitojë një nga serajet e tij. Pallati që do të vizitonin nuk ishte ndërtuar nga njerëzit dhe linte pa gojë këdo që e vizitonte. I gjithë pallati ishte i ndërtuar prej kristali të pastër. Prej kristali ishte dhe shtresa ku vinin këmbët dhe poshtë tij rridhte ujë. Aq e hollë ishte shtresa që ndante ujin, saqë dukej sikur pallati është vendosur mbi ujë.
 
 
Kur u afrua, Belkisa mendoi se është ujë, prandaj ngriti fustanin që të mos i lagej. Thotë Zoti i lartësuar në Kuran:"Asaj i thanë të hynte në pallat. Kur e pa atë, ajo kujtoi se ishte ujë i thellë dhe përvoli fustanin te këmbët. Sulejmani i tha: "Ky pallat është i shtruar me xhama”. Ajo tha: "O Zoti im, me të vërtetë unë e paskam dëmtuar veten dhe tani, bashkë me Sulejmanin i dorëzohem Allahut - Zotit të botëve!” (Neml, 44) Vetëm atëherë ajo e kuptoi se Sulejmani a.s nuk ishte thjesht një mbret si gjithë mbretërit, por mbi të gjitha ishte profet i Zotit. Belkisa e pranoi fenë dhe besimin e Sulejmanit a.s dhe në disa transmetime thuhet se u martua me të. Një ndër veprat më të mëdha të Sulejmanit a.s, është se rindërtoi xhaminë Aksa. Siç e kemi cekur më parë, ai që ndërtoi xhaminë Aksa ishte profeti Jakub a.s. Në një hadith, profeti Muhamed a.s u pyet se cila ishte xhamia e parë e ndërtuar në tokë. Profeti a.s u përgjigj:"Është Qabeja të cilën e ndërtoi Ibrahimi." Pyetësi shtoi:"Po pas Qabesë?" Profeti a.s u përgjigj:"Xhamia Aksa." Pyetësi pyeti:"Sa vite kishte mes tyre?" Profeti a.s u përgjigj:"Dyzet vite." Gjatë eksodit të çifutëve nga Buhtensar, ky i fundit e rrënoi xhaminë Aksa. Kur Sulejmani a.s mori në dorë pushtetin, e rindërtoi xhaminë Aksa.
 
 
 
Veç xhamisë, ai ndërtoi dhe tempullin që njihet si tempulli i Sulejmanit. Hebrenjtë ishin shumë të lidhur pas këtij tempulli, gjë të cilën e tregojnë dhe kërkimet dhe gërmimet e shumta që bëhen sot. Mbi vlerën e xhamisë Aksa ekzistojnë shumë hadithe të profetit Muhamed a.s. Thotë Profeti a.s:"Në namaz në Qabe është i barazvlershëm me njëqind mijë namaze. Një namaz në xhaminë time (xhaminë e Profetit a.s në Medine) është i barazvlershëm me njëmijë namaze. Një namaz në xhaminë Aksa është i barazvlershëm me pesëqind namaze." Transmeton Abdullah ibnu Amr ibnul As se i dërguari i Zotit a.s ka thënë:"Pasi Sulejmani a.s ndërtoi xhaminë Aksa, i kërkoi Zotit tre privilegje. Por Zoti i lartësuar i dha vetëm dy dhe ne shpresojmë që të tretën Zoti ta ketë rezervuar për ne. Sulejmani i kërkoi Zotit aftësi të gjykojë me drejtësi ashtu siç gjykon vetë Zoti dhe Ai ia dha. Sulejmani i kërkoi pushtet që nuk e ka gëzuar dhe nuk do e gëzojë kush tjetër pas tij dhe Zoti ia dha. Sulejmani i kërkoi që çdo person që niset nga shtëpia e tij vetëm për t'u falur në xhaminë Aksa, i fshihen gjynahet si ditën kur e ka lindur nëna. Unë e lus Zotin që këtë privilegj ta ketë rezervuar për ne." (Transmeton imam Ahmed, Ibnu Maxheh dhe Nesai)
 
 
 
Vdekja e Sulejmanit a.s Edhe pse profeti Sulejman a.s posedonte pushtet, pasuri dhe ushtri që nuk i kishte pasur dhe nuk do i ketë kush pas tij, ai ishte njeri dhe do i nënshtrohej ligjit që i nështrohet çdo njeri tjetër, ligjit të vdekjes. Në kohën e Sulejmanit a.s, njerëzit ishin sprovuar me fuqinë dhe potencialin e xhindëve. Me mënyrën si vdiq Sulejmani a.s, Zoti u tregoi se xhindët nuk kishin asgjë në dorë dhe nuk e dinin të fshehtën (gajbin) siç besonin shumë njerëz. Një ditë, Sulejmani a.s i kishte nënshtruar dhe vënë në shërbimin e tij xhindët si asnjëherë tjetër. Ata punonin nën kontrollin e rreptë të Sulejmanit dhe i frikësoheshin si askujt tjetër. Ai kishte në dorë t'i ndëshkojë rreptë. Në këtë kohë, Sulejmani a.s kishte mbushur pesëdhjetë e dy vjeç. Të gjithë xhindët punonin të nështruar për llogari të Sulejmanit a.s. Puna që po kryenin ishte e rëndë dhe zgjati për disa ditë. Teksa i vëzhgonte gjatë punës, Sulejmani a.s mori bastunin e tij, vendosi sipër tij dy pëllëmbët dhe mbi to mbështeti kokën.
 
 
Derisa  i vështronte duke punuar, Zoti ia merr shpirtin Sulejmanit a.s. Sytë ai i kishte të hapur dhe nuk lëvizte nga vendi. Xhindët vazhdonin të punojnë pa ditur se ai kishte vdekur. Princi i kurorës që do të zinte vendin e Sulejmanit a.s, i shkon për t'i treguar diçka dhe e dallon që kishte vdekur. Megjithatë, nuk i tregoi askujt. Herë pas here, ai i afrohej pranë, bënte sikur i pëshpërit diçka në vesh dhe largohej. Kjo gjendje vazhdoi për një vit të tërë, ndërkohë që xhindët vazhdonin të punonin të nështruar. Ata çuditeshin si ishte e mundur që Sulejmani a.s, mbreti i tyre nuk kishte lëvizur nga vendi për një vit të tërë.
 
 
 
Disa prej tyre pëshpëritnin me njëri-tjetrin mbi mundësinë e vdekjes së Sulejmanit, por kishin frikë të hetonin. Pas një viti, krimbi i drurit e kishte dobësuar aq shumë bastunin e Sulejmanit a.s saqë një ditë u thye dhe Sulejmani a.s u rrëzua përtokë. Atëherë xhindët e kuptuan se ai kishte vdekur që një vit më parë. Po ashtu, njerëzit e kuptuan se xhindët nuk e dinë të fshehtën. Thotë Zoti në Kuran:"Kur Ne ia caktuam atij vdekjen, atyre nuk u dha shenjë askush për vdekjen e tij, pos krimbit të drurit. Dhe, kur u rrëzua (Sulejmani), u bë e qartë se, sikur ta dinin xhindet të padukshmen, nuk do të vijonin në dënimin e poshtëruar." (Sebe, 14)


Pas kushedi sa vitesh e shekujsh, mes Benu Israilëve shfaqet një familje e mirë dhe e ndershme, pasardhës së Jakubit dhe Ibrahimit a.s. Kjo familje ishte ajo e Imranit, e cila ceket dhe në suret e Kuranit. Thotë Zoti i lartësuar në Kuran: "Allahu i zgjodhi Ademin, Nuhun, familjen e Ibrahimit dhe familjen e Imranit mbi të gjithë njerëzit (e kohës së tyre). (Ata ishin) pasardhës të njëri - tjetrit. Allahu dëgjon dhe di çdo gjë." (Al Imran, 33) Imrani, emri i të cilit përmendet në këtë ajet, është nga pasardhësit dhe pinjollët e profetit Daut a.s. Ai kishte një vajzë me emrin Ashia, e cila është motra e Merjemes a.s (Marisë). Ashia është gruaja e profetit Zekeria a.s dhe tezja e profetit Isa a.s (Jezusit).
 
 
Tregon profeti Muhamed a.s lidhur me udhëtimin e Miraxhit, ku ndër të tjera thekson:"Kalova dhe pranë dy kushërinjve (djem tezesh) Jahja a.s (Gjon pagëzori) dhe Isai a.s..." Lindja e Merjemes a.s Historia e Merjemes a.s fillon me nënën e saj e cila ishte e paaftë për të lindur. Një ditë, ajo sheh një harabel duke ushqyer të vegjlit e tij, gjë e cila ia shtoi më shumë dëshirën për t'u bërë nënë. Për këtë, ajo u betua se nëse do të mbetej shtatzanë dhe do lindte një fëmijë, do ia kushtonte Zotit dhe fesë së Tij. "Kujto kur gruaja e Imranit tha: "Zoti im, unë Ty ta kam kushtuar atë që është në barkun tim, që të të shërbejë vetëm Ty; andaj, pranoje prej meje! Se Ti, me të vërtetë, dëgjon dhe di çdo gjë.” (Al Imran, 35) Ndërkohë, Zekeria a.s ishte transferuar nga Damasku në Jeruzalem, për t'i shërbyer shtëpisë së shenjtë. Asokohe, ishte bërë traditë që familjet t'ua kushtonin një djalë të shtëpisë shërbimeve që kërkonte vendi i Shenjtë.
 
 
 
Fëmijët merreshin në dorëzim nga murgjërit, të cilët përkujdeseshin, i edukonin, u mësonin Teuratin, i përgatisnin për murgjër që më pas t'i shërbenin shtëpisë së shenjtë. Edhe gruaja e Imranit, u betua se nëse mbetet shtatzanë, djalin që do të lindë do ia kushtojë shtëpisë së shenjtë. Dhe në fakt, ajo mbeti shtatzanë, por kur lindi foshnja ishte femër dhe jo mashkull. Ishin vetëm meshkujt ata që i kushtoheshin shërbimit të shtëpisë së shenjtë, kurse femrat ishin të përjashtuara. "E kur ajo lindi, tha: "Zoti im! Unë linda femër, - Allahu e di më mirë se çfarë lindi ajo, - e mashkulli nuk është si femra.” (Al Imran, 36) Ndërkohë, vetë Imrani, babai i Merjemes së porsalindur, ishte kryemurgu i shtëpisë së Shenjtë në Jeruzalem.
 
 
 
E shoqja u këshillua me Imranin lidhur me betimin e saj. Ai i tha:"Përderisa t'i je betuar se do ia kushtosh shërbimit të Shtëpisë së Shenjtë, kështu le të jetë, edhe pse është femër." Me fjalët "e mashkulli nuk është si femra" Zoti kërkon ta lartësojë figurën e kësaj femre, Merjemes a.s. Mashkulli që gruaja e Imranit ia kishte kushtuar shtëpisë së Shenjtë, edhe sikur të lindte, nuk do të gëzonte statusin dhe madhështinë e Merjemes a.s. Unë ia vura emrin Merjeme dhe i kam lënë atë me pasardhësit e saj nën mbrojtjen Tënde nga djalli i mallkuar”. (Al Imran, 36) Thotë profeti Muhamed a.s:"çdo foshnje që lind nga bijtë e Ademit ngacmohet nga shejtani me gishtin e tij. Përjashtim ka bërë Merjemeja, vajza e Imranit dhe djali i saj Isai." (Buhariu, Muslimi, Ahmedi etj...) "Zoti e pranoi atë (Merjemen) me ëndje, e bëri që të rritet mirë" (Al Imran, 37) Kështu, Merjemeja i përkushtohet tërësisht shërbimit të Shtëpisë së Shenjtë që kur ishte foshnje.
 
 
 
Ishte bërë traditë, që kur në Shtëpinë e Shenjtë sillej një foshnje, për t'i shërbyer më pas Shtëpisë së Shenjtë, i dorëzohej njërit prej murgjërve që të kujdesej dhe ta edukonte. Kur mbërriti Merjemja, secili nga murgjërit donte ta merrte për vete. Zakonisht, kur të gjithë donin ta merrnin një foshnje, ata e lusnin Zotin që t'i frymëzojë se kush e meritonte më shumë. Kështu, Zoti i frymëzonte në mënyra të ndryshme se cili duhej të ishte kujdestari. Në rastin e Merjemes nuk ndodhi kështu. Duke para ngulmimin e Zekerias për ta marrë Merjemen në kujdestarinë e tij, ata vendosën të hedhin penat në rrjedhën e ujit. Nëse gjatë rrjedhës, dikujt do i shfaqej ndonjë mrekulli tek pena, ai e meritonte kujdestarinë e Merjemes. Kur u hodhën në rrjedhën e ujit, të gjithë penat ndoqën rrjedhën, kurse ajo e Zekerias çau në drejtim të kundërt me rrjedhën.
 
 
Kjo ishte një mrekulli që Zekeria a.s ta merrte në kujdestarinë e tij. Diçka e tillë ceket dhe në Kuran, ku Zoti thotë:"Ti nuk ishe i pranishëm kur ata hodhën short se kush prej tyre do të merrte nën kujdes Merjemen dhe nuk ishe i pranishëm kur ata diskutonin." (Al Imran, 44) Ishte mrekulli ajo që ndodhi me penën e Zekerias, por është mrekulli edhe fakti që këtë ndodhi e përmend Zoti në Kuran, në gojën e të dërguarit të tij të fundit, profetit Muhamed a.s. "Zoti e pranoi atë (Merjemen) me ëndje, e bëri që të rritet mirë" (Al Imran, 37) Merjemeja gëzonte shëndet të mirë, pasi ajo rritej dhe zhvillohej më shpejt se bashkëmoshataret e saj. Kur lindi profetin Isa a.s, ajo ishte pesëmbëdhjetë vjeçe, por që në pamje dukej si një grua me përvojë. Në Shtëpinë e Shenjtë, ajo i ishte përkushtuar totalisht adhurimit dhe shërbimeve të përditshme. Zoti i kishte dhënë disa mrekulli, si shpërblim për përkushtimin dhe devocionin e saj. "dhe e la nën kujdestarinë e Zekerias.
 
 
Sa herë që hynte Zekeria në dhomën e saj, gjente pranë saj ushqim dhe e pyeste: "O Merjeme! Nga të vjen ky ushqim?” Ajo përgjigjej: "Ky është nga Allahu, se Allahu e furnizon kë të dojë, pa kufi”. (Al Imran, 37) Thuhet që Zekeria a.s gjente në dhomën e Merjemes jo vetëm ushqime të ndryshme, por gjente në dimër, fruta që piqeshin në verë dhe anasjelltas. Që në moshë të vogël, asaj iu shfaqën mrekulli. "(Kujto) kur engjëjt thanë: "O Merjeme! Allahu të ka zgjedhur, të ka pastruar dhe të ka parapëlqyer ty mbi të gjitha gratë e botës." (Al Imran, 42) "Mesihu, i biri i Merjemes, është vetëm një i dërguar. Edhe para tij kanë kaluar të dërguar. Nëna e tij përherë ka qenë e drejtë." (Maide, 75)
 
 
Në një hadith të transmetuar nga imam Buhariu, Muslimi etj..., profeti Muhamed a.s thotë:"Gruaja më e mirë mbi tokë është Merjemeja vajza e Imranit. Gruaja më e mirë mbi tokë është dhe Hadixheja, vajza e Huvejlid-it." Në një hadith tjetër, Profeti a.s thotë:"Nga gratë e tokës, mjafton të përmendësh katër:"Merjemen vajzën e Imranit, Asijen, gruan e Faraonit, Hadixhen, vajzën e Huvejlidit dhe Fatimen vajzën e Muhamedit." Nga këto të katërta dhe nga të gjitha gratë e botës, Merjemeja padyshim që zë vendin e parë. Ajo ndiqet nga Fatimeja, vajza e Profetit a.s, pastaj Hadixheja bija e Huvejlid dhe në fund Asija, gruaja e faraonit. Zekeria a.s uron të ketë një fëmijë Duke parë mrekullitë që i ndodhnin Merjemes, edhe Zekeria a.s filloi të ushqejë dëshirën për t'u bërë baba.
 
 
 
 Në këtë kohë, ai ishte njëqind vjeç dhe ishte privuar nga të pasurit fëmijë. Vetë e shoqja ishte nëntëdhjetë e nëntë vjeçe. Ai filloi ta lusë Zotin, që t'i japë një fëmijë. Këto lutje i ka regjistruar Zoti në Kuran: Ky është rrëfim për mëshirën e Zotit tënd ndaj robit të Tij - Zekerijas. "Kur ai e thirri Zotin e vet me lutje të fshehtë (duke thënë):"O Zoti im! Eshtrat tashmë më janë dobësuar, koka më ndriçon nga thinjat dhe asnjëherë nuk kam mbetur i zhgënjyer nga lutja ime për Ty, o Zoti im! Unë u frikësohem (sjelljeve të) të afërmve të mi pas meje, - nga sjelljet e të afërmve të tij, ai frikësohej se mos nuk do i përkushtoheshin shërbimit të Shtëpisë së Shenjtë dhe do të braktisnin fenë - ndërsa bashkëshortja ime është beronjë; andaj, më dhuro nga ana Jote një pasardhës, që të më trashëgojë mua dhe familjen e Jakubit.
 
 
 
O Zoti im, bëje atë të pëlqyeshëm (për Ty)!” (Merjem, 2-6) Zoti i lartësuar ia pranoi lutjen, gjë e cila deklarohet dhe në Kuran: "Ne iu përgjigjëm atij dhe i dhuruam Jahjain, duke ia bërë gruan të aftë (për lindje)." (Enbija, 90) Tregon Abdullah ibnu Abasi:"Me t'ia pranuar Zoti lutjen, gruas së Zekerias i erdhën menstruacionet." edhe pse ishte nëntëdhjetë e nëntë vjeçe. Gjithashtu, ajo njihej si grua llafazane dhe paedukatë. Pasi ia pranoi lutjen Zekerias, Zoti ia hoqi edhe këto vese. Edhe vetë melekët e përgëzuan Zekerian a.s për djalin që do i lindte. Thotë Zoti në Kuran: "O Zekerija, Ne po të japim lajmin e mirë për një djalë që do të quhet Jahja. Askujt nuk ia kemi dhënë këtë emër më parë”. (Merjem, 7) Pra, edhe emri i ishte vënë këtij djali. Ai ishte një emër që nuk njihej më parë, gjë e cila ceket dhe në ajet.
 
 
 
Zekeria a.s u çudit që do i lindë djalë në këtë moshë të shtyrë, ndërkohë që edhe e shoqja ishte sterile, e paaftë për të lindur. "Ai tha: "O Zoti im, si mund të kem unë djalë, kur bashkëshortja ime është beronjë dhe unë kam arritur pleqërinë e thellë?!” I tha: "Ashtu ka thënë Zoti yt. Kjo për mua është lehtë. Unë të kam krijuar edhe ty më parë, ndërkohë që nuk ekzistoje”. (Zekerija) tha: "O Zoti im, më jep ndonjë shenjë!” – Ai i kërkoi Zotit një shenjë që ta kuptojë se gruaja e tij është shtatzënë. Gjithashtu, i kërkoi një shenjë që Benu Israilët ta kuptojnë se ky fëmijë do e trashëgojë dijen e tij - Ai tha:"Shenja jote do të jetë se nuk do të mund të flasësh me njerëzit për tri net, ndonëse do të jesh i shëndoshë.” (Merjem, 8-10) Shenja ishte e tillë, që edhe pse nuk kishte asnjë sëmundje fizike, Zekeria a.s nuk do të mund të fliste për tre ditë radhazi. Ai mund të komunikonte me njerëzit vetëm me shenja dhe duke lëvizur buzët. Thuhet që kur ishte fjala për adhurim dhe lartësim të Zotit, ai fliste dhe dëgjohej. Por kur donte t'u flasë njerëzve ngecte dhe e kishte të pamundur.
 
 
Kjo i zgjati për tre ditë. "Ai doli nga faltorja para popullit të vet dhe u bëri me shenjë atyre të lavdëronin Allahun në mëngjes dhe në mbrëmje!" (Merjem, 11) Në disa ajete të tjera në Kuran, Zoti flet me hollësi të tjera mbi Zekerian a.s dhe lutjen e tij për djalë. "Atëherë Zekerija iu lut Zotit të vet e tha: "Zoti im! Dhuromë nga ana Jote një pasardhës të mirë! Se Ti, me të vërtetë, je Dëgjues i lutjes!” E ndërsa lutej në këmbë, në faltore, engjëjt e thirrën (Zekerijan): "Allahu të jep lajmin e mirë për Jahjain, i cili do të vërtetojë Fjalën e Allahut (Isain a.s.), do të jetë një fisnik, i dëlirë dhe profet, një prej të mirëve”. (Al Imran, 38-39) Pra, përveç Jahjas, Zoti i tregoi se do të vijë dhe një profet tjetër, Isai a.s, ku Jahja do i besojë dhe do e ndjekë. "i dëlirë" d.m.th që nuk do të martohet, edhe pse është i aftë për këtë. Disa dijetarë mendojnë se Isai a.s ishte i paaftë për t'u martuar, por kjo nuk është e vërtetë. "O Jahja, rroke fort Librin (Teuratin).” Dhe Ne, kur ende ishte fëmijë, i dhamë mençuri." (Merjem, 12)
 
 
 
Që në vegjëli, Jahja a.s ishte i mençur dhe nuk e harxhonte kohën kot. Në një hadith, thuhet se bashkëmoshatarët i thanë një ditë:"Eja me ne të luajmë!" Ai ua ktheu:"Nuk jemi krijuar për të luajtur." Lidhur me disa virtyte dhe cilësi të Jahjas, thotë Zoti në Kuran:"butësi prej Nesh dhe dëlirësi. Ai ishte besimtar i përkushtuar dhe i sjellshëm ndaj prindërve të vet, nuk ishte i ashpër dhe i padëgjueshëm. Paqja qoftë mbi atë ditën kur ka lindur, ditën kur të vdesë dhe në ditën kur do të ringjallet."(Merjem, 13 Dijetarët thonë se ceket paqa, pasi janë tre momente kur njeriu ka më shumë nevojë për të, lindja, vdekja dhe dita e ringjalljes.
 
 
Në një hadith, thuhet se Isai a.s u takua me Jahjan dhe i tha:"Kërkoji Zotit falje për mua, pasi ti je më i mirë se unë!" Jahja ia ktheu:"Jo, ti kërko falje për mua. Ti je më i mirë se unë." Isai a.s i tha:"Jo, ti je më i mirë. Unë kam përshëndetur veten time, kurse ty të ka përshëndetur vetë Zoti." Jahjan e kishte përshëndetur vetë Zoti në ajetin:"Paqja qoftë mbi atë ditën kur ka lindur, ditën kur të vdesë dhe në ditën kur do të ringjallet."(Merjem, 13 Kurse Isai a.s përshëndet veten në ajetin:"Le të jetë paqja e shpëtimi mbi mua, në ditën që kam lindur, në ditën që do të vdes dhe në ditën që do të ringjallem!” (Merjem, 33) Padyshim që kjo është prej modestisë së profetit Isa a.s, pasi të gjithë dijetarët kanë mendim unanim se ai është më i mirë se Jahjai a.s. Thotë profeti Muhamed a.s në një hadith:"Nuk ka njeri që nuk ka gabuar, ose ka dashur të bëjë një të ligë, përveç Jahjait biri i Zekerias.
 
 
Askujt nuk i takon të thotë se unë jam më i mirë se Junus ibnu Meta." Në shumë transmetime ceket fakti që Jahjai a.s ishte i ruajtur dhe i dëlirë nga veprat e liga. Vrasja e Jahjas a.s Zekeria dhe djali i tij Jahja vazhduan misionin e profetëve mes Benu Israilëve, duke i këshilluar dhe udhëzuar drejt besimit dhe vlerave morale. Pushteti politik asokohe ishte në duart e një mbreti tiran, të lig dhe jomoral. Ashtu siç ndodh me shumë pushtetarë në vendet islame sot, edhe ky mbret, manifestonte gjoja respekt dhe nderim për Zekerian, Jahjan dhe njerëzit e ditur të fesë. Një ditë, ky mbret shpreh dëshirën për t'u martuar me vajzën e vëllait të vet. Vetë mbesës së tij i pëlqeu kjo, pasi do të bëhej mbretëreshë.
 
 
 
Në shumë hadithe thuhet se kjo vajzë ishte e pamoralshme. Për këtë, ajo pati dhe mbështetjen e nënës së saj. E gjitha kjo, edhe pse e dinin që feja e tyre e ndalon martesën mes xhaxhait dhe mbesës së tij. Mbreti deshi që për rastin e tij të bëjë një përjashtim dhe i kërkoi Jahjas a.s që ta lejojë të martohet me mbesën. Kur dëgjoi kërkesën e tyre, Jahja a.s mbajti një predikim para gjithë njerëzve, ku deklaroi dhe një herë ndalesën e martesës së xhaxhait me mbesën e tij. Kjo, me qëllim që nëse mbreti martohet, njerëzit ta kuptojnë se ka shkelur një ligj të shenjtë. Kjo sjellje e zemëroi pa masë mbretin, ashtu siç zemëroi dhe mbesën. Nëse do të martoheshin, kjo do të shkaktonte reagime të forta në popullatë. Kështu, mbreti hoqi dorë nga kjo ide.
 
 
 
Por mbesa e tij nuk hiqte dorë nga froni i mbretëreshës. Një natë, ai filloi të këndojë për mbretin dhe të kërcejë. Mbreti e kërkoi për në shtrat, por ajo refuzoi duke i thënë:"Vetëm pasi të martohemi." Mbreti i tha:"E si tië martohemi, ndërkohë që Jahja e ka ndaluar këtë?!" Ajo iu përgjigj:"Më sill kokën e Jahjas si dhuratë martesore dhe i japim fund kësaj çështjeje." Aq shumë ishte dhënë pas saj, saqë në çast urdhëroi ushtarët t'i sillnin kokën e Jahjas. Menjëherë ushtarët u nisën drejt faltores së Jahjas a.s, i cili në ato çaste ishte duke u falur. Ata ia prenë kokën dhe ia sollën mbretit në një tepsi.
 
 
 
Ai e mori kokën e Jahjas a.s, ia dorëzoi mbesës së tij dhe kështu u martuan. Kjo ishte një sprovë e Zotit për profetët e tij. Koka e një profeti, i jepet si dhuratë martesore një gruaje të përdalë. Prandaj profeti Muhamed a.s thotë:"Njeriu do të sprovohet sipas besimit që ka." Vrasja e profetit Zekeria a.s Pasi vranë Jahjan a.s, ushtarët – me urdhër të mbretit – u nisën për një mision tjetër, vrasjen e Zekerias a.s.
 
 
Në shumë transmetime, të cilat nuk janë të sakta, por për shkak se janë të shumta po i përmendim, thuhet se Zekeria a.s u fsheh në trungun e një peme. Kur pema u mbyll, shejtani mbajti jashtë një copë të rrobave të Zekerias. Kur ushtarët arritën tek pema dhe nuk e gjetën, u shfaqet shejtani me pamje njeriu dhe u thotë:"A nuk po e shihni rrobën e tij brenda pemës? Sharrojeni pemën që ta vrisni!" Kështu u vra dhe profeti Zekeria a.s që të dy profetë të nderuar.


Ndërkohë që dy profetët Zekeria dhe Jahja a.s u vranë, jetonte një profet i tretë, i cili sapo ishte dërguar si i tillë, profeti Isa a.s. Kur u vranë Jahja dhe Zekeria a.s, profeti Isa a.s sapo i kishte kaluar të tridhjetat. Ai njihet ndryshe dhe me emrin Mesi. Këtë ai e mori për shkak të udhëtimeve të shumta. Ai nuk kishte shtëpi dhe vend të tijin. Gjithashtu, thuhet se u quajt Mesi, për shkak se kur lindi, nëna e tij e leu me vaj. Lidhur me lindjen e tij, thotë Zoti në Kuran: "Dhe trego (o Muhamed) në Libër për Merjemen, kur u tërhoq nga familja e saj në një vend në lindje, duke e fshehur veten nga ata. – ajo jetonte në lindje të Jeruzalemit, larg syve të njerëzve. Ajo nuk lejonte askënd ta vizitojë dhe nuk vizitonte askënd. Të afërmit ia dërgonin ushqimin pranë derës dhe ajo e merrte më pas, ashtu siç merrte furnizim edhe nga vetë Zoti. Vetëm Zekeria a.s kishte të drejtë ta vizitojë.
 
 
Në moshën pesëmbëdhjetë vjeçare, asaj i shfaqet Xhibrili a.s në dhomën ku ishte izoluar dhe adhuronte Zotin - Ne i dërguam Shpirtin Tonë, i cili iu paraqit asaj si një njeri i plotë. – ishte një njeri i hijshëm dhe pa asnjë të metë - Ajo i tha:"Unë kërkoj që të më mbrojë i Gjithëmëshirshmi prej teje, nëse i frikësohesh Allahut. – nëse beson dhe i frikësohesh Zotit, mos më prek me dorë - Ai tha: "Në të vërtetë, unë jam vetëm një i dërguar i Zotit tënd, që të të dhuroj ty një djalë të pastër.”Ajo tha: "Si mund të kem unë djalë, kur asnjë mashkull nuk më ka prekur e nuk jam as e pacipë?!” Iu përgjigj: "Kështu është! Zoti yt ka thënë: ‘Kjo për Mua është e lehtë. Ne do ta bëjmë atë shenjë për njerëzit dhe mëshirë nga ana Jonë’. Dhe kjo është punë e kryer.” (Merjem, 16-21) Sipas transmetimeve të sakta, Xhibrili a.s i fryu Merjemes tek e çara e jakës nga pjesa e kraharorit, frymë e cila i depërtoi brenda dhe në çast ajo mbeti shtatzanë. "Ajo mbeti me barrë." (Merjem, 22) Merjemja a.s vazhdoi e mbyllur në faltoren e saj, larg syve të njerëzve, derisa filloi të ndjejë se ka ardhur koha të lindë.
 
 
Atëherë ajo doli nga faltorja dhe eci një distancë të konsiderueshme, derisa mbërriti në Betlehem. "..u tërhoq me të në një vend të largët." (Merjem, 22) Pak para se të mbërrijë në Betlehem, asaj i fillojnë dhimbjen e lindjes. Ajo qëndron dhe mbështetet tek një trung i tharë palme aty pranë. Thotë Zoti në Kuran duke përshkruar këtë moment:"Dhembjet e lindjes e detyruan atë që të shkonte te trungu i një palme." – Merjemeje a.s ishte shumë e frikësuar për këtë që po i ndodhte. Vallë si do të kthehej tek njerëzit e saj me një fëmijë?! çfarë do të thonin njerëzit kur ta shihnin? Fjalët e mëposhtme, tregojnë më qartë frikën e saj nga skandali që mund t'i ndodhte - Ajo tha: "Ah, sikur të kisha vdekur para kësaj (ngjarjeje) dhe të isha harruar krejt!” (Merjem, 23) Në një moment, ajo dëgjon një zë që e thërret nga poshtë.
 
 
Disa mendojnë se ai zë ishte i djalit të saj të porsalindur Isait a.s. Kurse disa të tjerë mendojnë se ishte zëri i Xhibrilit a.s i cili buronte nga nëntoka. "Një zë e thirri nga poshtë: "Mos u pikëllo, se Zoti yt të ka bërë një burim uji poshtë teje!" (Merjem, 24) Me të hedhur shikimin poshtë, ajo dalloi një burim uji. Edhe kjo ishte një mrekulli që Zoti ia jepte për ta qetësuar. Një mrekulli tjetër në ato çaste ishte dhe vetë trungu i palmës, i cili siç thamë ishte i tharë, pa gjethe dhe fruta. "Shkunde trungun e palmës, që të bien mbi ty hurma të freskëta! Ha, pi dhe qetësohu. " (Merjem, 25-26) Me ta shkundur trungun e palmës, menjëherë filluan të bien hurma (arabie) të freskëta.
 
 
Këto mrekulli e qetësuan Merjemen a.s, pasi u sigurua se gjithçka që po i ndodhte ishte sipas një plani hyjnor. Zëri e urdhëroi që të mos flasë kur të kthehet tek njerëzit e saj, por me shenja t'ju tregojë se agjëron. "Nëse vëren ndonjë njeri, i thuaj:"Unë jam betuar në të Gjithëmëshirshmin se do të agjëroj, prandaj sot nuk do të flas me askënd.” (Merjem, 26) Pasi u çlodh dhe u qetësua, ajo u kthye tek njerëzit e saj me foshnjen në krahë. "Dhe u kthye te populli i vet, duke mbajtur fëmijën. Ata i thanë: "O Merjeme, ke bërë diçka të turpshme! O motra e Harunit!” (Merjem, 27-28) Thuhet që Merjemeja a.s kishte një vëlla me emrin Harun, për këtë ata e thirrën si motra e Harunit. Kjo ceket dhe në një hadith të saktë, kur profeti Muhamed a.s dërgon një nga shokët e tij tek të krishterët e Nexhranit.
 
 
 
Ndër të tjera, ai u lexoi edhe ajetet e lartpërmendura. Kur të krishterët i dëgjuan, i thanë:"Si thonë se Merjemeja ka qenë motra e Harunit, ndërkohë që Haruni ka jetuar në kohën e Musait?!" Sahabi kur u kthye tek Profeti a.s, ia përcolli këtë pyetje. Ai u përgjigj:"Po a nuk e dinin se njerëzit e asaj kohe u vinin fëmijëve emrat e profetëve të mëparshëm?!" Pra, Haruni nuk ishte profeti, vëllai i Musait a.s. Një mendim tjetër lidhur me këtë, është se ashtu si Haruni a.s shquhej për adhurimin e shumtë, edhe Merjemeja a.s shquhej për diçka të tillë. Prej këtu, njerëzit e quanin motra e Harunit a.s. "Babai yt nuk ka qenë njeri i keq, as nëna jote nuk ka qenë grua e shthurur." (Merjem, 28) Si është e mundur që ti vajza e dy prindërve të ndershëm, të bësh një vepër të tillë?! Merjemeja a.s nuk u ktheu përgjigje, por u bënte me shenjë drejt djalit që mbante në krahë. "Ajo bëri me shenjë nga i biri. Ata thanë: "Si t’i flasim ne fëmijës që është në djep?” (Merjem, 29) Njerëzit i kuptuan shenjat e saj, por nuk kuptonin si mund të flasin me një foshnje të porsalindur. Atëherë ndodh mrekullia tjetër, ku Isai a.s i porsalindur flet. Të gjithë njerëzit filluan të dëgjojnë gojëhapur. "Ai (Isai në djep) tha: "Unë jam rob i Allahut.
 
 
 Ai më ka dhënë Librin (Ungjillin), më ka bërë profet dhe më ka bërë të bekuar kudo që të jem. Ai më ka porositur që të falem e të jap zeqat sa të jem gjallë dhe që të jem i mirë ndaj nënës sime dhe nuk më ka bërë të ashpër dhe të padëgjueshëm. Le të jetë paqja e shpëtimi mbi mua, në ditën që kam lindur, në ditën që do të vdes dhe në ditën që do të ringjallem!” (Merjem, 30-33) Allahu i lartësuar komenton më poshtë lidhur me këto fjalë: "Ky është Isai, i biri i Merjemes. Kjo është fjala e vërtetë, për të cilën ata dyshojnë dhe diskutojnë.
 
 
Allahu nuk ka mbetur të marrë dikë për bir. Qoftë i lavdëruar Ai! Kur vendos diçka, Ai vetëm thotë për të "Bëhu!” dhe ajo bëhet. (Isai tha): "Vërtet, Allahu është Zoti im dhe Zoti juaj; andaj adhuroni vetëm Atë! Kjo është udha e drejtë”." (Merjem, 34-36) E tillë ishte lindja e profetit Isa a.s, i cili ishte vetëm profet dhe i dërguar i Zotit dhe asgjë më shumë. Duke u përgjigjur pretendimeve të krishterëve se Isai a.s ishte bir i Zotit, Zoti thotë në Kuran:"Pa dyshim, janë jobesimtarë ata që thonë: "Allahu është Mesihu, i biri i Merjemes!”, sepse vetë Mesihu ka thënë: "O bijtë e Izraelit, adhuroni Allahun, që është Zoti im dhe Zoti juaj! Sigurisht, atij që adhuron tjetërkënd përveç Allahut, Allahu do t’ia ndalojë Xhenetin dhe strehim i tij do të jetë Zjarri. Për keqbërësit nuk ka ndihmës.
 
 
Pa dyshim, janë jobesimtarë ata që thonë: "Allahu është njëri prej Trinisë!” Nuk ka veçse një Zot të Vetëm të vërtetë! Nëse nuk heqin dorë nga ato që thonë, patjetër që jobesimtarët nga mesi i tyre do t’i godasë një dënim i dhembshëm. Përse ata nuk kthehen me pendesë tek Allahu e t’i kërkojnë falje Atij?! Allahu është Falës dhe Mëshirëplotë! Mesihu, i biri i Merjemes, është vetëm një i dërguar. Edhe para tij kanë kaluar të dërguar.
 
Nëna e tij përherë ka qenë e drejtë. Që të dy, hanin ushqim. – Kësisoj nuk mund të jetë zot, pasi Zoti i vërtetë nuk ka nevojë të ushqehet - Shiko si ua shpjegojmë atyre shpalljet tona dhe shih si largohen nga e Vërteta! Thuaju (o Muhamed): "Si mundet vallë, që ju adhuroni në vend të Allahut, atë që nuk është në gjendje t’ju sjellë as dëm e as dobi, ndërkohë që Allahu dëgjon dhe di çdo gjë?!” (Maide, 72-76) "Thuaj: "Çdo lavd e falënderim i përket Allahut, i Cili nuk ka bir, nuk ka ortak në pushtet dhe nuk është i pafuqishëm, që të ketë nevojë për ndihmës” dhe madhëroje Atë, duke ngritur lart madhështinë Tij!” (Isra, 111) Zoti i vërtetë nuk ka nevojë për ndihmës dhe ortakë. Një ndër suret ku të krishterëve u jepet përgjigje mbi natyrën e vërtetë të Zotit – kësisoj hedh poshtë dhe pretendimet e tyre mbi trininë – është surja Ihlas. Thotë Zoti në këtë sure: "Thuaj: "Ai është Allahu, Një dhe i Vetëm! Allahu është Absoluti, të Cilit i përgjërohet gjithçka në amshim. Ai as nuk lind, as nuk është i lindur.
 
 
Dhe askush nuk është i barabartë (a i krahasueshëm) me Atë!” (Ihlas, 1-4) Në një hadith të transmetuar nga imam Buhariu, transmetohet se i dërguari i Allahut a.s, citon një thënie të shenjtë të Zotit:"Më ofendoi biri i Ademit dhe nuk kishte përse ta bëjë këtë. Ai pretendon se Unë kam fëmijë, ndërkohë që Unë jam i Vetmi të cilit i përgjërohet çdo krijesë për ndihmë. Unë as kam lindur dhe as nuk jam lindur prej kujt dhe askush nuk është i barabartë me Mua." Thotë profeti Muhamed a.s në një hadith të transmetuar nga imam Buhariu:"Askush nuk është më i durueshëm për një akuzë që ka dëgjuar, seç është Zoti. Atij i atribojnë fëmijë, kurse Ai vazhdon t'i furnizojë dhe t'u falë shëndet." Edhe pse foshnja ai porsalindur u foli, ata nuk e besuan, madje e akuzuan për marrëdhënie jashtëmartesore. Që atëherë dhe deri ditët e sotme, hebrenjtë e konsiderojnë Merjemen a.s si grua të përdalë.
 
Ndërkohë që Isain a.s e quajtën djalin e një gruaje të përdalë. Thotë Zoti i lartësuar mbi këtë fakt: "(I mallkuam ata) për shkak të mosbesimit të tyre (ndaj Isait a.s.), për shkak të shpifjeve të mëdha që thanë kundër Merjemes." (Nisa, 156) Nuk ka asgjë për t'u habitur nëse Zoti krijon dikë pa baba, ndërkohë që ka krijuar më parë Ademin a.s pa baba dhe pa nënë. Këtë e përmend vetë Zoti në Kuran ku thotë:"Rasti i Isait për Allahun është si rasti i Ademit që e krijoi prej baltës e pastaj i tha: "Bëhu!” - dhe ai u bë." (Al Imran, 59) Ekuivalente me këtë shpifje, është pretendimi i të krishterëve se Isai a.s ishte biri i Zotit. "Ata thonë: "I Gjithëmëshirshmi ka një bir”. Keni thënë diçka vërtet të tmerrshme! Qiejt gati sa nuk copëtohen prej kësaj; Toka gati sa s’çahet e malet sa s’rrëzohen të thërrmuar, ngaqë ata i veshin një bir të Gjithëmëshirshmit. Kurrë nuk i shkon (madhërisë së) të Gjithëmëshirshmit të ketë një bir. S’ka krijesë që gjendet në qiej dhe në Tokë e që të mos vijë si rob para të Gjithëmëshirshmit.
 
 
Sigurisht që Ai e njeh mirë gjithsecilin prej tyre dhe i ka numëruar të gjithë saktësisht. Çdonjëri prej tyre, në Ditën e Kiametit, do të dalë fill i vetëm para Tij." (Merjem, 88-95) Ai që ka krijuar qiejt dhe tokën në formën më të përsosur, mos e ka të pamundur të krijojë një njeri me nënë dhe pa baba?! "Ai është Krijuesi i qiejve dhe i Tokës! E si mund të ketë Ai fëmijë, ndërkohë që nuk ka bashkëshorte?! Ai ka krijuar çdo gjë dhe është i Dijshëm për çdo gjë." (Maide, 101) "Thuaju (o Muhamed): "Sikur i Gjithëmëshirshmi të kishte bir, Unë do të isha i pari që do ta adhuroja atë!" (Zuhruf, 81) Zoti i lartësuar e mohon kategorikisht mundësinë e të pasurit fëmijë. Ai deklaron se sikur Isai a.s të ishte djali i Tij, Ai do të ishte i pari që do e adhuronte atë. Isai a.s mes Benu Israilëve Isai a.s u rrit në Betlehem dhe që i ri shquhej për dije dhe urtësi.
 
 
Për herë të parë, ai foli kur ishte i porsalindur, pastaj do të heshtë. Vetëm pasi të mbushë moshën e përshtatshme, ai do të fillojë të flasë sërish. Me kalimin e viteve, Benu Israilët filluan ta shohin me dyshim Isain a.s. Shumë prej tyre filluan të përhapin fjalë se shkatërrimi i Benu Israilëve do të vijë pikërisht nga duart e këtij djaloshi. Nëna e tij, e ndërgjegjshme për marifetet e popullit të saj, e mbronte siç mbron një nënë fëmijën e saj.
 
 
Shpesh herë, ajo e nxirrte jashtë qytetit për ta mbajtur sa më larg njerëzve. Për siguri të jetës së birit të saj, ajo e la Betlehemin dhe u vendos në Jeruzalem, mbi një kodër ku kishte ujë dhe fruta për ushqim. Thotë Zoti në Kuran:"Ne e bëmë birin e Merjemes dhe nënën e tij mrekulli për njerëzimin dhe i strehuam rrëzë një kodre të qetë me burime uji." (Muminun, 50) Isai a.s profet Isai a.s nuk u obligua me misionin e pejgamberit veçse pasi mbushi tridhetë vitet. Në këtë moshë, Zoti i lartësuar i shpalli Ungjillin dhe e zgjodhi profet.
 
 
Atëherë ai filloi t'i ftojë njerëzit në adhurimin e një Zoti të vetëm. "Pas atyre profetëve, Ne dërguam Isain, të birin e Merjemes, si vërtetues të Teuratit që kishte ardhur para tij. Dhe i dhamë atij Ungjillin, në të cilin ka udhëzim dhe dritë, si përmbushje të asaj që ishte shpallur para tij në Teurat dhe si udhërrëfim e këshillë për ata që i frikësohen Allahut." (Maide, 46) Të gjithë interpretuesit e Kuranit janë të mendimit se Isait a.s iu shpall Ungjilli vetëm pasi kishte mbushur të tridhjetat. Bashkë me Ungjillin, Isait a.s iu dhanë dhe disa mrekulli, si fakte se ishte i dërguari i Zotit tek Benu Israilët. "dhe do ta caktojë atë të Dërguar te bijtë e Izraelit" (Al Imran, 49) Të gjithë profetët, dërgoheshin tek popujt e tyre. Vetëm profeti Muhamed a.s u dërgua për mbarë njerëzimin, madje edhe për xhindët. Siç thamë, Zoti e pajisi me disa mrekulli që faktonin profecinë e tij.
 
 
Thotë Zoti në Kuran: "...dhe do ta caktojë atë të Dërguar te bijtë e Izraelit (të cilëve do t’u thotë): "Ju kam sjellë prova nga Zoti juaj (që vërtetojnë Profecinë time): bëj për ju diçka prej balte në formë shpendi, fryj në të e me urdhrin e Allahut ajo bëhet shpend i gjallë; shëroj të verbrit e lindur dhe të lebrosurit dhe i ngjall të vdekurit me lejen e Allahut; ju tregoj çfarë hani dhe çfarë ruani në shtëpitë tuaja. Sigurisht që te të gjitha këto ka prova për ju, nëse jeni besimtarë të vërtetë." (Al Imran, 49) Isai a.s ishte i aftë që një statujë zogu prej balte t'i jepte jetë me lejen dhe vullnetin e Zotit. Po ashtu, ai mund t'i kthente shikimin një personi që kishte lindur i verbër. Ai shëronte lebrozët me një të prekur, sikur të mos kishin qenë të sëmurë.
 
 
Veç këtyre mrekullive, Isai a.s dinte se çfarë kishte gatuar secili në shtëpinë e tij dhe çfarë ushqimesh kishin magazinuar. Mrekullia më e madhe që posedonte Isai a.s, ishte ngjallja e të vdekurve. Gjatë jetës së tij, ai ngjalli katër të vdekur. "Dhe (kam ardhur te ju) për t’ju vërtetuar Teuratin, që është para meje dhe që t’ju lejoj disa gjëra që i keni pasur të ndaluara. – Zoti ua kishte ndaluar disa ushqime Benu Israilëve si ndëshkim. Tashmë ishte koha që ky ndëshkim të anullohej - Ju kam sjellë një provë nga Zoti juaj, prandaj kijeni frikë Allahun dhe bindmuni! Me të vërtetë, Allahu është Zoti im dhe Zoti juaj, andaj adhurojeni Atë.
 
 
Kjo është rruga e drejtë!” (Al Imran, 50-51) Megjithë këto mrekulli, Benu Israilët nuk e besonin si profet dhe të dërguar të Zotit dhe vazhdonin në kokëfortësinë e tyre. E çfarë mund të kërkonin më shumë se kaq si provë?! "Kur Isai vuri re mosbesimin e tyre, tha: "Kush janë ndihmuesit e mi në rrugën e Allahut?” nxënësit (e tij) u përgjigjën: "Ne jemi ndihmuesit e (fesë së) Allahut. Ne e besojmë Allahun e ti (Isa) dëshmo se ne (i) jemi nënshtruar (Atij)." (Al Imran, 52) Ishin pikërisht nxënësit dhe shoqëruesit e Isait a.s ata që i premtuan ndihmë dhe mbështjetje. "O besimtarë, bëhuni ndihmësit e Allahut, ashtu siç u tha dishepujve Isai, i biri i Merjemes: "Kush janë ndihmësit e mi për çështjen e Allahut?” Dishepujt u përgjigjën: "Ne jemi ndihmësit e Allahut! Kështu, një pjesë nga bijtë e Izraelit e besoi, kurse pjesa tjetër e mohoi. Prandaj Ne i forcuam besimtarët kundër armikut të tyre dhe ata dolën  ngadhënjimtarë.” (Saf, 14) Numri i nxënësve dhe dishepujve të Isait a.s që e besuan ndërkohë që gjithë njerëzit e përgënjeshtruan, ishte dymbëdhjetë. Më vonë, siç ceket dhe në ajet, Zoti e bëri të triumfojë fenë e krishterë mbi atë hebraike. Kurse disa interpretues të Kuranit thonë:"Pas Isait a.s, njerëzit u ndanë në tre grupe.
 
 
Një grup thanë se Mesia ishte vetë Zoti. Një grup thanë se ai ishte biri i Zotit dhe grupi i tretë besuan se ishte profet dhe i dërguar i Zotit. Tek grupi i tretë hynin monoteistët e krishterë dhe atyre iu bashkangjit umeti i Muhamed Mustafasë a.s. Ngadhnjimi që ceket në fund të ajetit të mësipërm është ngadhnjimi i umetit të Muhamedit a.s." Edhe pse besuan në profecinë e Isait a.s, dishepujt kishin pasiguri dhe ishin të lëkundur. "dhe se si kur i urdhërova dishepujt: "Besomëni Mua dhe të Dërguarit Tim!” - ata u përgjigjën: "Ne besojmë, prandaj dëshmo se Ty të jemi dorëzuar!” (Maide, 111) Edhe pse ishin besimtarë dhe e dëshmonin këtë para Isait a.s, ata vazhdonin të lëkundur, gjë e cila duket në kërkesën e çuditshme që i drejtuan Isait a.s. Thotë Zoti në Kuran: "Kujto kur dishepujt thanë: "O Isa, i biri i Merjemes, a mundet Zoti yt të na zbresë një sofër prej qielli?” Ai tha: "Kini frikë Allahun, nëse jeni besimtarë të vërtetë!” – A akoma vazhdoni në mosbesim?! -"Ne dëshirojmë të hamë nga ajo – thanë ata –, me qëllim që të na qetësohen zemrat dhe ta dimë se na ke thënë të vërtetën dhe për atë të jemi dëshmitarë”. – Në një hadith, thuhet se Isai a.s u vesh me rroba leshi dhe iu përgjërua Zotit që ta zbresë këtë sofër sipas kërkesës së dishepujve - "O Allah, o Zoti ynë! – tha Isai, i biri i Merjemes – Zbritna një sofër nga qielli, që të jetë festë për ne, për të parin dhe të fundmin tonë dhe të jetë mrekulli prej Teje dhe na jep mirësi, se Ti je Dhuruesi më i mirë!”Allahu u përgjigj: "Unë do t’jua zbres sofrën.
 
 
Por cilindo nga ju që nuk beson pas kësaj, do ta dënoj ashtu siç nuk kam dënuar askënd në botë”. (Maide, 111-116) Zoti i paralajmëroi, se nëse sofra do të zbriste nga qielli dhe do kishte njerëz që nuk do të besonin dhe do të lëkundeshin, - ashtu siç kishte ngjarë më parë me popullin e Salihut – këta njerëz do të ndëshkoheshin si askush tjetër më parë. Kështu, sofra e kërkuar zbriti nga xheneti siç e kërkuan. Ajo u vendos mbi tokë dhe dishepujt hëngrën nga ushqimet e saj. Kjo bëri që të qëndrojnë në besim dhe të mos përgënjeshtrojnë. Vetëm njëri prej tyre do e tradhëtojë Isain a.s, siç do ta shohim më pas.
 
 
Duke qenë se njerëzit i shihnin dhe i transmetonin mrekullitë e Isait a.s, murgjërit hebrenj u frikësuan se mos feja e tyre shuhet dhe vendin e saj e zë feja e Isait a.s. Ata do të humbisnin njëkohësisht si pushtetin fetar, ashtu dhe atë politik. Kështu, ata thurrën një komplot kundër Isait a.s, vajtën tek mbreti romak i asaj zone dhe filluan t'i flasin mbi Isain a.s. Ata i thanë se Isai a.s pretendon se është mbreti i çifutëve dhe se synon fronin e tij mbretëror.
 
 
I frikësuar nga humbja e pushtetit, mbreti urdhëroi ushtarët ta gjenin Isain a.s ku të ishte dhe ta kryqëzonin. Asokohe ishte traditë që kushdo që dënohej me vdekje, mbërthehej me gozhda mbi një kryq dhe lihej të vdesë. Gozhdët i viheshin në dy duart, në kraharo dhe në dy këmbët. I dënuari vdiste brenda dy ditësh nga dita e kryqëzimit. Diçka e tillë ndodhte tre vite pasi Zoti e kishte dërguar si profet tek hebrenjtë.
 
 
Ngritja e Isait a.s në qiell Rrëfenjat izraelite lidhur me ngritjen e Isait a.s në qiell janë të panumërta. Nga transmetimet e sakta lidhur me këtë çështje, nuk kam gjetur veçse një transmetim Nesaiut sipas kritereve të imam Muslimit. Të gjithë rrëfenjat izraelite unë nuk i kam marrë për bazë, pasi është e vështirë të dallosh të vërtetën nga e shtrembëta. Lidhur me këtë çështje, jam mjaftuar me atë që transmeton Abdullah Ibnu Abasi i cili thotë:"Kur deshi Zoti ta ngrejë Isain në qiell, ai qëndroi mes dishepujve të tij në shtëpi, numri i të cilëve ishte dymbëdhjetë.
 
 
Ai hyri mes tyre me flokët që i kullonin ujë dhe u tha:"Është njëri prej jush, që do të më përgënjeshtrojë dymbëdhjetë herë, pasi ka besuar." Pas pak u tha:"Cili prej jush pranon të marrë imazhin tim dhe të vritet në vendin tim? Ai që do e bëjë këtë, do të jetë përbri meje (në xhenet)." Në çast brofën më i riu ndër dishepujt, por Isai a.s e uli dhe nuk e pranoi për shkak të moshës. Isai a.s u drejtohet sërish dishepujve me fjalët:"Kush prej jush pranon të flijohet në vendin tim?" Të gjithë heshtën, përveç djaloshit të ri i cili tha:"Unë." Isai a.s i tha:"Ti do të jesh atëherë." dhe në çast djaloshit iu dha pamja e Isait a.s. Isai a.s u ngrit në qiell nëpërmjet baxhës së tavanit, ndërkohë që dishepujt e ndiqnin me sy. Kur erdhën ushtarët e mbretit, morën djaloshin që kishte pamjen e Isait a.s, e vranë dhe pastaj e kryqëzuan."
 
 
 
Ushtarët arrestuan dhe dishepujt, të cilët pranuan se ishin shokët dhe dishepujt e Isait a.s, përveç njërit që e mohoi këtë fakt. Ushtarët e lanë të lirë këtë person, por lajmet ishin të sigurta se edhe ai ishte dishepull i Isait a.s. Atëherë e arrestuan përsëri dhe ai u betua se nuk ishte dishepull i Isait a.s. Dëshmitarët vinin e shkonin me dëshmi se ai ishte dishepulli i Isait a.s. Kur dëgjoi për këtë, ai u arratis.
 
 
Sa herë që e kapnin dhe hetonin, ai e mohonte faktin se kishte qenë dishepull. Kjo vazhdoi dymbëdhjetë herë. Më vonë, hebrenjtë iu frikësuan trazirave që mund të ndodhnin nëse do të vazhdonin me persekutimin e të gjithë atyre që i kishin besuar Isait a.s, prandaj i lanë të qetë, me kusht që të mos e propogandojnë fenë. Kështu, dishepujt u detyruan të propogandojnë në fshehtësi.
 
 
Krishterimi vazhdoi të përhapej në fshehtësi për dyqind e dyzet vite me radhë. Krishterimi triumfoi vetëm kur u përqafua nga Kostandini, perandori romak. Ai u bë i krishter, por arriti të fusë shumë paganizma të trashëguara nga feja e tij e parë. Për dyqind e dyzet vite, të krishterët jetuan në monoteizëm të pastër. Ishte Konstandini ai që e përzieu krishterimin me paganizma dhe ishte ai që i zgjidhte muërgjërit dhe peshkopët sipas interesit.
 
 
Që atëherë krishterimi filloi devijimin. Thotë Abdullah ibnu Abasi:"Të krishterët u ndanë në tre grupe: Njëri grup tha:"Mes nesh ishte vetë Zoti, i cili qëndroi sa deshi dhe u ngjit në qiell. – këta njihen si Jakobinjtë – Grupi i dytë thanë:"Mes nesh ishte biri i Zotit, i cili qëndroi sa deshi dhe u ngjit në qiell – Këta janë Nestorianët, të cilët përfaqësojnë shumicën e të krishterëve – Grupi i tretë thanë:"Mes nesh ishte robi i Zotit dhe i dërguari i Tij. Ai qëndroi sa deshi dhe pastaj Zoti e ngriti në qiell. – Këta janë myslimanët." Edhe sot e kësaj dite, ekziston një sekt i krishterë të cilët quhen Unitarian, të cilët besojnë se Isai a.s (Jezusi) ishte profet dhe i dërguar i Zotit. Ata kanë kishat e tyre dhe Ungjillin i cili nuk përmban paganizma. Ky ungjill njihet me emrin Ungjilli i Barnapas.
 
 
Gjatë qëndrimit tim në Amerikë, i kam parë vetë unitarianët dhe kishat e tyre. Veçse duhet të theksoj se numri i tyre është shumë i vogël. Thotë Abdullah ibnu Abasi:"Dy grupet e para triumfuan mbi grupin e tretë dhe e mbytën zërin e tyre. Zëri i drejtë i islamit vazhdoi i mbytur, derisa Zoti dërgoi Muhamedin a.s.
 
 
 
Ky është dhe interpretimi i ajetit:"Prandaj Ne i forcuam besimtarët kundër armikut të tyre dhe ata dolën ngadhënjimtarë.” (Saf, 14) Thotë Zoti i lartësuar:"dhe për fjalët e tyre: "Ne e vramë Mesihun – Isain, të birin e Merjemes, të dërguarin e Allahut”. Por, ata as e vranë, as e kryqëzuan, por ashtu u është dukur. Ata që nuk u pajtuan për çështjen e tij, - pasi menduan se e vranë Isain a.s, u zbulua se njëri nga dishepujt mungonte. Ata thanë:"Nëse kemi vrarë Isain, ku është filan dishepull? Dhe nëse kemi vrarë dishepullin, ku është vetë Isai? - me siguri që gjenden në dyshim për të. Ata nuk kanë ditur kurrgjë për të, por vetëm kanë hamendësuar. Ata, në të vërtetë, nuk e kanë vrarë. por, Allahu e ka ngritur pranë Vetes.
 
 
Allahu është i Plotfuqishëm dhe i Gjithëdijshëm." (Nisa, 158-159) Ngritja në qiell e profetit Isa a.s, është shenjë e Ditës së Kiametit Një ndodhi të tillë të pazakontë, Zoti i lartësuar e ka shënjestruar si sinjal i afrimit të Ditës së Kiametit. Thotë Zoti në Kuran mbi këtë fakt:"Në të vërtetë, Isai është shenjë e Orës (së Kiametit), në ardhjen e të cilës mos dyshoni kurrsesi. Pra, ndiqmëni mua, kjo është rruga e drejtë!" (Zuhruf, 61) Kështu u ngrit në qielli profeti Isa a.s, i cili vazhdon të jetë i gjallë dhe vetëm pak kohë para se të ndodhë Kiameti do të kthehet sërish në tokë.
 
 
 Ai do të kthehet për të vrarë Dexhallin. Thotë profeti Muhamed a.s në një hadith të transmetuar nga imam Ahmedi dhe Ebu Daudi:"Profetët janë vëllezër të një babai, i përkasin një feje dhe kanë nëna të ndryshme. Unë jam njeriu më i afërt me Isain birin e Merjemes, sepse mes tij dhe meje nuk ka asnjë profet tjetër.
 
 
 
Ai do të kthehet dhe nëse e shihni, besojeni. Ai është as i gjatë dhe as i shkurtër, me fytyrë të bardhë që anon nga e skuqura, flokët i duken sikur i kullojnë ujë, edhe pse nuk i ka të lagura. Ai do të zbresë tek minareja e bardhë e xhamisë në Damask. Ai do të thyejë kryqin, do të vrasë derrin, anullon taksat, shfuqizon të gjithë fetë përveç islamit. Në kohën e tij, Zoti do vrasë dhe Dexhallin.
 
 
Toka do të përfshihet nga drejtësia, saqë devetë do të kullosin me luanët, lopët me tigrat dhe delet me ujqërit, kurse fëmijët do të luajnë me gjarpërinjtë pa e dëmtuar njëri-tjetrin. Ai do të qëndrojë në tokë për dyzet ditë, pastaj do të vdesë." Siç thamë, Isai a.s nuk ka vdekur, por jeton i gjallë në qiell. Ai do të vdesë pas zbritjes në kohën e Dexhallit.
 
 
Do të jenë myslimanët ata që do i falin xhenazen dhe do e varrosin. "Le të jetë paqja e shpëtimi mbi mua, në ditën që kam lindur, në ditën që do të vdes dhe në ditën që do të ringjallem!” (Merjem, 33) Isai a.s Ditën e Gjykimit Ditën kur të gjithë njerëzit do të ringjallen, Zoti i lartësuar do i kërkojë Isait a.s sqarim mbi faktin që njerëzit e konsideronin atë si bir të Zotit.
 
 
Kjo ceket në Kuran, ku Zoti i lartësuar thotë: "Pastaj Allahu do të thotë (në Ditën e Gjykimit): "O Isa, i biri i Merjemes! Ti ishe ai që u the njerëzve: "Adhuromëni mua dhe nënën time si zota krahas Allahut”?! Isai do të thotë: "Qofsh i lartësuar dhe i lavdëruar! Mua nuk më takon të them diçka, për të cilën nuk kam aspak të drejtë! Po ta kisha thënë ndonjëherë, Ti me siguri do ta dije.
 
 
Ti e di çfarë ka në shpirtin tim, po unë nuk e di çfarë ka në Veten Tënde. Vetëm Ti i di të gjitha të fshehtat. Unë nuk u kam thënë asgjë tjetër, përveç asaj që më ke urdhëruar Ti: "Adhuroni Allahun, Zotin tim dhe Zotin tuaj!” Kam qenë dëshmitar, për sa kohë që kam jetuar midis tyre dhe, qëkurse më more mua, vetëm Ti ishe mbikëqyrës i tyre.
 
 
Ti je Dëshmitar për çdo gjë." (Maide, 116-117) O ithtarët e Librit! Mos e kaloni kufirin në besimin tuaj dhe për Allahun thoni vetëm të vërtetën! Mesihu - Isai, i biri i Merjemes, është vetëm i Dërguar i Allahut dhe Fjala e Tij, të cilën ia ka dërguar Merjemes, si dhe shpirt (i krijuar) nga Ai.
 
 
Pra, besojini Allahut dhe të dërguarve të Tij! Dhe mos thoni: "Tre zota”! Hiqni dorë, se është më mirë për ju! Allahu është vetëm një Zot - qoftë lavdëruar Ai! Ai është tepër i lartësuar për të pasur fëmijë.
 
 
E Tij është gjithçka që gjendet në qiej dhe në Tokë. Allahu mjafton për rregullimin e gjithësisë. Mesihu nuk do ta përbuzte kurrë që të ishte rob i Allahut, as edhe engjëjt më të afërm. Ata që e shpërfillin dhe e nënçmojnë me arrogancë adhurimin ndaj Tij, Allahu do t’i sjellë të gjithë para Vetes." (Nisa, 171-172) Profeti Isa a.s ishte profet i nderuar, i cili u pasua nga profeti dhe i dërguari më i mirë i Zotit, nga vula e profetëve, Muhamed Mustafaja a.s.
 
 
E lusim Zotin ta pranojë këtë mund dhe ta shënojë në regjistrin e veprave tona të mira! E lusim Zotin që të ndjekim gjurmët e profetëve në ftesë, vepra, devocion dhe përkushtim! Paqa e Zotit qoftë mbi profetin Muhamed, profetët e tjerë dhe të gjithë ata që ndjekin rrugën e tyre! Amin!!!

Historia e profeteve,profeti Lut a.s.


Ngjarjet e historisë së Lutit a.s, zhvillohen gjatë jetës së profetit Ibrahim a.s, i cili ishte xhaxhai i Lutit a.s. Babai i Lutit a.s quhej Haran dhe ishte vëlla i Ibrahimit a.s.  Kështu, Luti a.s është djali i vëllait të Ibrahimit a.s. Emri i profetit Lut a.s, përmendet në Kuran njëzet e shtatë herë, në katërmbëdhjetë sure. Duke qenë se babai i kishte vdekur në moshë të vogël, Luti a.s ishte rritur në shtëpinë e gjyshit të tij Tarih, me xhaxhain Ibrahim a.s. Ai ishte shumë i lidhur me Ibrahimin a.s. Kur Ibrahimin a.s e hodhën në zjarr dhe nuk e dogji, asnjë nga njerëzit nuk e besoi. I vetmi që e besoi ishte pikërisht Luti a.s. Këtë fakt e përmend dhe Zoti i lartësuar në Kuran, ku thotë:“Luti i besoi atij” (Ankebut, 26)

Kur Ibrahimi a.s vendosi të shpërngulej nga Babilonia, iu bashkëngjit edhe Luti a.s, i cili tha: “Unë do të mërgoj te Zoti im; me të vërtetë, Ai është i Plotfuqishmi dhe i Urti.” (Ankebut, 26)

Siç e cekëm dhe në historinë e Ibrahimit a.s, Luti u dërgua në fshatin Sedom. Ky vendbanim ndodhet pranë detit të vdekur, i cili sot njihet edhe me emrin deti i Lutit. Përveçse ishte një qendër biznesi e fuqishme, ky vendbanim përbënte një stacion pushimi të rëndësishëm për të gjithë udhëtarët dhe karvanët. Banorët e këtij qyteti ishin jobesimtarë dhe të shthurur. Zoti përmend në Kuran thënien e melekëve të dërguar për shkatërrimin dhe ndëshkimin e këtij qyteti dhe thotë:“Ne i nxorëm të gjithë besimtarët që ishin në atë qytet, ndonëse aty gjetëm vetëm një shtëpi myslimane.” (Dharijat, 35-36)

Vetëm shtëpia e Lutit a.s ishin besimtarë, ndërkohë që gjithë të tjerët jobesimtarë. Sikur kjo të mos mjaftonte, ata ishin njerëz shumë të shthurur dhe të degjeneruar, gjë të cilën e kishin kthyer në art. Paturpësitë e tyre nuk i kishte vepruar askush gjer atëherë. Ishin të parët që vepronin gjëra kaq të pahijshme dhe të turpshme.

“Kujtoni fjalët e Lutit, i cili i tha popullit të vet: “Përse bëni paturpësi të tilla që askush nuk i ka bërë në botë?”. Ju u qaseni meshkujve me epsh – në vend të femrave. Me të vërtetë, ju jeni popull që e teproni me të këqija!” (Araf, 80-81)

Origjina e homoseksualitetit e ka zanafillën pikërisht tek ky popull i pamoralshëm. Shumë njerëz sot rreken që homoseksualitetin ta paraqesin si diçka të natyrshme, si një ndjenjë që lind me lindjen e njeriut dhe që ekziston në gjenet e tij. Pa dyshim që kjo nuk është aspak e vërtetë. Ai nuk është gjë tjetër përveçse perversitet dhe deviacion nga natyra e pastër. Nëse do të ishte diçka që lind bashkë me njeriun dhe ekziston në gjenet e tij, do të ishte përhapur që para popullit të Lutit a.s.

“(Ata) thanë: “Ne jemi dërguar te një popull keqbërës (për ta shkatërruar të gjithin), përveç familjes së Lutit. Ne do t’i shpëtojmë të gjithë ata.” (Hixhr, 58-59)

Luti a.s u thoshte:

“Vallë, ju, nga e gjitha bota, iu qaseni meshkujve e i lini mënjanë gratë tuaja, të cilat Zoti juaj i ka krijuar bashkëshorte për ju?! Njëmend, ju jeni popull që kaloni çdo kufi të së keqes.” (Furkan, 165-166)

Në shumë ajete, Zoti i lartësuar e paraqet në formën më të shëmtuar dhe të neveritur një vepër të tillë.

“Kur Luti i tha popullit të vet: “Përse bëni vepra të mbrapshta e të turpshme, madje në sytë e njëri-tjetrit?” (Neml, 54)

Paturpësia e tyre kishte shkelur çdo kufi, saqë burrat e ushtronin homoseksualitetin haptazi.

“Vallë, a mos ju u qaseni me epsh meshkujve, në vend të femrave? Në të vërtetë, ju jeni popull i paditur.” (Neml, 55)

Një gjuhë të tillë, Zoti nuk e ka përdorur për asnjë popull tjetër. Në Kuran, populli i Lutit a.s përshkruhen me nofka më të ndryshmet: Jobesimtarë, kriminelë, shpërdorues, të shthurur, agresorë dhe shkelës të çdo kufiri, xhahilë etj…

“Kur Luti i tha popullit të vet: “Vërtet, ju bëni të tilla lapërdhi, që askush para jush nuk ka bërë në botë: bëni marrëdhënie me meshkuj, u zini pusi atyre dhe në tubimet tuaja bëni punët më të ndyra.” (Ankebut, 28-29)

Sa herë që mblidheshin dhe tuboheshin në një vend, ata ushtronin veprat më të liga dhe të turpshme. Ata nuk kishin humbur çdo normë morali dhe mirësjellje, saqë në tubimet e tyre, qeshnin dhe gajaseshin me gazrat e njëri-tjetrit.

I gjendur në një situatë të tillë, Luti a.s filloi t’i ftojë dhe t’i këshillojë që të distancohen nga vepra të tilla. Thotë Zoti në Kuran:“Populli i Lutit i quante gënjeshtarë të dërguarit. Kujto kur vëllai i tyre – Luti, u tha: “Vallë, a nuk i frikësoheni ju Allahut? Pa dyshim, unë jam i dërguar i besuar për ju, andaj, frikësojuni Allahut dhe bindmuni mua! Për këtë, unë nuk kërkoj nga ju kurrfarë shpërblimi, mua do të më shpërblejë vetëm Zoti i botëve.” (Shuara, 160-164)

Janë pothuaj të njëjtat fjalë dhe këshilla të profetëve të tjerë, që ua drejtonin popujve të tyre. Populli i Lutit a.s iu përgjigj:

“..populli i tij nuk kishte tjetër përgjigje, përveç se tha: “Na e sill dënimin e Allahut, nëse thua të vërtetën”! (Ankebut, 29)

Po të njëjtën përgjigje kishin dhënë dhe popujt e profetëve të mëparshëm.

“Në fakt, Luti i paralajmëroi ata për fuqinë e dënimit Tonë, por ata i vunë në dyshim paralajmërimet.” (Kamer, 36)

“Përgjigjja e popullit të tij ishte: “Dëbojini ata nga vendbanimi juaj! Ata janë njerëz që duan të mbahen të dëlirë.” (Araf, 82)

Të gjithë njerëzit e këtij qyteti, ishin të ligë dhe të degjeneruar, përveç Lutit a.s dhe dy vajzave të tij. Duke parë se Luti a.s dhe vajzat e tij, ishin të dëlirë dhe të moralshëm, ata vendosën t’i përzënë nga qyteti i tyre.

“Ata thanë: “Nëse nuk tërhiqesh nga këto, o Lut, me siguri do të jesh i dëbuar”. Ai tha: “Unë kam vërtet neveri për atë që bëni ju!” (Furkan, 167-168)

Mandej, Luti a.s u lut:”O Zoti im, më shpëto mua dhe familjen time nga ajo që bëjnë ata!” (Furkan, 169)

Duke qenë se filloi t’i humbasë shpresat, pasi e kërcënonin se nëse u flet, do e dëbojnë, Luti a.s u mbyll në shtëpi ku filloi të lutej. Ai nuk kishte askënd që ta ndihmojë dhe ta përkrahë në atë qytet, pasi ishte i ardhur.

“Ai tha: “O Zoti im, më ndihmo kundër popullit që bën mbrapshti”! (Ankebut, 30)

Zoti i lartësuar ia pranoi lutjen Lutit a.s dhe menjëherë nisi melekët e tij, Xhibrilin a.s, Mikailin dhe melekun e vdekjes. Fillimisht, këta tre melekë, u ndalën tek Ibraimi a.s, që t’i jepnin sihariqin e lindjes së Is’hakut a.s. Gjatë qëndrimit, Ibrahimi a.s i pyeti:”Ai i pyeti: “Cili është qëllimi juaj, o të dërguar?” Ata thanë: “Ne jemi dërguar te një popull keqbërës, për të hedhur mbi ta gurë prej balte të pjekur, të shënuar te Zoti yt, për ata që e kalojnë kufirin (në të këqija)”. (Dharijat, 31-34)

“Dhe, pasi të dërguarit Tanë i sollën lajmin e mirë Ibrahimit, i thanë: “Ne do t’i zhdukim banorët e këtij vendbanimi, sepse banorët e tij janë vërtet keqbërës”.(Ankebut, 31)

Ibrahimit a.s i vajti menjëherë mendja tek Luti a.s, i cili banonte pikërisht në Sedom. Duke dashur që të mos e shkatërrojnë atë popull, Ibrahimi a.s filloi t’i vonojë me fjalë. Ai i pyeti:”A do e shkatërronit një popull, në mesin e të cilit gjenden treqind besimtarë?” Melekët u përgjigjën:”Jo.” Ibrahimi a.s i pyeti:”Po sikur të kishte dyqind besimtarë?” Melekët u përgjigjën:”Jo.” Ibrahimi a.s i pyeti:”Po sikur të kishte dyzet besimtarë, a do e shkatërronit?” Melekët u përgjigjën:”Jo, nuk do e shkatërronim.” Ibrahimi a.s i pyeti:”Po sikur të kishte katërmbëdhjetë besimtarë?” Melekët iu përgjigjën:”Jo.” Ibrahimi a.s i pyeti për herë të fundit:”Po sikur të kishte vetëm një besimtar?!” Melekët u përgjigjën:”Edhe sikur të ketë vetëm një besimtar, nuk e shkatërrojmë.”Atëehrë Ibrahimi a.s u tha:”Dijeni se mes atij populli është Luti që është besimtar.”

Diçka e tillë përmendet shkurtimisht në ajetin:“Ai (Ibrahimi) tha: “Por atje banon edhe Luti!” Ata thanë:“Ne e dimë më mirë kush është atje. Ne do ta shpëtojmë atë dhe familjen e tij, përveç gruas së tij: ajo do të qëndrojë me ata që do të mbesin(për t’u dënuar)”. (Ankebut, 32)

“Pasi i kaloi frika Ibrahimit dhe i erdhi lajmi i gëzuar, ai polemizoi me të dërguarit Tanë për popullin e Lutit. Vërtet, Ibrahimi ishte i butë, i dhembshur e vazhdimisht i kthyer (tek Allahu).” (Hud, 74-75)

Gjatë gjithë kësaj kohe, Ibrahimi a.s rrekej që t’ua kthejë mendjen melekëve dhe të mos e dënojnë popullin e Nuhut a.s. Po Zoti ndërhyri dhe i tha:”O Ibrahim, shmangu prej kësaj! Me të vërtetë, erdhi urdhri nga Zoti yt dhe ata do t’i gjejë dënimi i pashmangshëm.” (Hud, 76)

 

Tre melekët, në Sedom

Pas takimit me Ibrahimin a.s, tre melekët u drejtuan për në Sedom. Atje, ata u shfaqën si tre të rinj shumë të hijshëm. Kjo bëhej për t’i sprovuar këta njerëz dhe për t’ua faktuar pa ligësitë dhe paudhësitë e tyre. Zoti i kishte urdhëruar të mos e shkatërronin, derisa të dëgjonin dhe dëshminë e profetit të këtij populli. Kur tre melekët në formë të rinjsh, arritën pranë qytetit, i pa një nga  vajzat e Lutit a.s, e cila kishte dalë për të mbushur ujë. Ajo u kërkoi të prisnin aty ku ishin dhe me vrap u nis për tek i ati, të cilit i tregoi se kishte pikasur tre djelmosha të rinj dhe të hijshëm që nuk ishin nga Sedomi. Luti a.s doli nga shtëpia dhe shkoi i takoi tre të rinjtë. Ai i pyeti se përse kishin ardhur në atë qytet dhe të rinjtë i thanë se kishin ardhur si miq. Luti a.s donte t’u kërkojë të mos hyjnë në atë qytet për shkak të perversitetit të banorëve të tij, por kur i thanë se ishin miq, i erdhi zor t’i dëbojë. Ai i mori me vete për në shtëpinë e tij dhe gjatë rrugës, filloi t’u tregojë mbi perversitetin dhe paudhësitë e banorëve të Sedomit, por këtë në mënyrë indirekte. Për Zotin – u tha – nuk njoh njerëz mbi faqen e tokës, me të ligë se këta. Melekët nuk folën por vazhduan rrugën. Luti a.s ua përsëriti sërish këtë, duke dashur t’u thotë që të kthehen pasi pasojat mund të ishin fatale. Këtë ai ua përsëriti katër herë, ndërkohë që melekët e regjistronin këtë dëshmi të profetit Lut a.s. Me të arritur në shtëpi, Luti a.s i futi brenda. Gruaja e Lutit a.s ishte jobesimtare, madje merrte pjesë në paudhësitë e Sedomit. Me t’i parë këta tre djelmosha të rinj, ajo vajti tek vendi ku tuboheshin njerëzit dhe u tha:”Në shtëpinë tonë gjenden tre djelmosha, më të hijshëm se ata nuk më kanë zënë sytë ndonjëherë.”

Me ta marrë vesh këtë njerëzit, u drejtuan me vrap drejt shtëpisë së Lutit a.s.

Këtë moment e përshkruan Zoti i lartësuar në Kuran ku thotë:“Populli i tij, që më parë pat punuar vepra të këqija, u vërsul drejt atij.” (Hud, 78)

“Banorët e qytetit erdhën tek ai gjithë gëzim.” (Hixhr, 67)

Luti a.s doli nga shtëpia, duke dashur t’i mbrojë dhe u drejtua njerëzve:”(Luti) tha: “O populli im, këto janë bijat e mia. – çdo profet i konsideron gratë e vendit ku jeton, si vajzat e veta. Ky është mendimi i drejtë dhe i shumicës së dijetarëve. Ata që mendojnë se Luti a.s u ofroi të kryejnë marrëdhënie jashtëmartesore me vajzat e tij, ka gabuar rëndë. Si mund ta bëjë këtë Luti a.s, që ishte profet i Zotit?! – Ato për ju janë më të pastra, e frikësojuni Allahut dhe mos më turpëroni para mysafirëve të mi. A nuk ka midis jush një njeri me mend?” Ata thanë: “Ti e di se ne nuk kemi të drejtë për bijat e tua. Në të vërtetë, ti e di se ç’duam ne”. Ai tha: “Sikur unë të kishafuqi (që t’ju dëboj) ose të mbështetesha në ndonjë krah të fuqishëm!” (Hud, 78-79)

Luti a.s nuk kishte njerëz dhe farefis në atë vend. Njerëzit e vetëm që i bindeshin ishin dy vajzat e tij. Edhe gruaja e tij ishte jobesimtare.

Në një hadith, profeti Muhamed a.s thotë:”Zoti e mëshiroftë vëllain tim Lutin. Ai ishte nevojë për mbështetje dhe krah të fuqishëm.” (Buhari dhe Muslim)

Thonë dijetarët myslimanë:”çdo profet tjetër, Zoti e dërgoi me mbështetje dhe farefis.”

“Banorët e qytetit erdhën tek ai gjithë gëzim. Luti u tha: “Këta janë mysafirët e mi, andaj mos më turpëroni! Kijeni frikë Allahun e mos më poshtëroni!” Ata thanë: “A nuk ta kemi ndaluar ne që të presësh mysafirë?” (Hixhr, 67-70)

Njerëzit e Sedomit ia kishin ndaluar t’i këshillonte dhe e kishin ndaluar të presë mysafirë e miq.

“Ai tha: “Ja vajzat e mia! Nëse doni të bëni çka synoni (martohuni me to)”. (Hixhr, 71)

“Betohem për jetën tënde (o Muhamed), se ata ishin vërtet të përhumbur në dehjen e tyre!” (Hixhr, 72)

Thonë komentuesit e Kuranit:”Kurrë Zoti nuk është betuar në jetën e dikujt tjetër, përveç jetës së profetit Muhamed a.s.”

Epshi ua kishte mbuluar arsyen banorëve të Sedomit dhe dukeshin si të dehur. Në një moment, njerëzit tentuan të hyjnë në shtëpinë e Lutit a.s me forcë, por ai u kërkoi një shans të fundit, që të prisnin pak. Luti a.s hyri brenda në shtëpi, t’ua qajë hallin këtyre tre të rinjve. Kur hyri brenda, ai i gjeti të qetë sikur të mos kishin dinin asgjë. I habitur nga kjo sjellje, Luti a.s u tha:

“ai tha: “Unë nuk ju njoh ju!” Ata thanë: “Jo, ne të kemi sjellë atë, në të cilën ata dyshojnë, të kemi sjellë të vërtetën, prandaj të jesh i sigurt se ajo që të themi, do të bëhet.” (Hixhr, 62-64)

“Kur të dërguarit Tanë (engjëj) shkuan tek Luti, ai u shqetësua dhe u ngushtua (për ata, sepse nuk i mbronte dot). Ata i thanë:“Mos u frikëso dhe mos u brengos! Ne do të të shpëtojmë ty dhe familjen tënde, përveç gruas tënde. Ajo do të mbesë me ata që janë për dënim. Në të vërtetë, Ne do të lëshojmë dënim nga qielli, mbi banorët e këtij vendbanimi ngase ata janë të prishur”. (Ankebut, 33-34)

“Thanë (mysafirët): “O Lut! Ne jemi të dërguarit e Zotit tënd. Ata nuk mund të të bëjnë ty asgjë e pra, nisu ti me familjen tënde në orët e vona të natës dhe askush prej jush të mos këqyrë prapa, përveç gruas sate. Atë do ta godasë ajo që do t’i gjejë edhe ata.” (Hud, 81)

Gruaja e Lutit a.s do të ndëshkohej bashkë me njerëzit e tjerë, ashtu siç ndodhi me gruan e Nuhut a.s më parë. “Allahu ka dhënë si shembull për ata që nuk besojnë, gruan e Nuhut dhe gruan e Lutit. Ato ishin të martuara me dy nga robtë Tanë të ndershëm dhe i tradhtuan ata.” (Tahrim, 10)

Të gjithë interpretuesit e Kuranit kanë mendim unanim, që tradhtia e dy grave të profetëve është tradhëti besimi dhe jo nderi. Është e papranueshme për familjet e profetëve të Zotit të ndodhin gjëra të tilla. Gratë e profetëve, edhe pse mund të mos jenë besimtare, nuk i cenojnë burrat e tyre tek nderi. Edhe pse gruaja e Lutit a.s i mbështeste njerëzit në vepra të liga, ajo vetë nuk e ushtronte ligësinë.

Njerëzit që prisnin jashtë, nga padurimi vendosën ta shkallmojnë derës, por në çast del Xhibrili a.s dhe me një të goditur ua verbon sytë. Thotë Zoti në Kuran:“Ata i kërkuan t’ua dorëzonte mysafirët e tij. Por Ne ua verbuam sytë (e u thamë): “Shijoni dënimin Tim, tani që e dëgjuat paralajmërimin Tim!” (Kamer, 37)

Megjithatë, njerëzit nuk zunë mend dhe kujtuan se Luti a.s i ka bërë ndonjë magji. Prandaj filluan me kërcënime dhe shantazhe, duke i thënë:”Do e shohim nesër këtë punë!” Ata morën rrugën e kthimit në shtëpi, duke u mbështetur pas mureve.

Melekët i thanë Lutit a.s:”Afati i tyre është agimi i ditës. Vallë, a nuk është afër agimi i ditës?!” (Hud, 81)

Melekët lanë agimin e ditës së nesërme si çastin përfundimtar të ndëshkimit, me qëllim që Luti a.s dhe vajzat e tij të kenë kohë të largohen.

“nisu ti me familjen tënde në orët e vona të natës dhe askush prej jush të mos këqyrë prapa,

“Nisu me familjen tënde në një kohë të natës, shko pas tyre e askush prej jush të mos shikojë prapa, por vazhdoni në drejtimin e urdhëruar! Dhe Ne ia shpallëm atij atë që do të ngjajë: që i gjithë populli i tij, deri në të mbramin, do të zhdukej në agim.” (Hixhr, 65-66)

“Dhe Ne e shpëtuam atë dhe familjen e tij – të gjithë, përveç një plake (gruas së Lutit), e cila mbeti me të tjerët. Pastaj, të tjerët i shkatërruam.” (Shuara, 170-172)

“Ne dërguam një stuhi gurësh mbi ta, duke hequr familjen e Lutit, që e shpëtuam në agim. falë mëshirës Sonë. Ja, kështu Ne i shpërblejmë ata që falënderojnë.”(Kamer, 34-35)

Luti a.s u largua nga qyteti Sedom, i shoqëruar vetëm nga dy vajzat e tij. Të nesërmen, me ardhjen e agimit, zë fill dhe ndëshkimi i këtij populli të lig dhe të shthurur. Thotë Zoti në Kuran:”të nesërmen në mëngjes, ata i goditi dënimi i përhershëm. “Shijoni dënimin Tim, tani që e dëgjuat paralajmërimin Tim!” (Kamer, 38-39)

Xhibrili a.s e fut krahun e tij poshtë qytetit, e ngre atë lart në qiell, saqë melekët dëgjonin këngën e gjelave dhe lehjen e qenve. Vetë njerëzit dëgjonin lartësimin dhe madhështimin që melekët i bënin Zotit. Gjatë kohës që i gjithë qyteti ishte lart në qiell, filluan t’u bien shkëmbinj nga qielli. Secili nga banorët goditej nga një shkëmb i piketuar enkas për të. Mandej Xhibrili a.s lëshon një ulërimë të frikshme, nga e cila të gjithë banorët humbasin vetëdijen. Kjo u pasua nga përmbysja e qytetit dhe përplasja përtokë. Kjo përmendet dhe në Kuran, ku Zoti thotë:

“Kur erdhi urdhri Ynë, Ne e përmbysëm çdo gjë, – ato që ishin lart, i kthyem poshtë dhe mbi ata lëshuam gurë nga balta e pjekur, duke rënë vazhdimisht, si shiu. (Ato ishin gurë) të shënuar (për dënim) te Zoti yt. Dënimi nuk është larg nga keqbërësit.”(Hud, 82-83)

“Ata i kaploi zëri i tmerrshëm (i Xhebrailit) kur lindi Dielli, dhe Ne e kthyem qytetin përmbys, duke lëshuar mbi ata shi gurësh prej dheut të pjekur.” (Hixhr, 73-74)

“Mbi ata lëshuam një breshëri gurësh. Eh, sa i keq që ishte ai shi, për ata që janë paralajmëruar! Sigurisht, në këtë ka këshillë, por shumica e tyre nuk janë besimtarë. Në të vërtetë, Zoti yt është i Plotfuqishëm dhe Mëshirëplotë.” (Shuara, 173-175)

“se Ai i asgjësoi edhe qytetet e përmbysura (të popullit të Lutit), të cilat i mbuloi ajo që i mbuloi?! Atëherë, në çfarë dhuntie të Zotit tënd dyshon ti? Ky (Profet) është paralajmërues si ata të mëparshmit. Ora e Kiametit po afrohet.” (Nexhm, 53-57)

Kështu u ndëshkua dhe u shkatërrua përfundimisht Sedom, që ndodhej pranë detit të vdekur. Ajo ka mbetur shenjë dhe fakt për të gjithë njerëzit që t’i ruhen dënimit të Zotit, t’u shmangen veprave të liga, ku ndër me e rrezikshmja është ajo që vepronin populli i Lutit a.s.

Historia e profetit Ibrahim a.s.

Pas vdekjes së Salihut a.s dhe me kalimin e viteve, idhujtaria filloi të përhapej sërish mes njerëzve. Shejtani e realizoi premtimin e tij edhe një herë në Palestinë, Gadishullin Arabik, Irak, Egjipt etj…

Me këtë rast, Zoti i lartësuar dërgon një nga profetët më të shquar, një nga pesë profetët e vendosur, babanë e profetëve, Ibrahimin a.s. Emri dhe gjenealogjia e tij ishte Ibrahim biri i Tarih. Nofka e të atit ishte Azer, për shkak se u vinte në ndihmë njerëzve të popullit të tij.

Historia e Ibrahimit a.s ceket në Kuranin fisnik në shtatëdhjetë e tre vende, gjë e cila është tregues i madhështisë së këtij Profeti dhe rëndësisë së historisë së tij. Ibrahimi a.s është nga pasardhësit e Sam-it, djalit të Nuhut a.s. Ibrahimi a.s lindi dhe u rrit në veri të Irakut, në qytetin Babiloni. Ky qytet ishte selia e civilizimit të asaj kohe dhe banorët e tij ishin idhujtarë. Thotë Zoti në Kuran:

“Dhe ai tha: “Ju, në vend të Allahut, keni zgjedhur idhujt, për shkak të dashurisë midis jush në këtë jetë.” (Ankebut, 25)

Kur ai i tha të atit dhe popullit të tij: “Ç’janë këta idhuj, që ju po i adhuroni kaq shumë?”, ata thanë: “Baballarët tanë i adhuronin këta.” (Enbija, 52-53)

“Tregoju atyre historinë e Ibrahimit, kur i tha babait të vet dhe popullit të vet: “Çfarë adhuroni ju? Ata u përgjigjën: “Adhurojmë idhujt e përherë u jemi përkushtuar atyre”. Ai i pyeti: “A ju dëgjojnë ata kur ju luteni? A mund t’ju sjellin dobi apo dëm?” U përgjigjën: “Jo, por i kemi gjetur të parët tanë që vepronin kështu.” (Shuara, 69)

Ata vetë e pranonin se ishte një rit që e kishin trashëguar nga të parët e tyre. Me pyetjet e tij, Ibrahimi a.s synonte stimulimin e tyre për të menduar dhe logjikuar mbi adhurimin e idhujve të tyre. Njeriu e adhuron Zotin, me qëllim që kur të ketë nevojë ta lusë dhe Ai t’i përgjigjet. Ai e adhuron Zotin, me qëllim që ta udhëzojë në jetë dhe ta ndihmojë të jetojë konform natyrës dhe ligjeve të Zotit. Megjithatë, këta njerëz e kishin kyçur arsyen e tyre dhe nuk ishin racionalë në këtë çështje.

Vetë Ibrahimi a.s kurrë nuk i kishte adhuruar idhujt e popullit të tij. Këtë e konfirmon vetë Zoti në Kuranin fisnik, ku thotë:“Në të vërtetë, Ne e udhëzuam Ibrahimin në rrugë të drejtë qysh më parë dhe e njihnim atë (se ishte i aftë për këtë gjë).” (Enbija, 51)

Ai e filloi përmbushjen e mesazhit të tij me babanë. Thotë Zoti:”Trego në Libër për Ibrahimin! Ai ishte njeri i së vërtetës dhe profet. Ai i tha të atit: “O babai im, përse adhuron atë që as nuk dëgjon, as nuk sheh e as që mund të të sjellë ndonjë dobi? O babai im, mua më ka ardhur prej diturisë, çfarë s’të ka ardhur ty; andaj ndiqmë mua dhe unë do të të udhëzoj në rrugën e drejtë! O babai im, mos adhuro djallin, sepse ai është gjithmonë i pabindur ndaj të Gjithëmëshirshmit. O babai im, unë kam frikë se mos të vjen ndonjë dënim nga i Gjithëmëshirshmi e kështu të bëhesh i afërm i djallit!” (Merjem, 41-45)

Përgjigja e babait të Ibrahimit a.s ishte:”Ai u përgjigj: “O Ibrahim! Si guxon t’i hedhësh poshtë zotat e mi?! Nëse nuk heq dorë, unë do të të mbys me gurë; andaj, largohu prej meje për një kohë të gjatë”! (Merjem, 46)

Ibrahimi a.s, me butësinë që e karakterizonte, i tha:“Ibrahimi tha: “Shpëtimi qoftë mbi ty! Do t’i lutem Zotit tim që të të falë. Me të vërtetë, Ai është i mirë me mua.”(Merjem, 47)

Edhe pse mori një përgjigje të vrazhdë, Ibrahimi a.s u lut për falje, paqe dhe shpëtim për të atin. Por kur kuptoi se lutja për jobesimtarët është e ndaluar, u distancua përfundimisht.

“Ndërsa lutja e Ibrahimit për faljen e babait të tij, ka qenë vetëm për shkak të një premtimi, që i kishte bërë. Por, kur iu bë e qartë se i ati ishte armik i Allahut, ai u nda prej tij. E megjithatë, Ibrahimi ishte njeri i dhembshur dhe i butë.” (Teube, 114)

Nuk i lejohet një myslimani që të lutet për një jobesimtar të vdekur, që Zoti ta falë dhe ta mëshirojë.

Duke qenë se Zoti e kishte nderuar Ibrahimin a.s, ai njihej me nofkën “Miku i Zotit”. Kjo, pasi zemra e Ibrahimit a.s ishte e mbushur me dashurinë për Zotin e lartësuar.

“Po largohem nga ju dhe nga gjithçka që ju adhuroni në vend të Allahut. Do t’i lutem Zotin tim, sepse jam i sigurt se nuk do të jem fatkeq me lutjet që ia bëj Zotit tim.” (Merjem, 48)

 

Thyerja e idhujve

Në këtë kohë, Ibrahimi a.s ishte akoma i njomë dhe i ri, tek të gjashtëmbëdhjetat. Megjithatë, ai ishte profet i nderuar dhe i ftonte njerëzit në besimin dhe adhurimin e një Zoti të vetëm. Gjatë gjithë kohës, ai mendonte se çfarë mund të bënte që njerëzit të ndërgjegjësoheshin dhe t’i ktheheshin Zotit. Një nga mendimet e shumta, ishte ç’rrënjosja e të keqes e cila simbolizohej tek idhujt. Ai filloi t’i deklarojë idetë dhe planet e tij edhe me njerëzit e tjerë. Thotë Zoti në Kuran lidhur me këtë:(Betohem)për Allahun, se do t’i flak idhujt tuaj, posa të largoheni ju!” (Enbija, 57) Lidhur me këtë ajet, disa interpretues të Kuranit, mendojnë se Ibrahimi a.s e tha diçka të tillë fshehtazi dhe jo haptazi. Por në fakt, vetë ajeti i mëposhtëm e hedh poshtë këtë mendim. Vetë njerëzit, duke parë idhujt e thyer, thanë:“Të tjerët u përgjigjën: “Dëgjuam një djalosh që i përgojonte, quhej Ibrahim.” (Enbija, 60)

Ibrahimi a.s priste një ditë, ku tempulli ku ndodheshin idhujt të mos kishte asnjë njeri. Tempulli gjatë gjithë kohës gumëzhinte nga njerëzit të cilët hynin e dilnin. Përveç ritualeve, njerëzit vendosnin ushqime të ndryshme tek idhujt, me qëllim që zotat e tyre ta bekonin këtë ushqim.

Dita e shumëpritur erdhi për Ibrahimin a.s. Babilonasit, kishin një ditë të shënuar feste, ku të gjithë dilnin dhe festonin jashtë qytetit. Pasi e linin ushqimin në mëngjes tek idhujt që ta bekojnë, ata dilnin jashtë ku festonin dhe dëfreheshin. Në fund të ditës, njerëzit ktheheshin në tempull për të marrë ushqimin e bekuar dhe për ta ngrënë.

Ndërkohë që të gjithë njerëzit bëheshin gati dhe dilnin për të festuar, Ibrahimi a.s qëndronte ulur dhe nuk fliste. Kur e panë që nuk ka ndërmend të dalë, e pyetën se çfarë kishte. Ai u tha:”Kam parë yjet dhe zbulova se sot do të jem i sëmurë. Prandaj nuk do të vij me ju për të festuar.”Pastaj u hodhi një shikim yjeve e tha: “Unë jam i sëmurë”. (Saffat, 88-89)

Thotë Profeti a.s:”Ai gënjeu, por për hatër të Zotit.”

Thotë Zoti në Kuran:“Në të vërtetë, Ne e udhëzuam Ibrahimin në rrugë të drejtë qysh më parë dhe e njihnim atë (se ishte i aftë për këtë gjë). Kur ai i tha të atit dhe popullit të tij: “Ç’janë këta idhuj, që ju po i adhuroni kaq shumë?”, ata thanë: “Baballarët tanë i adhuronin këta.” (Ibrahimi) tha: “Me të vërtetë, ju dhe baballarët tuaj keni qenë në humbje të qartë.” Ata thanë: “A po na sjell të Vërtetën apo je nga ata që tallen?” i tha: “Jo, por Zoti juaj është Zoti i qiejve dhe i Tokës. Është Ai që i ka krijuar ato, ndërsa unë jam njëri prej atyre që e dëshmojnë këtë.  (Betohem) për Allahun, se do t’i flak idhujt tuaj, posa të largoheni ju!” Dhe i bëri ata copa-copa, përveç idhullit të tyre më të madh, kështu që ata t’i drejtoheshin atij.” (Enbija, 51-58)

“Pastaj u hodhi një shikim yjeve e tha: “Unë jam i sëmurë”. Ata u larguan prej tij, duke e lënë pas. Pastaj, ai u përvodh te hyjnitë e tyre dhe u tha: “A nuk po hani? Ç’keni, përse nuk flisni?” – Juve u kanë ofruar gjithë këtë ushqim këtu, përse nuk e hani? Përse nuk flisni? – Iu afrua atyre kalimthi, duke i goditur me dorën e djathtë.”(Saffat, 88-93)

Në një ajet tjetër, Zoti thotë:”Dhe i bëri ata copa-copa, përveç idhullit të tyre më të madh, kështu që ata t’i drejtoheshin atij.” (Enbija, 58)

Ibrahimi a.s i theu idhujt, përveç idhullit më të madh, të cilit i vari në qafë kazmën me të cilën i theu të tjerët. Kur u kthyen njerëzit nga festa dhe hynë në tempull, mbetën gojëhapur. Zotat e tyre ishin thyer copë-copë.

“Disa thanë: “Kush i bëri kështu zotat tanë? Me të vërtetë, ai është keqbërës!” Disa që e kishin dëgjuar Ibrahimin a.s ndërhynë menjëherë dhe thanë:”Të tjerët u përgjigjën: “Dëgjuam një djalosh që i përgojonte, quhej brahim.” “Atëherë silleni atë para syve të botës, që ata të dëshmojnë” – thanë ata.” (Enbija, 59-61)

Menjëherë e sollën Ibrahimin a.s dhe u caktua një ditë për ta gjykuar para gjithë njerëzve. Ditën e gjyqit dhe pasi kishin ardhur njerëzit, e pyetën:

“Ata e pyetën: “Ti i bëre kështu zotat tanë, o Ibrahim?” Ai tha: “Jo! Këtë e ka bërë ky i madhi i tyre. Pyesni ata, nëse flasin!” (Enbija, 62-63)

Përderisa zoti juaj më i madh e ka kazmën në qafë, përse nuk e pyesni atë që t’ua tregojë?!

“Atëherë ata i thirrën mendjes dhe i thanë njëri-tjetrit: “Me të vërtetë, ju vetë jeni keqbërësit.” (Enbija, 64)

Edhe pse logjika dhe arsyeja ishte në anën e Ibrahimit a.s, ata nuk i besuan.

Pastaj ulën kokat dhe i thanë: “Sigurisht që ti e di, se këta nuk flasin! Ai u tha: “Mos vallë, ju adhuroni në vend të Allahut gjëra që nuk mund t’ju sjelljn kurrfarë dobie e as dëmi?! Mjerë ju dhe mjerë ata që ju i adhuroni në vend të Allahut! A nuk arsyetoni?!” (Enbija, 65-67)

“Ai u tha: “Vallë, ju adhuroni ato që i keni gdhendur vetë, ndërkohë që Allahu është Ai që ju ka krijuar juve dhe gjithçka që bëni?!” (Safat, 95-96)

E çfarë argumenti dhe fakti më të madh se t’i shihnin zotat të copëtuar dhe të thyer, mund të kërkonin?!

 

Hidheni në zjarrin flakërues

Por ata jo vetëm që nuk i besuan, por morrin vendim që ta djegin Ibrahimin a.s në zjarr. Thotë Zoti në Kuran:Ata thanë: “Përgatitni për të një furrë dhe hidheni në zjarrin flakërues!” (Safat, 97)

Ata caktuan një vend në shkretëtirë, ndërtuan një ndërtesë të madhe me gurë dhe u kërkuan të gjithë njerëzve të kontribuonin për ta mbushur me dru dhe shkarpa. Të gjithë njerëzit, burra e gra, të rritur dhe fëmijë, filluan të sjellin dru dhe gjithçka që mund të digjej, derisa e mbushën ndërtesën. Mandej, ata i vunë zjarrin turrës gjigande të druve. Kur gjithçka ishte gati, sollën dhe katapultat që ta hedhin Ibrahimin a.s në zjarrin përvëlues. Gjatë gjithë kësaj kohe, Ibrahimi a.s përsëriste me vete lutjen e atij që gjendet ngushtë dhe në pikë të hallit. Transmeton imam Buhariu se Profeti a.s ka thënë:“Hasbunallahu ve ni’mel veqil (na mjafton Allahu që është Garantuesi më i mirë), e ka thënë Ibrahimi a.s para se të hidhej në zjarr.”

Në disa transmetime të pakonfirmuara, thuhet se kur Ibrahimin a.s e hodhën me katapultë, para se të mbërrijë tek zjarri, i erdhi Xhibrili a.s dhe i tha:”O Ibrahim, a ke ndonjë nevojë?” Ibrahimi a.s iu përgjigj:”Për ty nuk kam nevojë, por për Zotin kam.”

Në një transmetim, thuhet se meleku i shiut, i kërkoi Zotit leje që të lëshojë shi për ta shuar zjarrin e Ibrahimit a.s. Por urdhri i Zotit a.s dhe vendimi i Tij ishin më të shpejtë.

“Ne thamë: “O zjarr, bëhu i ftohtë dhe shpëtim për Ibrahimin! Ata deshën ta lëndonin, por Ne i bëmë të dështonin.” (Enbija, 69)

Ibrahimi a.s ra në mes të zjarrit, i cili me urdhrin e Zotit u kthye i ftohtë dhe shpëtues për Ibrahimin a.s. Thotë Abdullah ibnu Abasi:”Nëse Zoti nuk do e kishte urdhëruar zjarrin të jetë dhe shpëtues për Ibrahimin, ai do e kishte lënduar i ftohti.”

Zjarri nuk djeg veçse me urdhër të Zotit, ashtu siç nuk pret thika veçse me urdhër të Tij. Forca dhe efekti i këtyre krijesave nuk buron nga vetja e tyre, por nga aftësia me të cilën i ka pajisur Zoti i lartësuar. Është Ai që ua jep këtë aftësi dhe është Ai që ua heq kur të dojë.

Në zjarr, Ibrahimit a.s nuk iu dogjën as rrobat e trupit. Gjëja e vetme që iu dogj, ishte litari me të cilin e kishin lidhur. I pa të meta është Zoti i lartësuar dhe i gjithëpushtetshëm.

Njerëzit pritën me padurim të shuhej zjarri, që të shohin se çfarë ka ngjarë me Ibrahimin a.s. Ata mbetën gojëhapur kur dalluan Ibrahimin a.s të padëmtuar nga zjarri. Jo vetëm kaq, por vetë Ibrahimi a.s kur u pyet se cilat kanë qenë ditët më të lumtura të jetë, është përgjigjur:”Nuk kam kaluar ditë më të lumtura sesa ditët që kalova në zjarr.”

Njerëzit e panë me sytë e tyre Ibrahimin a.s duke dalë nga zjarri, i pa lënduar prej tij. E çfarë mrekullie më të madhe prisnin që të besojnë?! Megjithatë, ata përsëri nuk besuan, por vazhduan në idhujtarinë e tyre. Nga të gjithë banorët e Babilonisë, i vetmi që besoi në Ibrahimin a.s, ishte Luti a.s. Thotë Zoti në Kuranin fisnik:“Luti i besoi atij..” (Ankebut, 26)

 

Ibrahimi a.s përballë Nemrudit

Duke parë refuzimin e banorëve të Babilonisë, Ibrahimi a.s vendosi ta lërë qytetin e tij. Ndërkohë, mbreti Nemrud, për të cilin thuhet se kishte nën hyqmin e tij gjithë botën asokohe, kishte dëgjuar për një djalosh që e kishin hedhur në zjarr dhe nuk ishte djegur. Ai kishte dërguar ushtarët që ta gjejnë dhe t’ia sjellin Ibrahimin a.s. Ushtarët e gjetën dhe e dërguan Ibrahimin a.s para Nemrudit. Në një transmetim, thuhet se mbretërit që kanë pasur gjithë tokën nën hyqmin e tyre kanë qenë katër, ku ndër ta, ka qenë dhe Nemrudi. Ai filloi ta pyesë Ibrahimin a.s mbi besimin dhe Zotin e tij. Biseda e zhvilluar mes Nemrudit dhe Ibrahimit a.s është shënuar dhe në Kuran. Thotë Zoti në suren Bekare:“A nuk ke dëgjuar ti (Muhamed) për atë që bëri fjalë me Ibrahimin për Zotin e tij, sepse Allahu i kishte dhënë pushtet? Kur Ibrahimi i tha: “Zoti im është Ai që jep jetë dhe shkakton vdekje” – ai (Nemrudi) u përgjigj: “Edhe unë mund të jap jetë e të shkaktoj vdekje”. – për të vërtetuar se edhe ai jep dhe merr jetë, Nemrudi solli dy të burgosur, njërin e ekzekutoi në çast, kurse tjetrin e liroi –  Ibrahimi pastaj i tha: “Allahu e sjell Diellin nga lindja. Sille ti nga perëndimi”! Atëherë, ai (mohuesi)mbeti me gojën hapur. Allahu nuk i udhëzon ata që janë keqbërës.” (Bekare, 258)

Duke e ditur se Ibrahimi a.s kishte shpëtuar nga zjarri, Nemrudi nuk u soll keq me të dhe e la të lirë të largohej.

 

Ibrahimi a.s në Sham (Lanton)

Pas këtij takimi me Nemrudin, Ibrahimi a.s niset për në Sham (Lanton). Ai u vendos në qytetin Haran, ku edhe u martua me Sarën. Thotë profeti Muhamed a.s:”Përveç Havasë, nuk është krijuar grua më e bukur se Sara mbi faqen e tokës.”

Siç e cekëm më lart, i vetmi që i besoi Ibrahimit a.s, ishte Luti. Thotë Zoti i lartësuar:“Luti i besoi atij dhe tha: “Unë do të mërgoj te Zoti im; me të vërtetë, Ai është i Plotfuqishmi dhe i Urti.” (Ankebut, 26)

Të dy, larguan nga Iraku dhe u vendosën në Sham. “Ne e shpëtuam atë dhe Lutin(dhe i çuam) në tokën, të cilën e kemi bekuar për njerëzit.” (Enbija, 71)

Në Haran ku u vendosën, njerëzit adhuronin idhujt. Ibrahimi a.s vendosi një plan, sipas të cilit do i ndërgjegjësonte njerëzit se adhurimi i idhujve është diçka e kotë dhe e pavlerë. Një natë, edhe Ibrahimi a.s doli bashkë me njerëzit në vendin ku adhuronin yjet.

Dhe kështu, Ne ia treguam Ibrahimit mbretërinë e qiejve dhe të Tokës, që ai të bëhej nga ata që besojnë vendosmërisht.” (En’am, 75)

Zoti ia bëri të mundur të sodisë në brendësi të qiejve dhe të tokës. Ai pa ato që sot nuk i shohin dot as me teleskopët më të fuqishëm. Një njeri që sheh mbretërinë e qiejve dhe të tokës, padyshim që do të adhurojë vetëm Zotin e lartësuar, duke u distancuar nga çdo idhulli tjetër. E themi këtë pasi disa komentues të Kuranit, janë shprehur se Ibrahimi a.s adhuroi idhujt bashkë me njerëzit e tjerë dhe më pas Zoti e udhëzoi në monoteizëm. Kjo është një gafë e madhe dhe e pafalshme. E si mund të pretendosh se një profet i Zotit adhuron yjet?! Si mund të ndodhë kjo, pasi ai kishte parë mbretërinë e qiejve dhe të tokës?!

Ibrahimi a.s doli natën bashkë me njerëzit, jo për të adhuruar yjet si ata, por për t’i ndërgjegjësuar mbi këtë veprim.

“Kur ra nata, ai pa një yll dhe tha: “Ky është Zoti im!” Por, kur perëndoi ylli, ai tha: “Nuk i dua ata që perëndojnë”. (En’am, 76)

Thuhet se ky planet ishte Afërdita, planeti më i afërt me tokën. Ai shkëlqen natën dhe mund të shihet dhe me sy. Afërdita është planet dhe jo yll, por populli i Haranit e kishin marrë për yll. Kur u shfaq Afërdita, Ibrahimi a.s tha me zë të lartë:”Ky është zoti im.” Me largimin e natës dhe fillimin e agimit, drita e Afërditës filloi të dobësohej derisa u zhduk përfundimisht. Ibrahimi a.s e pasoi këtë me pyetje të tjera, që t’i dëgjojnë njerëzit:”Ku vajti zoti im?! ç’qenka ky zot që zhduket?! Unë kam nevojë për të tani. Një zot të tillë unë nuk e dua.”

Ibrahimi a.s doli sërish natën e dytë dhe këtë herë piketoi hënën si gjoja zotin dhe idhullin e tij.

Kur pa Hënën duke lindur, tha: “Ky është Zoti im!” Por, pasi ajo perëndoi, ai tha: “Nëse Zoti im nuk më udhëzon në rrugën e mbarë, me siguri do të bëhem njëri nga të humburit”. (En’am, 76)

O Zot më drejto në rrugë të drejtë, që të besoj dhe adhuroj vetëm Ty. Të gjitha këto dëgjoheshin nga njerëzit e tjerë. Kur në mëngjes lindi dielli, Ibrahimi a.s bëri gjoja sikur ka diellin zot dhe idhull të tij, pasi ai ishte më i madhi.

“Kur vërejti Diellin duke lindur, ai thërriti: “Ky është Zoti im, ky është më i madhi!” Por, pasi dielli perëndoi, ai tha: “O populli im, unë jam larg nga idhujt që ju ia shoqëroni Allahut në adhurim! Unë e kthej fytyrën time nga Ai që i ka krijuar qiejt dhe Tokën, duke qenë besimtar i vërtetë, dhe nuk jam nga idhujtarët”! (En’am, 78-79)

Megjithatë, kishte njerëz të cilët filluan të polemizojnë dhe ta kundërshtojnë Ibrahimin a.s për ato që po thoshte. Por ai u përgjigj

“Dhe, kur populli i tij polemizoi me të, ai tha: “Doni të polemizoni me mua për Allahun, ndërkohë që Ai më ka udhëzuar në rrugën e drejtë?! Unë nuk i kam frikë idhujt tuaj, sepse vetëm po të dojë Zoti im, ato mund të më lëndojnë. Zoti im, me dijeninë e vet ka përfshirë çdo gjë. A nuk po mendoni?” (En’am, 80-81)

Njerëzit filluan ta kërcënojnë dhe t’i fusin frikën se idhujt dhe zotat e tyre do e lëndonin, për ato fjalë që thoshte.

“E si të frikësohem nga zotat tuaj të rremë, ndërkohë që ju nuk keni frikë t’i shoqëroni Allahut idhuj, për të cilët Ai nuk ju ka  zbritur kurrfarë argumenti?! Cili nga ne e meriton të jetë i sigurt? Më thoni, nëse njihni të vërtetën! Sa për ata që besojnë dhe nuk e molepsin besimin e tyre me  padrejtësi (idhujtari), pikërisht atyre u takon siguria dhe ata janë të udhëzuar.” Ky është argumenti Ynë, të cilin Ne ia dhamë Ibrahimit kundër popullit të tij. Ne ngremë kë të duam në shkallë të lartë. Vërtet, Zoti yt është i Urtë e i Gjithëdijshëm.” (En’am, 82-83)

 

Ibrahimi a.s në Egjipt

Duke qenë se njerëzit refuzuan sërish të besojnë në një Zot të vetëm dhe të gjithëpushtetshëm, Ibrahimi a.s vendosi të emigrojë sërish. Këtë herë, ai do të niset për në Egjipt.

Me të mbërritur në Egjipt, mbretit i shkon haberi se në mbretërinë e tij sapo ka shkelur e bukura e dheut. Menjëherë, ai dërgoi ushtarët që t’ia sjellin këtë grua. Ai i porositi ushtarët që nëse burri që e shoqëron është i shoqi, ta vrasin. Zoti i tregoi Ibrahimit a.s për këtë kurth. Ibrahimi a.s e porositi Sarën dhe i tha:”Nëse ushtarët që do të vijnë të pyesin se kush është ky burrë, për mua, u thuaj që jam vëllai yt. Për Zotin nuk ka njerëz të tjerë besimtarë mbi këtë tokë, përveç meje dhe teje.”

Kur mbërritën ushtarët e mbretit, e pyetën Ibrahimin a.s:”çfarë e ke këtë grua?” Ai u përgjigj:”Ajo është motra ime.” Thotë profeti Muhamed a.s:”Në kët rast, Ibrahimi a.s gënjeu.”

Dijetarët i kanë grumbulluar gënjeshtrat e ibrahimit a.s, të cilat janë:

1 – Kur u shtir si i sëmurë ditën e festës, me qëllim që t’i copëtojë idhujt.

2 – Kur u tha babilonasve se idhujt i kishte thyer më i madhi prej tyre.

3 – Kur u tha ushtarëve se Sara ishte motra dhe jo gruaja e tij.

Të tre rastet, ishin në një kontekst të caktuar dhe mund të interpretoheshin. Megjithatë, ai ndihet i pezmatuar për këto tre gënjeshtra. Kur Ditën e Kiametit njerëzit të shkojnë tek Ibrahimi a.s t’i kërkojnë të ndërmjetësojë tek Zoti që të fillojë llogari, ai do u përgjigjet:”Jo, unë kam gënjyer tre herë dhe më vjen zor nga Zoti.” Ndërkohë që njerëzit sot gënjejnë dhe mashtrojnë pa iu frikësuar aspak Zotit.

Ushtarët e çuan Sarën tek mbreti. Gjatë rrugës, ajo filloi të lutej:”O Zot, nëse e di që të kam besuar Ty dhe të dërguarit të Tënd, e kam ruajtur nderin tim dhe të burrit, më mbro nga ky qafir!”

Kur mbreti i veçua në një dhmë me Sarën, zgjati dorën ta prekë, por në çast dora i paralizohet dhe i ngrin në vend. Ai filloi të ulërijë dhe bërtasë, gjë e cila bëri që ushtarët dhe njerëzit të hyjnë menjëherë në dhomë. Duke u frikësuar se mos i bëjnë keq, Sara e luti Zotin që ta shërojë dhe u shërua. Megjithatë, mbreti nuk zuri mend. Ai kujtoi se qe diçka momentale dhe e papritur dhe menjëherë zgjati dorën ta prekë, për sërish dora iu ngri në ajër. I gjendur në këtë situatë, mbreti i tha:”Më lësho!” Sara e luti Zotin dhe dora iu kthye siç e kishte më parë. Megjithatë sërish nuk zuri mend dhe zgjati dorën ta prekë, por edhe këtë herë iu ngri. I frikësuar, i tha:”Më lësho se do të fal lirinë.” Sara e luti Zotin dhe dora iu shërua. Ai thirri këshilltarët dhe u tha:”Ma hiqni qafe këtë grua. Për Zotin nuk më keni sjellë njeri, por shejtan.”

Mbreti i dha shumë dhurata me vete Sarës para se të ikte nga pallati. Ndër të tjera, ai i dha dhe një skllave, me emrin Haxhere. Kur Sara u kthye tek i shoqi Ibrahimi a.s, e gjeti duke u falur. Pasi përfundoi faljen, Ibrahimi a.s e pyeti:”Çfarë ndodhi?” Sara iu përgjigj:”Zoti nuk e lejoi të bëjë ç’të dojë atë qafir.” Ibrahimi tha:”Të falënderoj o Zot.”

 

Ibrahimit a.s i lind Ismaili

Pas kësaj ngjarjeje, Ibrahimi a.s mori rrugën e kthimit për në Palestinë bashkë me familjen. Në Palestinë, Ibrahimit a.s iu bashkëngjit dhe profeti Lut a.s. Pas një farë kohe, Ibrahimi a.s i kërkoi Lutit a.s të shkojë në fshatin Sedom dhe t’i ftojë në besim dhe moralitet. Njerëzit e këtij fshati ishin shumë të shthurur moralisht, por më shumë rreth këtyre njerëzve do të flasim në historinë që i përket profetit Lut a.s. Luti a.s vajti në Sedom, kurse Ibrahimi a.s, gruaja e tij Sara dhe skllavja Haxhere qëndruan në Palestinë. Përveç misionit si profet dhe i dërguar i Zotit, Ibrahimi a.s u morr dhe me tregti gjatë qëndrimit në Palestinë. Madje, mund të themi se ishte një ndër tregtarët e suksesshëm dhe të pasur.

Kur Ibrahimi a.s kishte mbushur moshën tetëdhjetë e pesë vjeçare, e shoqja e tij Sara, u sigurua tashmë se nuk mund t’i jepte të shoqit fëmijë. Duke e ditur se i shoqi e dëshironte shumë një fëmijë, Sara i dhuroi Ibrahimit a.s skllaven e saj, Haxheren. Me ta marrë Ibrahimi a.s, u martua me të dhe i lindi djalin e tij Ismailin a.s. Në këtë kohë, Ibrahimi a.s ishte tetëdhjetë e gjashtë vjeç. Por një ndodhi e tillë ndezi zjarrin e xhelozisë tek Sara. Edhe pse ishte ajo që ia dhuroi Haxheren Ibrahimit a.s, nuk e përballoi dot faktin që Haxhereja i dha fëmijë kurse ajo vetë jo. Për këtë, ajo i kërkoi Ibrahimit a.s që Haxheren ta largojë në një vend tjetër. Në shumë rrëfenja, thuhet se Sara tentoi disa herë t’i bëjë keq Haxheres, por këto rrëfenja nuk janë vërtetuar dhe nuk janë të sakta. Ajo që është konfirmuar nga profeti Muhamed a.s, është vetëm çështja e xhelozisë. Transmeton imam Buhariu se i profeti Muhamed a.s ka thënë:”…Haxhereja vishte rroba të gjata, me qëllim që gjurmët t’i mbuloheshin që mos i shohë Sara.

Me gjithë besimin dhe vlerat e Sarës, xhelozia mbetet diçka e pandashme nga femrat. Një fakt të tillë e konstatojmë edhe tek gratë e profetit Muhamed a.s. Prandaj, burrat duhet të jenë të kujdesshëm dhe ta marrin në konsideratë aspektin emocional të grave të tyre. Edhe Ibrahimi a.s i mori në konsideratë ndjenjat e gruas së tij të parë Sarës dhe e ndau Haxheren prej saj. Më vonë, Ibrahimi a.s urdhërohet që të marrë Haxheren dhe foshnjën e tyre dhe t’i çojë në Meke. Si çdo urdhër tjetër, Ibrahimi a.s e vlerësoi dhe menjëherë u nis bashkë me të shoqen, Haxheren dhe Ismailin foshnje. Të gjithë udhëtimet e Ibrahimit a.s bëheshin me anë të Burakut, kafshë që përdorej nga profetët në udhëtime. Me Burak udhëtimi kryhej kur Ibrahimi a.s udhëtonte vetëm. Ndërkohë që kur udhëtonte me familjarët dhe njerëzit e tjerë, nuk e përdorte Burakun. Vizitat e mëvonshme që i bën Ismailit a.s, ai i bënte me Burak.

 

Ibrahimi a.s, bashkë me familjen në Meke

Udhëtimi për në Meke padyshim ishte i lodhshëm. Kur arritën atje, Haxhereja u gjende para një lugine të shkretë, pa njerëz, pa banesa, pa bimë, pa ujë dhe pa asgjë tjetër. Në këtë luginë të thatë, Ibrahimi a.s e la gruan e tij Haxheren dhe djalin e tij të vetëm, Ismailin a.s. Haxhereja u çudit nga ky veprim i Ibrahimit a.s, ajo kishte menduar se do i lërë në një vend ku të paktën të kishte njerëz dhe ujë. E si mund të jetonin ata në atë vend të shkretë?

Kur pa që i shoqi u ktheu shpinën dhe mori rrugën e kthimit, Haxhereja iu vu pas dhe e pyeti:”O Ibrahim! Në dorë të kujt po na lë këtu?! As ujë, as ushqim dhe as njerëz!” Ibrahimi a.s vazhdoi rrugën pa i kthyer përgjigje dhe pa u kthyer as që ta shohë. Haxhereja e ndiqte nga pas duke e lutur dhe duke iu përgjëruar, por Ibrahimi a.s as që i kthente përgjigje. Duke parë që i shoqi dukej sikur nuk shqetësohej, Haxhereja e pyeti përfundimisht:”A Zoti të ka urdhëruar për diçka të tillë?!” Ibrahimi a.s iu përgjigj:”Po.” Atëherë, Haxhereja thotë një fjalë e cila është mësim për burrat para se të jetë për gratë. Ajo i thotë:”Nuk kemi për të vdekur atëherë.”

Përderisa njeriu u përmbahet dispozitave dhe normave hyjnore, nuk ka për të shkuar dëm asnjëherë. Mos iu frikëso fukarallëkut, përderisa beson se rizku është në duart e Zotit! Kurrë mos gënje, pasi vetëm duke thënë të vërtetën realizon objektivat! Kurrë mos prano haramin, pasi ai largon bereqetin! Kur burri dilte nga shtëpia për në punë, gruaja myslimane i thoshte:”O rob i Zotit! Frikësohu Zotit, pasi ne mund ta durojmë urinë, por e kemi të pamundur të durojmë zjarrin! Prandaj, mos na sill në shtëpi haram!”

Ibrahimi a.s u largua përfundimisht, duke e lënë të shoqen dhe djalin në atë luginë të thatë, pa ushqim dhe pa ujë. Pasi Haxheres i përfunduan rezervat e fundit të ushqimit dhe ujit që kishte marrë me vete, djali filloi të qajë nga etja dhe uria. Është diçka shumë e rëndë për nënën, të dëgjojë foshnjën të qaja nga uria dhe të mos ketë çfarë ti japë. Ajo e la foshnje dhe u ngjit me vrap mbi një kodër aty pranë (safa). Me tu ngjitur lart, mbajti frymën me shpresë se mos dëgjon ndonjë zë. Kur i humbi shpresat, zbriti poshtë në luginë dhe vazhdoi vrapin derisa u ngjit në kodrën përballë (Merva). Me t’u ngjitur sipër, i ra rreth e rrotull me shpresë se mos dëgjon ose dallon ndonjë shenjë jete, por shumë shpejt i humbi shpresat edhe këtu. Duke kërkuar, i vajti mendja tek djali dhe mendoi se e kishte lënë të vetëm. Kështu, zbriti kodra dhe me vrap u ngjit në kodrën e parë (Safa) e cila ndodhej më pranë djalit. Këtë ritual mes dy kodrave, ajo e bëri shtatë herë rresht. Për ta përjetësuar shqetësimin e kësaj nëne për djalin e saj, Zoti e ka bërë obligim ritualin e Saj-it gjatë Haxhit. Kur u ngjit herën e shtatë mbi Merva, ajo dëgjoi një zë. Edhe pse nuk kishte tjetër kush, ajo tha:”Hesht!” Ajo konstatoi se zëri vinte nga ana djalit të saj Ismailit. Me vrap u nis drejt tij dhe atje pa se nën këmbët e foshnjës buronte ujë.

Ajo që kishte ndodhur është se Xhibrili a.s e kishte goditur tokën me krahun e tij – mu tek pusi i Zemzemit sot – dhe menjëherë kishte shpërthyer uji. Krahu i një meleku, kishte goditur tokën tek këmbët e një profeti dhe kishte dalë ujë. Duke qenë se fillimisht uji ishte i paktë, Haxhereja filloi të formojë një pellg me rërë, me qëllim që uji të mos shkonte dëm. Ndërkohë që mblidhte rërë rreth uji, ajo thoshte:”Zem, zem (grumbullohu, grumbullohu).”

Thotë profeti Muhamed a.s:”Zoti e faltë nënën e Ismailit! Nëse nuk do e kishte mbledhur ujin, ai do të rridhte si një lum.”

Haxhereja dhe djali i saj Ismaili a.s pinë nga uji i zemzemit dhe i shpëtuan vdekjes me anë të kësaj mrekullie hyjnore. Për shkak të ekzistencës së ujit, filluan të mblidhen dhe zogjtë, të cilët shiheshin në qiell duke fluturuar rreth e qark ujit. Sakaq, një nga fiset më të shquara arabe, Xhurhum, ishte shpërngulur nga Jemeni, për shkak të rrënimit të digës së ujit atje. Në Jemen, ishte ndërtuar një digë e madhe për rezervat ujore. Shkatërrimi i kësaj dige nga ku furnizoheshin me ujë fiset arabe, kishte bërë që ata të shpërnguleshin prej atij vendi dhe të shpërndaheshin në qoshe të ndryshme të Gadishullit Arabik. Kështu i takon që origjina e të gjithë arabëve është nga Jemeni. Mes fiseve që u shpërngulën përfundimisht nga Jemeni, ishte dhe fisi Xhurhum, një ndër fiset burimore arabe. Secili nga fiset kërkonte vende dhe zona ku kishte ujë. Duke qenë se ishin tregtarë, ata i njihnin burimet e ujit dhe oazet, të cilët kryesisht i gjenin në rrugën për në Sham. Gjatë rrugës, ata dalluan shpendët të fluturonin rreth e qark luginës Bekke. Ata e kuptuan se shpendët nuk mund të fluturonin pa ndonjë shkak dhe për këtë dërguan një prej tyre të hetojë situatën. Kur u kthye i dërguari, i lajmëroi se atje kishte gjetur ujin, atë për të cilin ishin shpërngulur nga Jemeni. Menjëherë i gjithë fisi u drejtua drejt vendit, ku përveç ujit gjetën dhe një grua me foshnjën e saj. Duke qenë se ishin njerëz të fisëm, të ndershëm dhe babaxhanë, ata e pyetën:”A na lejon dhe neve të banojmë në këtë luginë dhe të përdorim këtë ujë?” Haxhereja u përgjigj:”Po, me kusht që të më shpërbleni për këtë.” Burrat i thanë:”Dakord!” Edhe pse ishte vetëm një grua e pa krahë, edhe pse ata ishin një fis i tërë me burra e me gra dhe mund të vendoseshin pa pyetur fare për atë grua të mjerë, ata e pranuan këtë kusht. Ky ishte një ndër treguesit e fisnikërisë dhe babaxhanllëkut të tyre. Tashmë Haxheres dhe djalit të saj, përveç ujit iu sigurua dhe ushqimi e shoqëria. Ismaili a.s do të rritet mes fisit Xhurhum, ku dhe do të mësojë arabishten e pastër. Ai do të martohet me një vajzë nga fisi Xhurhum dhe prej tyre lindin arabët që më vonë do të quhen arabët e arabizuar. Nga kjo familje, do të dalë dhe profeti i fundit, Muhamedi a.s.

Të gjithë këto ngjarje, ishin rezultat dhe përgjigje e lutjeve që bëri Ibrahimi a.s pasi e kishte braktisur familjen. Këto lutje janë regjistruar në Kuranin fisnik.

“O Zoti ynë, unë kam vendosur disa nga pasardhësit e mi, në një luginë që nuk mbillet, afër Shtëpisë Tënde të Shenjtë, që të falin namazin. Prandaj, bëj që zemrat e njerëzve të ndiejnë dashamirësi për ata dhe jepu fruta, me qëllim që ata të të falënderojnë.” (Ibrahim, 37)

Shtëpia e Shenjtë që është Qabeja, nuk ka qenë e ndërtuar asokohe. Lidhur me faktin nëse themelet e saj ekzistonin, d.m.th ka ekzistuar më parë, thuhet se Qaben e ka ndërtuar djali i Ademit a.s, Shithi, por që me kalimin e kohës ishte rrënuar. Këtë përforcon dhe ajeti që thotë:“Me të vërtetë, Faltorja e parë e ngritur për njerëzit, është ajo në Bekkë (Mekë), e bekuar dhe udhërrëfyese për popujt.” (Al Imran, 96)

çdo vit, Ibrahimi a.s e vizitonte Haxheren dhe djalin e tyre më shumë se një herë. Ndërkohë, djali i tyre Ismaili a.s kishte hedhur shtat dhe ishte rritur. Në një nga vizitat e tij, teksa po flinte i qetë, Ibrahimi a.s sheh një ëndërr aq sa të çuditshme dhe të shqetësuese. Ai pa sikur therr djalin e tij të vetëm, gjë e cila ishte sinjal prej Zotit se duhej ta therë, pasi ëndrrat e profetëve janë të vërteta. Këtë ndodhi e rrëfen vetë Zoti i lartësuar në Librin e Tij, ku thotë:

“O Zoti im, dhuromë një fëmijë prej të mirëve!” Dhe Ne i dhamë lajmin e gëzuar për një djalë të mbarë! Kur fëmija u rrit aq sa ta ndihmonte në punë, Ibrahimi i tha: “O djali im, kam parë ëndërr se duhet të të flijoj. Çfarë mendon ti?” –

Me të drejtë, shtrohet pyetja:”Përse Ibrahimi a.s i kërkoi mendim dhe u konsultua dhe me djalin që duhej të therte, Ismailin?! Ai mund ta therte ndërkohë që Ismaili a.s ishte duke fjetur.”

Në një rast të tillë, demonstrohet dëshira e babait mysliman e besimtar, që djali i tij të jetë pjesëmarrës në një vepër që përbën kulminacionin e bindjes ndaj Zotit, me qëllim që edhe ai të përfitojë nga sevapi. Ky është një mesazh shumë i fuqishëm që u drejtohet të gjithë prindërve, që t’i bëjnë fëmijët pjesëmarrës në vepra të mira dhe shpërblime. Nëse dëshiron të japësh sadaka, jepja fëmijës tënd ta bëjë këtë. Kjo, me qëllim që fëmija të mësohet të japë. Kur të shkosh të dëgjosh një ligjëratë, merri dhe fëmijët e tu që të mësohen.

Përgjigja e Ismailit a.s, ishte akoma më mbresëlënëse

I biri i tha: “O ati im, vepro ashtu siç je urdhëruar! Dashtë Allahu, unë do të jem i durueshëm!” (Saffat, 100-102) se pyetja e Ibrahimit a.s.

Ibrahimi a.s – siç duket qartë dhe në ajetin e mësipërm – i tha se kam parë në ëndërr sikur të therr dhe nuk i tha se jam urdhëruar. Megjithatë, Ismaili a.s e dinte se ëndrrat e profetëve janë të vërteta. Ai nuk i tha “E përse duhet të më therrësh?! çfarë krimi paskam bërë që të meritoj një fund të tillë?! Përse nuk pret një urdhër të qartë nga Zoti, por dashke të më therësh për një ëndërr që ke parë?!” Të gjitha këto as që i vajtën ndërmend Ismailit a.s.

I biri i tha: “O ati im, vepro ashtu siç je urdhëruar! Dashtë Allahu, unë do të jem i durueshëm!”

Thonë dijetarët myslimanë:”Me këto fjalë, Ismaili a.s demonstroi kulmin e etikës dhe modestisë me Zotin e lartësuar.” Ai nuk tha se do jem i durueshëm, por këtë e kushtëzoi me dëshirën dhe vullnetin e Zotit. Sado të fortë ta ketë besimin njeriu, nuk ka përse të vetë mashtrohet. Gjithçka, i duhet dedikuar Zotit të motrave. Thotë Zoti në Kuran:”

“Asnjëherë mos thuaj, për çfarëdo gjëje qoftë, se: “Me siguri që nesër do ta bëj këtë”. pa shtuar “Në dashtë Allahu! Dhe, kur të harrosh (të thuash “në dashtë Allahu”) – kujtoje Zotin tënd e thuaj: Shpresoj se Zoti im do të më udhëzojë në atë që është më e mirë dhe më e dobishme nga kjo”. (Kehf, 23-24)

Pasi baba e bir vendosën të çojnë në vend vullnetin e Zotit, Ismaili a.s i tha të atit:”Ma kthe fytyrën nga toka, që mos e shohësh fytyrën time – ndërkohë që më therr – dhe të vijë keq.” Me këtë, ai donte t’ia lehtësojë procesin të atit.

“Pasi iu nënshtruan që të dy urdhrit, (Ibrahimi) e vuri (Ismailin) me ballë përtokë.” (Saffat, 102)

Mandej, Ibrahimi a.s morri thikën, e vuri në qafën e të birit dhe filloi ta lëvizë që ta therë. Ajo që ndodhi është se thika nuk priste. Thika e humbi vetinë e saj, ashtu siç zjarri e humbi vetinë e tij. Thika nuk mund të presë veçse me urdhër të Zotit, ashtu siç dhe zjarri nuk mund të djegë veçse me urdhër të Zotit.

Ibrahimi a.s përpiqej me sa fuqi kishte por thika nuk priste. Po ashtu Ismaili a.s, i thoshte herë pas here:”Ngjeshe fort o baba!” por sërish thika nuk priste.

“Pasi iu nënshtruan që të dy urdhrit, (Ibrahimi) e vuri (Ismailin) me ballë përtokë.” (Saffat, 102)

Të dy i ishin nënshtruar urdhrit hyjnor dhe ishin të bindur se po vepronin drejt. Islam do të thotë, t’i dorëzohesh plotësisht urdhrave dhe dispozitave të Zotit, pa kundërshtim dhe hezitim.

E gjitha kjo ishte sprovë nga Zoti si për Ibrahimin a.s ashtu dhe për Ismailin a.s. Me dorëzimin e plotë, vënien e thikës në qafë dhe tentativave për ta çuar në vend urdhrin e Zotit, të dy e kishin kaluar me sukses këtë sprovë. Tashmë nuk ishte nevoja për të derdhur gjak. Vlera që kërkohej ishte dorëzimi dhe nënshtrimi i plotë ndaj Zotit. Kurse gjaku dhe mishi janë të pavlerë.

“Ne e thirrëm: “O Ibrahim, ti e përmbushe ëndrrën.” Vërtet, Ne kështu i shpërblejmë punëmirët! Kjo, me të vërtetë ka qenë një sprovë e qartë!” (Saffat, 104-107)

Kjo ka qenë sprova më e rëndë me të cilën Zoti ka vënë në provë një njeri. Kush prej nesh mund ta bëjë diçka të tillë me djalin e tij? Kush prej nesh mund ta bëjë diçka të tillë me djalin e tij të vetëm, i cili i ka lindur pas tetëdhjetë e pesë vitesh pritje? Dhe e gjitha kjo për shkak të një ëndrre?! Ibrahimi a.s, shumë mirë mund të thoshte se vrasja e një personi – aq më tepër e djalit të tij të vetëm – është krim. Ai shumë mirë mund ta zvarriste derisa t’i shpallej një urdhër i qartë. Por ai nuk e bëri këtë dhe iu nënshtrua plotësisht urdhrave të Zotit. Thotë Zoti në Kuran:“dhe të Ibrahimit – i cili i plotësoi detyrimet.” (Nexhm, 37)

Ai e kishte mbajtur besën në gjithçka. Ai pranoi të sakrifikohej kur e hodhën në zjarr. Ai pranoi të sakrifikoi djalin e tij të vetëm, për një ëndërr që pa. Ai sakrifikoi pasurinë e tij, saqë etiketohej me nofkën “babai i miqve”. Nuk pranonte ta hajë vaktin e radhës, veçse me ndonjë mik. Kur nuk gjente dikë për të ngrënë, ai zemërohej shumë.

“Dhe Ne e zëvendësuam atë (Ismailin) me një kurban të madh.” (Saffat, 104-107)

Teksa tentonte të therë djalin, Ibrahimi a.s dëgjoi një zë nga qielli. Kur ktheu kokën, dalloi Xhibrilin a.s me një dash të majmë, duke zbritur nga qielli. Ai nuk ishte nga deshtë e tokës, por ishte dash që ishte ushqyer në xhenet.

Tregon Abdullah ibnu Abasi:”Ishte një dash që kishte kullotur në xhenet për dyzet vite. Ai ishte i bardhë, me dy sy të gjerë, me brirë të gjata.”

Zoti e përjetësoi një ritual të tillë, ku haxhillarët therrin kurban çdo vit pranë Qabes, bashkë me ta të gjithë myslimanët anembanë botës. Duke therrur kurban, ne sikur i themi Zotit: Ne o Zot vazhdojmë të ecim në gjurmët e Ibrahimit a.s, i cili u tregua i gatshëm të sakrifikojë djalin e tij të vetëm.” Kurbani është përkujtues dhe sinjalizues i gatishmërisë për të sakrifikuar për hatër të Zotit. Ne jemi të gatshëm të sakrifikojmë veten, fëmijët dhe pasurinë tonë, duke ecur kështu në gjurmët e profetit tonë Ibrahim a.s.

“..dhe i lamë atij (Ibrahimit) kujtim të mirë në brezat e mëvonshëm. “Paqja qoftë mbi Ibrahimin!” Ja, kështu, Ne i shpërblejmë punëmirët. Ai ka qenë vërtet një nga robërit Tanë besimtarë. (Safat, 108-111)

 

Lindja e Is’hakut

Me qëllim që ta nderojë për bindjen dhe besën e mbajtur, Zoti e shpëbleu Ibrahimin a.s me një djalë tjetër, Is’hakun, me gruan e parë Sarën.

Ne i dhamë atij lajmin e mirë për (lindjen e) Is’hakut, profet prej njerëzve të mirë.”(Safat, 112)

Unë habitem me disa interpretues të Kuranit, të cilët mendojnë se djali që Ibrahimi a.s pranoi të flijojë, ishte Is’haku dhe jo Ibrahimi a.s. Kjo, pasi janë ndikuar nga rrëfenjat izraelite. Zoti i lartësuar e përgëzoi Ibrahimin a.s me lindjen e Is’hakut, si shpërblim për respektimin e urdhrit të Zotit, qoftë dhe në flijimin e djalit të tij të vetëm.

Pasi Ibrahimi a.s u kthye në Palestinë, ku u bashkua me  gruan e tij të parë Sarën, Zoti e përgëzoi me lindjen e Is’hakut. Asokohe, Ibrahimi a.s kishte mbushur njëqind e njëzet vjeç. Kurse gruaja e tij Sara, ishte nëntëdhjetë vjeçe. Lajmin përgëzues dhe sihariqin, ia dhanë tre melekë, të cilët zbritën nga qielli, Xhibrili a.s, Mikaili dhe meleku i vdekjes. Këtë sihariq, ata ia dhanë gjatë rrugës për tek fshati i Lutit a.s. Zoti i lartësuar i kishte urdhëruar ta shkatërronin përfundimisht vendbanimin e popullit të Lutit a.s, për shkak të sjelljeve perverse që ishin përhapur mes tyre.

Gjatë rrugës, ata u ndalën në familjen e Ibrahimit a.s dhe Sarës. Ata vajtën tek shtëpia e Ibrahimit a.s, me pamjen e njerëzve. Kur u takuan me Ibrahimin a.s e përshëndetën dhe hynë brenda. Siç e kemi cekur dhe më lart, Ibrahimi a.s gëzohej pa masë kur i shkonin miq në shtëpi. Ibrahimi a.s, përveç gëzimit se i erdhën miq, ndjeu frikë dhe shqetësim nga prezenca e tyre. Ata nuk ishin të njohur në atë zonë dhe nuk kishin asnjë shenjë udhëtimi, nuk kishin kafshë udhëtimi, rrobat i kishin të pastra dhe nuk dukeshin të lodhur, që të merreshin për udhëtarë.

“A e ke dëgjuar historinë e mysafirëve të nderuar të Ibrahimit? Ata hynë tek ai e i thanë: “Paqe!” – dhe ai u tha: “Paqe, o njerëz të panjohur!” (Dharijat, 24-25)

Edhe pse nuk i njohu dhe nuk iu dukën udhëtarë, ai i futi brenda dhe i nderoi siç nderonte të gjithë miqtë.

“Të dërguarit Tanë, i sollën Ibrahimit lajmin e mirë dhe i thanë: “Paqe mbi ty!” Ai u përgjigj: “Paqja qoftë mbi ju!” Dhe me të shpejtë u solli atyre një viç të pjekur.”(Hud, 69)

“E pa u vënë re, ai shkoi te njerëzit e shtëpisë dhe solli një viç të majmë.” (Dharijat, 26)

Edhe pse ishin vetëm tre vetë, Ibrahimi a.s vajti e u therri një viç të madh. Kjo pasi siç thamë, ishte tepër bujar dhe zemërgjerë. Bujaria dhe zemërgjerësia është nga virtytet e profetëve dhe të dërguarve të Zotit.

“Kur pa se ata nuk po i zgjasnin duart tek mishi, nuk i pëlqeu dhe ndjeu frikë prej atyre.” (Hud, 70)

Duke parë që miqtë nuk po hanin fare nga mishi i pjekur, Ibrahimi a.s ndjeu frikë. Në një transmetim, thuhet se miqtë (melekët) i thanë:”Nuk hamë ushqim, pa paguar çmimin e tij.” Me këtë donin ta sprovojnë. Ibrahimi a.s u tha:”Mirë, hajeni dhe i paguani çmimin.” Melekët e pyetën:”E cili na qenka çmimi i tij?” Ibrahimi a.s u përgjigj:”Që të thoni në fillim “bismilah” dhe në fund “elhamdulilah”. Melekët i thanë:”Ka të drejtë i gjithëmëshirshmi, kur të etiketon “Mik i Zotit”.

Melekët e qetësuan dhe i treguan se kush ishin në të vërtetë.

(Engjëjt) thanë: “Mos u frikëso, Ne jemi dërguar te populli i Lutit”. (Hud, 70)

Gjithashtu, i treguan misionin me të cilin i kishte dërguar Zoti, për të ndëshkuar popullin e Lutit a.s.

Sakaq, gruaja e Ibrahimit a.s, Sara, qëndronte në këmbë duke u shërbyer miqve.

“Gruaja e tij, që rrinte aty, qeshi dhe Ne i dhamë lajmin e mirë për Is’hakun e pas Is’hakut – për Jakubin.” (Hud, 71)

Ajo qeshi para se të dëgjojë sihariqin për lindjen e djalit, Is’hakut. Dijetarët thonë se qeshi kur dëgjoi se populli i Lutit a.s do të ndëshkoheshin dhe shkatërroheshin përfundimisht, për shkak se ishin degjeneruar dhe shthurur moralisht. Vetë profeti Lut a.s kishte dëshmuar:”Nuk njoh njerëz më të shthurur mbi faqe të tokës se këta.” Kështu, kur Sara dëgjoi se ky popull do të shkatërrohej, qeshi dhe u gëzua.

Përveçse e përgëzuan me lindjen e Is’hakut, melekët i dhanë dhe një sihariq tjetër po aq të gëzuar, lindjen e Jakubit, djalit të Is’hakut. Ajo do të jetonte aq shumë, sa të shihte edhe djalin e Is’hakut. Pra, ishin tre sihariqe. I pari, ishte se do të lindë një djalë. I dyti se do jetonte gjatë derisa ta shohë djalin e saj, Is’hakun të rritur. I treti se do gëzohej me lindjen e nipit të saj, Jakubit a.s, i cili dhe ai do të ishte profet.

Prandaj, kur profeti Muhamed a.s u pyet se kush ishte i fismi, ai u përgjigj:”I fismi, është biri i të fismit, biri i të fismit, biri i të fismit. Është Jusufi, biri i Jakubit, biri i Is’hakut, biri i Ibrahimit a.s.”  Profet, bir profeti, bir profeti, bir profeti. Një nder i tillë nuk i është dhënë tjetër kujt, përveç profetit Jusuf a.s.

“Atëherë erdhi gruaja e tij, që, duke thërritur dhe rrahur fytyrën, tha: “Vallë, a mundem (të lind) unë, plaka shterpë?” (Dharijat, 29)

“Kur melekët i dhanë sihariqin e lindjes së Is’hakut, Sara tha:”Ajo tha: “Ah! E mjera unë! A mos vallë, kështu plakë do të lind unë, ndërkohë që edhe burri im është plak! Me të vërtetë, kjo është diçka e jashtëzakonshme! Ata (engjëjt), thanë: “A mos vallë, po çuditesh me urdhrin e Allahut? Mëshira e Allahut dhe bekimi i Tij qoftë mbi ju – familjen e të Dërguarit. Me të vërtetë, Ai është i Falënderuar dhe i Lavdëruar!” (Hud, 72-73)

“Ata thanë: “Kështu ka qenë vullneti i Zotit tënd. Ai është vërtet i Urtë dhe i Gjithëdijshëm.” (Dharijat, 30)

 

Ndërtimi i Qabes

Në një nga vizitat e Ibrahimit a.s, i tha djalit të tij Ismailit:”O biri im, Zoti më ka ngarkuar me një përgjegjësi.” Ismaili a.s iu përgjigj:”O baba, vepro sipas asaj që të ka urdhëruar Zoti!” Ibrahimi a.s e pyeti:”Po, a do të më ndihmosh?” Ismaili a.s iu përgjigj:”Po.” Edhe pse nuk e dinte se çfarë duhej të bëjë. Atëherë, Ibrahimi a.s i tregoi:”Zoti më ka urdhëruar të ndërtoj në këtë vend, një faltore.” Ismaili a.s i tha:”Dhe unë do të ndihmoj.”

“Kujtoje kur Ne vendosëm për Ibrahimin vendin e Faltores..” (Haxh, 26)

Thuhet, se teksa hapte themelet, Ibrahimi a.s zbuloi themelet që kishte hedhur Shithi a.s. Në një transmetim tjetër, thuhet se ai zbuloi themelet e vendosura nga melekët.

Kur kurejshët vendosën ta rindërtojnë Qaben, deshën që themelet t’i thellojnë themelet e saj. Ata vazhduan të punojnë tek themelet, derisa zbuluan gurë të gjelbër me formë trekëndëshe, si majat e malit, të ndërthurur me njëri-tjetrin. Duke dashur t’i nxjerrin që ta thellojnë themelin, dikush solli një kazmë dhe me të hoqi njërin nga gurët në formë trekëndëshi. Me ta hequr gurin, prej atje doli një dritë e fortë, e cila gati sa nuk i humbi shikimin  këtij personi. Në çast, guri i ra nga duart dhe zuri vendin që kishte më parë. Atëherë, më të moshuarit u thanë:”Mos i prekni ato gurë, por ndërtojeni sipër tyre.”

Këto ishin themelet e Qabes, gurë, nën të cilët gjendej dritë. Allahu i lartësuar është burimi i dritës mbi tokë.

“Kujtoje kur Ne vendosëm për Ibrahimin vendin e Faltores (duke e urdhëruar): “Mos më shoqëro asgjë (në adhurim) dhe pastroje Shtëpinë Time (nga idhujtaria), për ata që vijnë rrotull saj (në shenjë adhurimi) dhe për ata që rrinë në këmbë, përkulen dhe bien në sexhde duke u falur.” (Haxh, 26)

“Me të vërtetë, Faltorja e parë e ngritur për njerëzit, është ajo në Bekkë (Mekë), e bekuar dhe udhërrëfyese për popujt. Në të ka shenja të qarta (që janë): vendi i Ibrahimit (mekami Ibrahim); (fakti që) kush hyn në të është i sigurt;” (Al Imran, 96)

“Kur Allahu e provoi Ibrahimin me disa urdhërime, të cilat ai i plotësoi, Allahu i tha: “Unë do të të bëj ty imam (prijës) të njerëzve!” – “Po pasardhësit e mi?” – pyeti ai. Allahu tha: “Premtimi Im nuk i përfshin të padrejtët.” (Bekare, 124) Zoti i përjashtoi zullumqarët nga mundësia për të qenë njerëzit e dashur të Zotit.

Kujtoni kur Ne e bëmë Qabenë vendgrumbullimi dhe sigurie për njerëzit, duke thënë “Bëjeni vendin e Ibrahimit si vendfaljeje!” Ne i urdhëruam Ibrahimin dhe Ismailin: “Pastrojeni Shtëpinë Time (Qabenë) për ata që e vizitojnë, që rrijnë aty për adhurim dhe që falen duke u përkulur dhe përulur”. Kur Ibrahimi u lut: “Zoti Im, bëje këtë vend qytet të sigurt dhe furnizoji me prodhime banorët e tij, ata që besojnë në Allahun dhe në jetën tjetër!” – Herën e parë, Ibrahimi a.s u lut për pasardhësti e tij dhe Zoti ia pranoi lutjen por vetëm për besimtarët prej tyre. këtë herë, kur Ibrahimi a.s lutet për furnizim të bollshëm, e kufizon atë vetëm për besimtarët. Kurse Zoti përfshin dhe jobesimtarët, pasi risku u takon të gjithëve - Allahu tha: “Atë që nuk beson, për pak kohë do ta bëj që të kënaqet e pastaj do ta hedh në dënimin e zjarrit.” Eh, sa vendbanim i keq që është ai!” (Bekare, 125-126)

Ibrahimi a.s dhe Ismaili, filluan ndërtimin e faltores së parë në tokë dhe gjatë punës, e lusnin Zotin me përgjërim.

“Kur Ibrahimi dhe Ismaili ngritën themelet e Qabes, u lutën:“O Zoti ynë! Pranoje prej nesh (këtë vepër)! Me të vërtetë, Ti je Ai që dëgjon dhe di gjithçka! O Zoti ynë! Na bëj të përulur ndaj Teje! Bëj që edhe pasardhësit tanë të jenë të përulur ndaj Teje! Tregona ritet e Haxhit – na trego si të adhurojmë – dhe pranoje pendimin tonë, se, pa dyshim, Ti je Pranuesi i pendimit, Mëshirëploti! O Zoti ynë! Dërgo tek ata një të dërguar nga gjiri i tyre, që t’u lexojë shpalljet e Tua, t’ua mësojë Librin dhe Urtësinë (rregullat e fesë) e t’i pastrojë (nga gjynahet)– Kjo ishte lutja më madhështore që bënë – Vërtet, Ti je i Plotfuqishmi dhe i Urti!” (Bekare, 127-129)

gjatë ndërtimit, Ibrahimit a.s iu desh një gur qoshi. Për këtë i kërkoi Ismailit a.s që t’i sjellë një gur të përshtatshëm. Ismaili a.s ia ktheu:”O baba! Jam i lodhur.” Ibrahimi a.s i tha:”çohu!” dhe Ismaili a.s u ngrit dhe vajti të kërkojë. Pasi kërkoi gjatë dhe nuk gjeti, u kthye duarbosh. Kur u kthye, pa që në qoshe ishte vendosur guri dhe Ibrahimi a.s po vazhdonte punën. I çuditur, pasi në ato zonë nuk ekzistonin gurë të tillë të bardhë, e pyeti:”O baba! Kush ta solli këtë gur?!” Ibrahimi a.s u përgjigj:”E solli Ai që nuk lodhet. E solli Xhibrili a.s dhe ky gur është nga xheneti.”

Guri për të cilin flitet, është guri i zi që ndodhet në një nga katër qoshet e Qabes. Në një hadith, thuhet se fillimisht ai ishte i bardhë si qumështi, por me kalimin e kohës u nxi, nga gjynahet e njerëzve.

Baba e bir, vazhduan ndërtimin e Qabes, ku muret ishin pa baltë, ishin mure të thatë, gurë të vendosur mbi njëri-tjetrin. Kur ndërtimi kishte mbërritur në lartësinë e Ibrahimit a.s dhe e kishte të pamundur të vazhdojë, ai i kërkoi Ismailit a.s t’i sjellë një gur që të qëndrojë sipër tij gjatë punës. Ismaili a.s i solli një gur, mbi të cilin Ibrahimi a.s qëndronte këmbëzbathur. Për shkak të qëndrimit të gjatë, guri mori formën e këmbëve të Ibrahimit a.s. Që atë herë, guri njihet me emrin “vendqëndrimi i Ibrahimit” (mekam Ibrahim). Më parë, ky gur qëndronte ngjitur me murin e Qabes dhe njerëzit shtyheshin nga dëshira për ta parë gurin dhe gjurmët e këmbëve të Ibrahimit a.s. Kjo shkaktonte shumë probleme gjatë tavafit. Për këtë, Umer ibnul Hattabi e lëvizi nga ai vend, pasi u konsultua me shokët e tjerë të Profetit a.s.

Ekziston dhe një mendimi i dytë, lidhur me vendin ku ndodhet mekami i Ibrahimit a.s sot. Sipas këtij mendimi, Ibrahimi a.s e përdorte gurin për të kontrolluar nivelin e mureve. Thuhet se ai qëndronte shumë gjatë mbi atë gur, duke kontrolluar nivelin e katër mureve.

Sido që të jetë, ai është një vend i shenjtë dhe me  vlera. “Bëjeni vendin e Ibrahimit si vendfaljeje!” (Bekare, 125)

Të falesh pranë mekamit të Ibrahimit a.s është diçka e pëlqyeshme, por nëse nuk pengon njerëzit që bëjnë tavafin. Në të kundërt, mund të falesh në çdo vend tjetër në Qabe.

 

Rituali i Haxhit

Me përfundimin e faltores, Zoti obligoi një nga pesë shtyllat e besimit Islam, Haxhin.

“dhe vizita (për haxh) e kësaj Faltoreje (është detyrë) për këdo që ka mundësi ta përballojë rrugën. E kush nuk beson, Allahu nuk ka nevojë për askënd.” (Al Imran, 97)

Për ta publikuar këtë obligim, Zoti urdhëroi Ibrahimin a.s:”Thirri njerëzit për haxhillëk…” (Haxh, 27)

Ibrahimi a.s pyeti i habitur:”O Zot! T’i thërras njerëzit të vijnë në haxh?! E sa mund të arrijë zëri im?!” Zoti i lartësuar iu përgjigj:”O Ibrahim! Ti ke obligim t’i thërrasësh, kurse kumbesa është përgjegjësi e Imja.” Atëherë, Ibrahimi a.s u nis drejt Arafatit, u ngjit mbi një kodër atje dhe thirri:”O njerëz! Zoti u kërkon të kryeni haxhin!” Ishte një njeri që i bënte thirrje të gjithë njerëzimit, që të kryejnë ritin e Haxhit. E kush mund ta dëgjonte?! Por në këtë rast ndërhyjnë dhe veprojnë ligjet hyjnore, ndaj zëri i tij mbërriti tek të gjithë njerëzit mbi tokë. Jo vetëm kaq, por mrekullia më e madhe është se Zoti i lartësuar e bëri Qaben dhe ritin e Haxhit, diçka të shenjtë dhe të dashur për të gjithë besimtarët.

“Thirri njerëzit për haxhillëk: ata do të vijnë në këmbë dhe me deve prej të gjitha viseve të largëta, që të dëshmojnë dobitë e tyre dhe të përmendin Emrin e

Allahut në ditët e caktuara mbi kafshët (për kurban), të cilat ua ka dhuruar Ai. Hani nga ato (mishin) dhe ushqeni nevojtarin e varfër!” (Haxh, 27-28)

Që atëherë, starton dëshira dhe pasioni për të kryer Haxhin në këtë vend të bekuar.

 

Ibrahimi a.s, mik i Zotit

Ibrahimi a.s ishte njeriu më i dashur tek Zoti, saqë mori dhe titullin “mik i Zotit”. Në shumë thënie, profeti Muhamed a.s sinjalizon se Ibrahimi a.s ishte profeti më i dashur tek Zoti, pas tij.” Në një nga këto hadithe, Profeti a.s thotë se Ditën e Kiametit, do e kenë zili të gjithë njerëzit, madje edhe vetë Ibrahimi a.s.

Kur Ibrahimi tha: “O Zoti im! Tregomë si i ngjall të vdekurit!” – Zoti i tha: “A nuk beson?” – “Besoj” – iu përgjigj Ibrahimi, “por dëshiroj të më qetësohet zemra.” –Dijetarët shprehen se ekzistojnë dy lloje dijesh: Dija e sigurt (ilmul jekin), sipas të cilës njeriu nuk dyshon aspak për diçka. Transmetohet nga Umer ibnul Hattabi, se ka thënë:”Për Zotin, sikur të hapej qielli dhe të shoh me sy xhenetin dhe zjarrin, nuk do më shtohej më shumë besimi që kam për ekzistencën e tyre.” E dyta, është siguria e plotë (ajnul jekin) kur njeriu e sheh me sytë e tij, atë që i besonte më parë. – Allahu i tha:“Merr katër zogj dhe copëtoji. Shpërnda në çdo kodër nga një copë prej tyre pastaj thirri! Ata do të të vijnë me të shpejtë. Dhe ta dish se Allahu është i Plotfuqishëm dhe i Urtë.” (Bekare, 260)

Zoti i tha që të marrë katër zogj, t’i therë, t’i copëtojë, mishin e puplat t’ua përziejë me njëri-tjetrin dhe t’i shpërndajë në katër male. Në një transmetim, thuhet që kokat e tyre, e urdhëroi t’i mbajë në duar. Ibrahimi a.s mori katër zogj, i theri, i copëtoi dhe i përzjeu me njëri-tjetrin, përftesën e ndau në katër pjesë, ku çdo pjesë e çoi në një mal, ndërkohë që kokat i mbajti në dorë. Mandej, i thirri mishrat e katër zogjve, të cilët erdhën para syve të tij, secili mori kokën e tij dhe fluturuan, duke u ringjallur kështu sërish.

Si çdo profeti të dërguar tjetër, edhe profetit Ibrahim a.s iu shpallën vargje hyjnore. Kur profeti Muhamed a.s u pyet mbi shpalljen e Ibrahimit a.s, u përgjigj:”Ato ishin të gjitha fjalë të urta. Nga këto fjalë, ishin:”O ti sovran tiran, i sprovuar dhe i vetëmashtruar! Unë nuk të dërgova të koleksionosh të mirat e dynjasë me njëra-tjetrën, por të dërgova që të përkrahësh atë që i është bërë padrejtësi. Lutjen e atij që i është bërë padrejtësi, unë e dëgjoj edhe nëse vjen nga një jobesimtar.”

Një këshillë tjetër është:”Një njeri i mençur, përderisa nuk e ka humbur mendjen akoma, duhet ta ndajë ditën në orë:”Në një orë, ai duhet t’i qajë hallet Zotit të tij. – Ky është një ritual të cilin e kanë braktisur njerëzit. Ai konsiston në faktin që të ulesh dhe t’i flasësh Zotit, sikur e ke përpara, në vetmi të plotë. – Në një orë, të meditosh mbi krijesat e Zotit – për ata që e përmendin Allahun duke qëndruar në këmbë, ndenjur ose shtrirë dhe që meditojnë për krijimin e qiejve dhe të Tokës (duke thënë:) “O Zoti Ynë! Ti nuk i ke krijuar kot këto – lartësuar qofsh (nga çdo e metë)! Prandaj na ruaj nga ndëshkimi i zjarrit.” (Al Imran, 191) – Në një orë, i flet vetes dhe i kërkon llogari për gjithçka ka vepruar për atë ditë. Një orë tjetër, e ka për dëfrim të lejuar. Një i mençur nuk ka përse lodhet, veçse për tre gjëra: Përgatitje për atë që e pret (Ditën e Gjykimit), të lodhet për të siguruar riskun, të kënaqet me diçka jo të ndaluar. I mençuri duhet ta njohë mirë kohën dhe aktualitetin ku jeton, të lodhet për interesin e tij, të ruajë gjuhën e tij. Kush e di që fjalët janë pjesë e punës, për të cilat do japë llogari, i pakëson fjalët, përveç rasteve kur është e dobishme.”

 

Vdekja e dy grave të Ibrahimit a.s

Para se të vdesë Ibrahimi a.s, vdiq e shoqja e tij Haxhereja, nëna e Ismailit a.s dhe u varros në Meke. Ibrahimi a.s u pikëllua shumë nga vdekja e saj. Më vonë, vdiq dhe Sara, e cila ishte njëqind e njëzet e shtatë vjeçe. Ibrahimi a.s i dëshpërua shumë për vdekjen e saj, madje e vajtoi duke i përmendur vlerat dhe virtytet e saj më të mira.

 

Vlerat e Ibrahimit a.s

Në shumë hadithe të sakta, flitet për vlerat e hazreti Ibrahimit a.s. Një nga vlerat e tij më të spikatura, është se njihej si mik i të Gjithëmëshirshmit.

“Kush është besimtar më i mirë se ai që i dorëzohet sinqerisht Allahut, duke qenë bamirës dhe zbatues i fesë së pastër të Ibrahimit, të cilin Allahu e ka marrë për mik të ngushtë?!” (Nisa, 125)

Një vlerë tjetër, siç ceket në një hadith tjetër, është se Ibrahimi a.s është personi i parë që do të vishet Ditën e Kiametit.

Një vlerë e tretë, është se në Kuran ai përshkruhet si njeriu që e mbajti besën me Zotin, duke i përmbushur të  gjithë obligimet. “dhe të Ibrahimit – i cili i plotësoi detyrimet.” (Nexhm, 37)

Ibrahimi a.s hyn tek të dërguarit e vendosur, të cilët përmenden në ajetin:

“Ne lidhëm besën me ty (o Muhamed) siç bëmë me profetët e tjerë: me Nuhun, Ibrahimin, Musain dhe Isain, të birin e Merjemes. Ne lidhëm me ata një besë solemne,” (Ahzab, 7)

Një vlerë tjetër, është se Ibrahimi a.s është etiketuar nga vetë Zoti si umet.

Me të vërtetë, Ibrahimi ka qenë prijës (umet) shembullor (me të gjitha virtytet e mira), i përulur para Allahut, me besim monoteist dhe nuk ka qenë nga idhujtarët. (por ka qenë) mirënjohës ndaj dhuntive të Tij. Ai e zgjodhi atë dhe e udhëzoi në rrugë të drejtë. Ai e falënderonte Zotin për gjithçka, sa herë që vishej, thoshte “Elhamdulilah”, po kështu sa herë që ushqehej, dilte dhe kthehej. Njerëzit sot e kanë harruar burimin e begative të tyre. “ (Nahl, 120-122)

Ibrahimi a.s vdiq në moshën njëqind e shtatëdhjetë vjeçare. Atë e varrosën dy djemtë e tij Ismaili a.s dhe Is’haku, Habron, që sot njihet nga myslimanët me emrin Halil.

“Dhe Ne i dhuruam atij Is’hakun dhe Jakubin dhe pasardhësve të tij u dhamë Profecinë dhe Librin. Ne i dhamë atij shpërblim në këtë botë, ndërsa në jetën tjetër, me siguri, ai do të jetë prej njerëzve të mirë.” (Ankebut, 27)

Të gjithë profetët që rrjedhin pas Ibrahimit a.s, janë nga familja e tij.

Historia e profetit Hud a.s

Një nga fëmijët e Nuhut a.s, ishte dhe Sam, prej të  cilit rridhnin arabët dhe hebrenjtë. Një ndër pasardhësit dhe pinjollët e Sam, ishte Hudi a.s. Emri i tij ishte Hud, biri i Abdullahut, biri i Rebah, biri i Xharud, biri i Ad, biri i Aus, biri i Irem, biri i Sam, biri i Nuhut a.s. Shpesh herë, populli i Hudit a.s, njihen edhe me emrin Ad dhe Irem, për shkak të gjyshërve të tij Hudit a.s.

Populli i Hudit a.s jetonin në një rajon që njihej me emrin Ahkaf, emër të cilin e ka marrë dhe një nga suret e Kuranit fisnik. Vetë fjala Ahkaf, do të thotë duna rëre. Ahkaf ndodhej në Jemen, mes Omanit dhe Hadramaut, në një vend që shtrihej mbi det dhe që njihej me emrin Shihr. Thotë Zoti në Kuran:“Kujtoje vëllanë e fisit Ad (Hudin), kur e paralajmëroi popullin e vet në Ahkaf.” (Ahkaf, 21)

Kjo popullatë, ndërtimin e shtëpive e kishin kthyer në art. Shtëpitë e tyre të preferuara ishin çadrat, por që nuk ishin aspak të zakonta. Ato ishin shumë të mëdha dhe plot dekoracione.

“Vallë, a nuk e di ti se çfarë ka bërë Zoti yt me fisin Ad, banorë të Iremit me pallate shumështyllëshe, të atillë që nuk janë krijuar askund tjetër në tokë si ata?!” (Fexhr, 6-8)

Ata ishin mjeshtër të ndërtimit të shtëpive, rrugëve, fshatrave e qyteteve. Në vendet e sheshta, ata ndërtonin dhe banonin në çadra. Kurse në kodra e male, ndërtonin pallate dhe shtëpi të larta. Rrugët e qyteteve të tyre ishin të gjera dhe të bukura. Disa thonë që për dekoracionet e mureve përdornin flori dhe argjend, por këtë veç Zoti e di më mirë. Një zhvillim i tillë nuk është parë në asnjë vend tjetër, gjë e cila theksohet edhe në Kuran, në ajetin e lartpërmendur.

Gjuha që fliste populli i Hudit a.s, ishte arabishtja. Vetë Hudi a.s ishte arab, gjë e cila ceket në një hadith të transmetuar nga Ibnu Hibani, sipas të cilit, Profeti a.s po i fliste Ebu Dherit mbi profetët e Zotit. Veç të tjerash, ai i thotë:”…Katër prej tyre janë arabë, Hudi, Salihu, Shuajbi dhe Profeti yt o Ebu Dher.”

Arabët që ekzistonin para profetit Ismail a.s, njihen ndryshe si arabët arabizues, ku ndër më të njohurit janë fiset Ad, Xhurhum, Themud, Umejm, Medjen, Kahtan etj…

Kurse arabët e arabizuar, janë ata që erdhën pas profetit Ismail a.s. Vetë profeti Ismail a.s nuk ishte arab, por nga Kenani. Kur babai i tij, Ibrahimi a.s e la në Meke dhe u rrit mes arabëve, ai e mësoi arabishten shumë mirë, madje ishte më orator dhe i ditur se vetë arabët.

Pas tufanit që goditi tokën dhe shkatërroi njerëzimin, ato pak njerëz që shpëtuan bashkë me Nuhun a.s, filluan të shtohen. Ata banonin në veri të Shamit (Lanton), ose më saktë në jug të Turqisë. Që andej, ata filluan të shpërnguleshin në Sham, në Gadishullin Arabik, ku fisi Ad arritën në jug të Gadishullit Arabik. Vlen të theksojmë se të gjithë ishin monoteistë, adhuronin dhe besonin vetëm një Zot. Por me kalimin e kohës, tek fisi Ad filloi të përhapej sërish idhujtaria. Ata ishin të parët që filluan të adhurojnë idhujt pas tufanit të Nuhut a.s.

Përveç se ishin të aftë dhe mjeshtër në ndërtim, Zoti u kishte dhënë dhe fizik të madh, gjë e cila përmendet dhe në Kuran. Interpretuesit e Kuranit, i përshkruajnë me lëkurë të bardhë, të gjatë dhe të bëshëm. Thotë Zoti në Kura:“Kujtoni që Ai ju bëri zëvendës pas popullit të Nuhut dhe ju dha trup e fuqi të madhe. Kujtoni dhuntitë e Allahut, në mënyrë që të keni sukses!” (Araf, 69)

Zoti cek në Kuran, edhe zhvillimin në ndërtim të këtij populli. Thotë Zoti në Kuran, në gjuhën e profetit Hud a.s:“A mos vallë në çdo kodrinë po ngrini përmendore, për t’u tallur, dhe ngrini pallate, sikur do të jetoni gjithmonë?” (Shuara, 128)

Duke qenë se ndërtonin përmendore, pallate e vila në male, Hudi a.s u thoshte:”Përderisa banoni në fusha, përse ndërtoni vila e pallate në kodra e male?!”

dhe ngrini pallate, sikur do të jetoni gjithmonë? Edhe kur përdorni forcën, e shfrytëzoni atë si tiranë. Andaj, frikësojuni Allahut dhe bindmuni mua! Frikësojuni Atij, i Cili ju ka dhuruar ato që i dini: ju dhuroi juve bagëti dhe fëmijë, edhe kopshte, edhe burime.” (Shuara, 128)

Popullit të Adit a.s nuk i mungonte asgjë, por nuk e falënderonin Zotin e lartësuar për mirësitë që kishte derdhur mbi ta. Sikur të mos u mjaftonte kjo, ata filluan të tregohen arrogantë dhe mendjemëdhenj. Thotë Zoti i lartësuar në Kuran:“Sa i përket fisit Ad, ata u treguan arrogantë në Tokë dhe, pa kurrfarë të drejte, thoshin: “Kush është më i fortë se ne?” Vallë, a nuk e dinin ata se Allahu që i kishte krijuar, është më i fuqishëm se ata?! Kështu, ata i mohuan shpalljet Tona.” (Fussilet, 15)

Si rezultat i mosbesimit të këtij populli, Zoti i lartësuar dërgoi profetin Hud.

Fisit Ad i dërguam vëllain e tyre – Hudin. Ai tha: “O populli im! Adhuroni Allahun, ju nuk keni zot tjetër përveç Tij. A nuk po i ruheni dënimit?” Paria e popullit të tij që nuk besonte, tha: “Ne shohim tek ti mendjelehtësi dhe mendojmë se je gënjeshtar”. Ai tha: “O populli im! Unë nuk jam mendjelehtë, por jam i dërguar nga Zoti i botëve. Unë ju sjell shpalljet e Zotit tim dhe jam këshilltar besnik. A po çuditeni që këshilla e Zotit tuaj t’ju vijë nëpërmjet një njeriu prej jush, i cili ju tërheq vërejtjen? Kujtoni që Ai ju bëri zëvendës pas popullit të Nuhut dhe ju dha trup e fuqi të madhe. Kujtoni dhuntitë e Allahut, në mënyrë që të keni sukses!” (Araf, 65-69)

Hudi a.s ua kujtoi mirësitë dhe begatitë që u kishte dhënë Zoti, por ata as që ia vinin veshin.

“Fisit Ad (Ne i dërguam) vëllanë e tyre Hudin. Ai tha:“O populli im, adhuroni Allahun! Ju nuk keni Zot tjetër përveç Tij; ju jeni vetëm trillues.” (Hud, 50)

O populli im! Unë nuk kërkoj nga ju shpërblim për këtë. Mua më shpërblen vetëm Ai që më ka krijuar! A nuk kuptoni?! O populli im! Kërkoni falje nga Zoti juaj dhe kthehuni tek Ai të penduar, se Ai do t’ju sjellë shi të begatshëm dhe do t’ju shtojë fuqi mbi fuqinë tuaj. Mos u shmangni prej Atij duke qenë keqbërës!” (Hud, 50-52)

Me gjithë tentativat e Hudit a.s, ata vazhdonin me idhujtarinë e tyre. Në vend që ta besonin Hudin a.s, popullata filluan të tallen dhe ta ofendojnë. Ata i thanë:”

“Paria e popullit të tij që nuk besonte, tha: “Ne shohim tek ti mendjelehtësi dhe mendojmë se je gënjeshtar”. (Araf, 66)

Ata thanë: “O Hud! Ti nuk na ke sjellë kurrfarë prove të dukshme për fjalët e tua, ne nuk do t’i braktisim zotat tanë dhe nuk të besojmë ty! Ne themi vetëm se ty të ka goditur ndonjë e keqe nga zotat tanë”. (Hud, 53-54)

Duke qenë se ti i shan zotat dhe perënditë tona, ata janë hakmarrë dhe të kanë çmendur.

“Por paria e popullit të tij, e cila nuk besonte dhe e mohonte takimin në botën tjetër dhe, së cilës, i kishim dhënë të mira në këtë botë, tha: “Ky është vetëm njeri si ju, ha nga ato që hani edhe ju dhe pi nga ato që pini edhe ju! Nëse ju i bindeni një njeriu si ju, me siguri, do të jeni të humbur! A ju premton ai që, kur të vdisni e të bëheni pluhur dhe eshtra, do të ringjalleni vërtet?! Sa premtim qesharak që është! Nuk ka jetë tjetër përveç jetës së kësaj bote, ne jetojmë e vdesim e nuk do të ringjallemi më. i është vetëm një njeri që trillon gënjeshtra për Allahun, prandaj nuk i besojmë atij.” (Muminun, 33-38)

Duke parë rezistencën e Hudit a.s dhe pasionin e tij për t’i këshilluar, i thanë:

“Ata thanë: “Për ne është njëlloj: na këshillove ose nuk na këshillove ti. Këto janë vetëm doket e popujve të lashtë e ne nuk do të jemi të dënuar.” (Muminun, 136-138)

Me këtë rast, Hudi a.s filloi t’i sfidojë, ashtu siç e sfidoi më parë Nuhu a.s popullin e tij idhujtar.

“Ai tha: “Unë kam dëshmitar Allahun, por dëshmoni edhe ju, se unë jam larg nga idhujt që ju i adhuroni në vend të Tij. Të gjithë ju bëni komplot kundër meje dhe mos më jepni afat aspak!” (Hud, 54-55)

Hudi a.s e luti Zotin e lartësuar me fjalët:

(I dërguari) tha: “O Zoti im, më ndihmo, sepse ata më akuzojnë se gënjej!”

(Allahu) tha: “Së shpejti do të pendohen!” (Muminun, 39-40)

 

Si e ndëshkoi Zoti popullin e Hudit a.s?

Ndëshkimi i Zotit për këtë popull ishte me një stuhi ere që nuk ka ekuivalente në gjithë historinë njerëzore. Si fillim, në atë rajon u ndal shiu, gjë e cila shkaktoi një zinxhir pasojash të rënda. Të mbjellat dhe pemët filluan të thahen dhe kafshët filluan të ngordhin. Të gjithë njerëzit prisnin me padurim të binte shi dhe të ringjallej ekonomia. Një ditë, nga larg ata dalluan një re të zezë. Këtë e komentuan si një sihariq të madh, pasi pritej të bjerë shiu aq shumë i shpresuar. Thotë Zoti në Kuran:

“Dhe kur panë një ré që u duk se vinte në drejtim të luginave të tyre, ata thanë: “Kjo re po sjell shiun!” “Jo!” – u përgjigj ai – “kjo është ajo që ju e keni shpejtuar: një erë që mbart një dënim të dhembshëm, që, me urdhrin e Allahut, shkatërron çdo gjë.” E në mëngjes u panë vetëm shtëpitë e tyre të zbrazëta; ja, kështu e ndëshkojmë Ne popullin keqbërës.” (Ahkaf, 24-25)

Gjithçka u rrënua, shtëpitë, fabrikat, pemë e bimë etj… përveç shtëpive që kishin gdhendur në shkëmbinjtë malorë.

“(Mësim ka edhe në historinë) e fisit Ad, kur i dërguam erën shkatërruese, e cila, ngado që kaloi, nuk kurseu asgjë, duke i kthyer në kalbësira.” (Dharijat, 41-42)

“Edhe fisi Ad e quajti gënjeshtar (të dërguarin Tonë), por sa i tmerrshëm qe dënimi Im pas paralajmërimeve të Mia! Ne u dërguam atyre në një ditë fatkeqe një erë të stuhishme të pandërprerë, e cila i nxirrte njerëzit, sikur të ishin trungje të shkulura hurmash. Eh, sa i tmerrshëm qe dënimi Im pas paralajmërimeve të Mia!” (Kamer, 18-20)

Stuhia i ngrinte njerëzit përpjetë dhe kur i përplaste për ndonjë objekti, ua shkulte kokën nga trupi.

“kurse fisi Ad u shkatërrua nga një furtunë shungulluese të rreptë, të cilën Allahu ua dërgoi atyre shtatë net dhe tetë ditë pareshtur. Atëherë mund t’i vëreje njerëzit të përmbysur si trungjet e hurmave të kalbura. A sheh ndonjë gjurmë të tyre?” (Hakka, 6-8)

Lidhur me profetin Hud a.s, Zoti e shpëtoi nga ky dënim i frikshëm dhe i tmerrshëm. Stuhia e erës rrënonte dhe përpinte gjithçka tjetër, përveç vendit ku qëndronte Hudi a.s dhe ithtarët e tij.  Thuhet se ai bashkë me ithtarët dhe ca kafshë, ndodheshin në një vathë.

“Me mëshirën Tonë, Ne e shpëtuam Hudin dhe të gjithë besimtarët që ishin me të dhe i asgjësuam ata që i mohuan shpalljet Tona. Ata ishin të gjithë mosbesimtarë.”(Araf, 72)

“Kur erdhi urdhri Ynë, me mëshirën Tonë, Ne e shpëtuam Hudin bashkë me besimtarët e tij. I shpëtuam ata nga dënimi i rëndë. Ja, ky ishte fisi Ad. Ai i mohonte shenjat e Zotit të tij, nuk i dëgjonte të dërguarit e Tij dhe shkonte pas urdhrit të çdo keqbërësi kokëfortë. Ata i ndoqi mallkimi në këtë jetë dhe në Ditën e Kiametit. Me të vërtetë, fisi Ad e mohoi Zotin e tij. Qoftë larguar (nga mëshira e Allahut) fisi Ad, populli i Hudit!” (Hud, 58-60)

Hudi a.s bashkë me besimtarët jetuan po në atë rajon. Ai vdiq dhe u varros në Hadramaut.